Rrëfen djali i ish-deputetit që iu vodhën 100 mijë Euro: Po shikonim finalen e Ligës së Kampionëve...

Aktuale

Rrëfen djali i ish-deputetit që iu vodhën 100 mijë Euro: Po shikonim finalen e Ligës së Kampionëve...

Më: 28 maj 2018 Në ora: 18:13
Të shtunën mbrëmë disa hajna hynë në shtëpinë e ish-deputetit biznesmen Xhavit Ukaj, në Piranë të Prizrenit. Vodhën hiq më pak se 100 mijë Euro, të holla kesh.

Ndërkohë sa zhvillohej finalja e Ligës së Kampionëve, të shtunën mbrëmë disa hajna hynë në shtëpinë e ish-deputetit biznesmen Xhavit Ukaj, në Piranë të Prizrenit. Vodhën hiq më pak se 100 mijë Euro, të holla kesh. Megjithëse hajnat lanë shenja të gishtërinjve e gjurmë të tjera, policia ende nuk ka arritur të identifikojë ata. 

Dera e shtëpisë së biznesmenit nga Prizreni ishte e hapur, siç ndodh zakonisht, edhe pse brenda saj nuk ndodhej askush. E gjithë familja, pasi kishin ngrënë iftarin, kishin dalë të ndiqnin ndeshjen e futbollit – finalen e Ligës së Kampionëve. 

Dy ditë pas plaçkitjes, të hënën në mesditë,  ka folur djali i biznesmenit ish-deputet Xhavit Ukaj, Florenti. 

“Krejt ka ndodhë në interval kohorë, rreth orës 20:30 deri në 22:00. Në 22 ka shku babai atje në shpi edhe e ka pa çka ka ndodhë”, thotë Florent Ukaj. 

Sipas tij, në shtëpinë e tyre në fshatin Piranë të Prizrenit, janë vjedhur mbi 100 mijë Euro kesh dhe dy orë me vlerë. 

“Shuma ka qenë 100 mijë euro me ni vend. 35 euro janë marrë në kuletë të mamit. 130 euro janë marrë në kuletë të vëllait. Edhe dy ora të dorës”, ka rrëfyer për dëmet e plaçkitjes djali i ish-deputetit të LDK’së Xhavit Ukaj, tash asamblist i të njëjtës parti në Prizren.

Për shumën marramendëse të plaçkitur në shtëpinë e tyre, Florent Ukaj thotë se janë të gjitha para të deklarua, që ishin nxjerrë për investime dhe për organizimin e një dasmë në familje. 

“Babi i ka pas paret qysh i ka nxjerrë, me fatura të bankës, me qira, me kontrata, i ka të deklarua parat. Tatimet për to janë të paguara. I kemi lajmru të gjitha në Polici”, thotë djali i biznesmenit prizrenas që në pronësi ka disa firma të ndryshme si sallë dasmash, pompë benzine, markete, etj. 

“Kanë hy në shtëpi nëpër dhoma. Katin e parë se kanë kontrollu hiq. Dera ka qenë e hapur. Se ne jemi e gjithë lagja familjar”, rrëfen Faton Ukaj. 

Thotë se paratë kanë qenë në qeset e zeza qe u gjetën të zbrazura në livadhin pas shtëpisë së tyre. 

Sipas tij, hajnat që hynë në shtëpinë e familjes Ukaj, të shtunën në mbrëmje, kanë lënë edhe gjurmë. 

“Policia po thotë se mbi dy veta kanë qenë. Shenja të gishtave ka sa të duash”, tha ai.

Por përkundër këtyre, dy ditë pas Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë plaçkitësit. 

“Jemi në fazën e hetimeve. Për momentin nuk kemi asnjë të dyshuar”, i ka thënë Express të hënën zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Hazir Berisha. 

Nga ana tjetër, Florent Ukaj, thotë se kanë dyshime të ndryshme, për të cilat kanë njoftuar edhe policinë. 

“Spo bon me akuzu. Ja kemi lanë në dorë policisë. Ju kemi tregu të kush dyshojmë, cka dyshojmë”, tha ai, duke shtuar edhe se shtëpia e tyre nuk ka kamera të sigurisë për të parë ngjarjen. 

“Siguria ka qenë zero. Na aty krejt jemi familje”, tregon ai. 

Policia, në njoftimin e tyre për rastin që e kanë cilësuar si vjedhje e rënë, thotë se plaçkitja në Piranë të Prizrenit ka ndodhur rreth orës 20:20 deri në 22:30. 

“Ankuesi mashkull K/Shqiptar ka raportuar se persona të panjohur me forcë kanë depërtuar në brendinë e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme prash”, ka njoftuar Policia. 

Në lidhje me ngjarjen, sipas tyre, është njoftuar prokurori ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat