Detaje të pazbuluara për serbin që trazoi Prishtinën, ja çfarë dosje ka

Aktuale

Detaje të pazbuluara për serbin që trazoi Prishtinën, ja çfarë dosje ka

Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 11:34
Një veturë Opel ngjyrë hiri ishte gjetur para hyrjes së Grandit.

Alarmi dhe bllokimi i qendrës së kryeqytetit për shkak të një veture “të dyshimtë” - taksi me tabela të Beogradit, u përcoll me tallje ndaj autoriteteve kosovare. Ishte bërë zhurmë më shumë se ç’duhej. Pak orë pas ngjarjes që shkaktoi tollovi në Prishtinë, të martën mbrëma, Policia tha se vozitësi serb i taksisë, është narkoman dhe me probleme mendore. Nga ana tjetër, pakkush e di se 28-vjeçari serb që la taksinë e ndezur në rrugën “Galibardi”, ka dosje policore për "falsifikim dokumentesh" dhe "legalizim të përmbajtjes së rreme"! Këtë të fundit s'e dinte as Prokurori që intervistoi serbin dhe më pas e la të lirë. 

Zoran Spasic, 28 vjeç nga Mitrovica e Veriut, është identiteti i serbit që alarmoi Prishtinën, të martën rreth orës 16:00, duke lënë të parkuar breg rrugës, një veturë - taksi me tabela të Beogradit.

Spasic, sipas të dhënave zyrtare të Policisë, veturën "Opel Astra" e kishte lënë të ndezur saktësisht në rrugën "Garibaldi". Më pas, e njëjta veturë ngjyrë hiri ishte hasur nga patrullat rrugore të Policisë, për t’u konfiskuar si rezultat i parkimit jo të rregullt. 

E tek pas këtij veprimi, Policia kishte ngritur dyshimet se brenda veturës mund të ketë pasur diçka të dyshimtë. Ndërkohë, procesi i ekzaminimit ngriti alarme në kryeqytet, se vetura mund të kishte brenda mjete shpërthyese. Për disa orë, qendra e Prishtinës u bllokua krejtësisht, por në fund asgjë nuk rezultoi me rrezik.

Për koincidencë mbrëmjen e së mërkurës, kur po merreshin me veturën taksi, policia u alarmua për një çantë të dyshimtë në një cep tjetër të qytetit. 

Lexo edhe këtë: Vetura me targa të Serbisë 'ngriti në këmbë' Prishtinën

Megjithatë, policia u vu në ndjekje të 28-vjeçarit serb. Ai u has në Manastirin e komunës serbe të Kosovës, Graçanicës, që ndodhet vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. 

Express ka siguruar përmbajtjen e deklarimeve që Zoran Spasic i bëri gjatë intervistimit nga Policia e Kosovës, të njëjtën mbrëmje kur la në rrugë veturën e dyshimtë. 

Ndonëse, Policia dhe Prokuroria thonë se ka dyshime të ngritura se i njëjti person ka shkallë të lartë të dëmtimit mendor dhe i varur nga substancat narkotike, serbi nga Mitrovica e Veriut ua ka ndërtuar autoriteteve kosovare alibinë e tij sesi e ka lënë veturën taksi që e drejtonte në qendër të Prishtinës. 

Serbi Spasic, i pajisur me patentë shoferi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, u tha Policisë dhe Prokurorit, gjatë intervistimit, se ai në mëngjes ishte nisur nga Mitrovica e Veriut me veturën e punës të kompanisë së taksive “Proffi”.

Gjatë rrugës, i njëjti thotë të jetë ndalur në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë ku banojnë prindërit e tij. Pastaj, thotë se ka vazhduar për në Prishtinë, edhe pse nuk ishte duke bartur ndonjë pasagjer. 

Ndalesën në rrugën “Galibaldi” deklaron se e bëri me qëllim që të ndalej e të pinte kafe. Thotë se ka vazhduar drejt shesheve kryesore të Prishtinës, me ç’rast është ndalur në një kafe, por që, sipas tij, nuk është shërbyer pasi me vete kishte vetëm dinarë, e jo euro për ta paguar kafenë.

Nga aty, taksisti serb thotë se u kthye tek Hoteli "Grand", pak metra nga vendi ku e la të parkuar veturën e tij. Çuditërisht, ai nuk kishte hipur në veturën e tij, por kishte marrë një taksi tjetër, për të shkuar deri në Graçanicë.

Taksinë që e çoi deri në Manastir, doli se ai e kishte paguar me euro, ndonëse më herët kishte pohuar se monedha të tilla s’kishte për të paguar kafenë në Prishtinë.

Nga ana tjetër, kompania e taksive “Proffi”, veturën e së cilës Spasic e braktisi në qendër të Prishtinës, kishte ditën e parë të operimit në Kosovë. E regjistruar në Agjencinë e Regjistrimeve të Bizneseve në Kosovë, më 21 janar të këtij viti, kjo kompani nga Mitrovica e Veriut kishte filluar operimin me vetura që mbajnë regjistrimin e shtetit serb. 

Tabela serbe mbante edhe vetura taksi e “dyshimtë” e kësaj kompanie. Madje, edhe pse kishte kaluar disa kilometra rrugë nga Mitrovica e Veriut, nga ku ishte nisur, deri në kryeqytetin kosovar, regjistrimi serb i një veture taksi s’i kishte rënë në sy askujt, derisa u braktis te "Grandi", nga vozitësi i saj Zoran Spasic. 

Ky i fundit, pasi u gjet në Graçanicë nga Policia vetëm u intervistua dhe më pas u la i lirë, derisa si ngasës i veturës atij iu shqiptua vetëm masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës.

Prokurori Kujtim Munishi, që e la të lirë serbin pas interivistimit, tha se mjekët kanë konstatuar se 28-vjeçari është me të meta psikike. Ai nuk përmendi pohimet se i njëjti ishte nën ndikimin e drogave. 

“Personi është me të meta psikike, definitivisht. E ka lanë kerrin ndez aty dhe është kthy në Graçanicë. Janë raportet mjekësore që e vërtetojnë se ai vuan prej një sëmundje mendore dhe kështu ai është liru”, tha Munishi, të enjten. 

Konstatimin se Spasic është i sëmurë mendor e dhanë mjekët e qendrës mjekësore në Llapnasellë të Graçanicës. E se pse ai nuk u dërgua për ekzaminime në QKUK të Prishtinës, Prokurori Munishi u përgjigj me “nuk e di, atje e ka dërguar Policia”. 

Nga ana tjetër, media s ka siguruar informacione brenda Policisë së Kosovës se serbi Zoran Spasic, i lindur në vitin 1988, ka tri dosje tek autoritetet kosovare për tri raste të ndryshme të ndodhura kohë më parë.  

“Falsifikim dokumentesh”, “Shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, janë tre raste të ndryshme penale në të cilat është identifikuar vozitësi i taksisë së dyshimtë. 

Por për dosje të tilla, prokurori që po heton rastin në fjalë, thotë se nuk është në dijeni.
“Ato nuk e di. Nuk muj me ditë. Rasti është ende ka procedohet. E veprimet e para kanë qenë ato çka tashmë i dini”, tha prokurori Munishi, i pyetur nga media për dosjet në Polici të serbit dhe mundësinë se i njëjti t'u ketë prezantuar atyre letra mjekësore të falsifikuara. 

Të çuditshëm atë se çka ndodhi mbrëmjen e së martës në Prishtinë, e bën edhe alarmi tjetër që u dha në kryeqytet të njëjtën natë. 

Derisa qendra e kryeqytetit u bllokua e gjitha për shkak të taksisë së dyshimtë, një tjetër alarm kishte marrë Policia. Te shkolla “Elena Gjika” një tjetër çantë e dyshimtë ishte gjetur, ndërkohë sa kontrollohej vetura taksi me tabela serbe. 

“Nuk kishte asgjë të rrezikshme në çantë”, kishin deklaruar zyrtarë për media të Policisë, pasi ishte ekzaminuar e njëjta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat