Alli: NATO e do transformimin e FSK-s duke respektuar ndryshimet kushtetuese

Aktuale

Alli: NATO e do transformimin e FSK-s duke respektuar ndryshimet kushtetuese

Më: 29 qershor 2018 Në ora: 14:28
Paolo All dhe Ramush Haradinaj

Zyrtarët e NATO-së vazhdojnë të theksojnë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese dhe jo ndryshe. Këtë mesazh e ka dhënë edhe Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-së, Paolo Alli.

Ai pas një takimi me kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se prezenca e tij në Kosovë dëshmon edhe një herë se Asambleja Parlamentare e NATO-s është përkrahë Kosovës e angazhuar dhe e përkushtuar me Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor është pjesë thelbësore e Evropës dhe se ajo nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Alli: Transformimi i FSK-së sipas Kushtetutës

“NATO mendon se ky transformim duhet të ndodhë në respektimin e një kornize kushtetuese. Pra, sigurisht që jemi të bindur se mënyra më e mirë do të ishte përmes reformës kushtetuese. Është në dorën e Qeverisë dhe lidershipit tuaj për të gjetur propozimin e duhur dhe mënyrën e duhur. Negociatat e një niveli Evropian janë në tryezë. NATO nuk do të tërhiqet nga angazhimi i saj në Kosovë, KFOR-i është ende këtu dhe do të jetë këtu”, tha Alli.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se e gjithë perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor është një fjalë, ashtu si vendet tjera edhe Kosova në NATO, e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme.  

Haradinaj: Do të bëjmë çmos për kalimin e forcës sonë në ushtri

“Ne mirëpresim praninë e NATO-s, KFOR-in në Kosovë. Ne e konsiderojmë këtë një prani të përhershme. Është një prani që respektohet shumë nga qytetarët e Kosovës. Mendoj se kjo është e vërtetë. Në perspektivën e kalimit të forcës sonë në ushtri, ne do të bëjmë çmos për t'u dëshmuar partnerëve tanë, NATO-s që ne kemi një zgjidhje të përgjegjshme, kështu që kjo do të jetë një mënyrë e përgjegjshme”, theksoi Haradinaj. 

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-së, Paolo Alli është pritur edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka shprehur falënderimin e tij për vizitën, bashkëpunimin dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës Asambleja Parlamentare e NATO-s. Kreu i shtetit, ia ka konfirmuar presidentit Alli, se Kosova është faktor stabiliteti në rajon, e përkushtuar për dialog me Serbinë që do të sjell paqe të qëndrueshme në tërë rajonin.

Ndërsa, Paolo Alli, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që NATO ka me Kuvendin e Kosovës.

Alli gjatë ditës është takuar edhe me kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Pas takimit, ai ka thënë se Kosova është në rrugë të drejt që t’i plotësojë objektivat që të bëhet anëtare e NATO-s.

Alli shtoi se disa çështje që duhen plotësuar janë elementare siç është edhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.

Alli: Kosova në rrugë të mirë për të arritur qëllimin për t'u bërë anëtare e NATO-s

“Ne kuptojmë qartë se popullata dëshiron t'i bashkohet komunitetit Euro-Atlantik. Sigurisht, ende ka nevojë për përparime sa i përket reformave që kërkohen nga NATO dhe Bashkimi Evropian, por, unë jam i sigurt se Kosova është me të vërtetë në një rrugë të mirë për të arritur qëllimin e saj për t'u bërë anëtare e komunitetit euro-atlantik. Natyrisht, disa çështje janë momentale siç është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, u shpreh Alli.

Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është pikë e parë, mirëpo Alli tha se në përgjithësi kanë parë një zhvillim në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Alli, ky rajon është i rëndësishëm për Evropën dhe nuk do të jetë e përmbushur pa u integruar edhe në BE.

Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se Kosova është dhe do të jetë për integrime evropianë. Haliti tha se e ka siguruar Alli që Kuvendi i Kosovës dhe njerëzit këtu janë për orientim perëndimor.

Haliti: Kosova është për integrime evropiane

“Ne si Kosovë kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përcaktuar për integrimet evropiane dhe për integrime në NATO. Institucionet e Kosovës, Kuvendi, njerëzit në përgjithësi, të gjitha partitë politike, të gjithë qytetarët e Kosovë janë me orientim perëndimor dhe do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, theksoi Haliti.

Haliti shtoi se do të insistojnë që t’i kryejnë obligimet që kanë për të plotësuar standardet për të qenë pjesë e BE-së dhe NATO-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat