Kuvendi mbyll seancën me një minutë heshtje për Adem Demaçin

Aktuale

Kuvendi mbyll seancën me një minutë heshtje për Adem Demaçin

Më: 26 korrik 2018 Në ora: 10:06
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës me një minutë heshtje ka nderuar jetën dhe veprën e veprimtarit Adem Demaçi, i cili ndërroje jetë sot në moshën 83 vjeçare.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, pasi njoftojë për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi, tha se ishte mësues i joni i madh, vepra e të cilit do të lartësohet për aq sa shqiptarët do të kenë jetë.

Haliti: Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit

“Në këto momente u informova që, nuk di me çfarë fjalë ta quaj përveç që mësuesi jonë i madh, burri i jonë i madh kazamatet e Jugosllavisë, ka ndërruar jetë. Ai ndarë sot nga ne fizikisht por jeta dhe vepra e tij do të lartësohet për aq sa kohë kombi shqiptar dhe shqiptarët në përgjithësi do të kenë jetë. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit dhe iu lus për një minutë heshtje“, tha ai.

Pas kësaj është ndërprerë seanca.

***

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, me kërkesë të Partisë Social Demokrate, e cila ka propozuar një rezolutë me të cilën Kuvend merr përgjegjësinë për dialogun, si dhe miraton platformën shtetërore për dialogun.

Deputeti Visar Ymeri tha se kanë kërkuar këtë debat si çështje urgjente para takimit të fundit të Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Ymeri: Hashim Thaçi prapë po ngutet të vazhdojë dialogu me Serbinë

“Hashim Thaçi prapë po ngutet të vazhdojë dialogu me Serbinë si përherë pa kurrfarë përgatitje dhe pa kurrfarë diskutimi politik, thuajse asgjë nuk ka ndodhur në procesin e deritashëm. Sa për të iu kujtuar ky dialog prej që na nisur dhe së fundmi na ka ndryshuar emrin politikë nga republika në fusnotë, na ka fuqizuar praninë e Serbisë në Kuvend e Qeveri përmes listës serbe dhe së fundmi rrezikojë të na kthejë me kokë poshtë rendin kushtetues”, tha ai.

Ymeri propozojë edhe një rezolutë, pasi është e rëndësishme që Kuvendi ta ketë të drejtën për dialog me Serbinë.

Ymeri: Përgjegjësin për dialogun ta ketë Kuvendi

“Rezolutë për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serebisë.1. Partitë politike në kuvend dakordohen se përgjegjësia për dialogun i takon Kuvendit Me votë të kualifikuar, kuvendi e miraton platformën shtetërore për dialogun e cila do të shërbej si dokument bazë së parimeve themeltare dhe i pozicioneve shtetërore në këtë proces”, tha ai.

Po ashtu, në rezolutë, sipas tij, thuhet se me votë Kuvendi e mandaton bartësin dhe bartësit të cilët marrin vendim vetëm në koordinim me Kuvendin.

Kuvendi ka të drejt ta shkarkoj bartësin dhe kuvendi themelon një komision mbikëqyrës të dialogut të prirë nga opozita

Haradinaj e Veseli-Abdixhikut: Ti je mjaft i mençur, nuk je profeti Muhamed

Vazhdimi i seancës së Kuvendit të Kosovës ka nis me akuzat e opozitës për pozitën, duke thënë se i mungojnë edhe katër nënshkrime për ta nisur mocionin e mosbesimit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se po i përmend milionat e humbur nga koalicioni siç janë 53 milionë euro për Bektel Enken me një copë letër, 11 milionë euro të dhëna për serbët në veri, 36 milionë euro për t’i mbuluar euro për të mbuluar humbjet e militantëve partiak në PTK dhe 80 milionë euro për lista fiktive që po iu dalin gjithandej Kosovës.

“Interes i Kosovës është ndërprerja e punës së këtij koalicioni që bën kaq shumë dëme, jeni të padijshëm, jeni të rrezikshëm, rrjedhimisht të dëmshëm. Hierarkinë e dëmeve të Kosovës, naltë jeni ju ligjet janë krejt poshtë. Unë i ftoj edhe një herë partnerët e tjerë të opozitës që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve të Kosovës në mënyrë që të kursejmë dëmin që po i bëhet Kosovës. I ftoj edhe anëtarët e PSK-së që mos të bëhen pjesë e votimeve të shumicës por t’i bashkohen koordinimit bojkotues të LDK-së dhe Vetëvendosjes“, tha ai.

Kurse, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i tha Abdixhiut që të ketë kujdes kur flet për deputetët.

“Kualifikimet duhet me pas shumë moral, burrni, dijeni dhe traditë se ajo që e fole t’i më herët as me qenë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, jo ne te voglit këndej të padijshëm, të rrezikshëm, mos me kualifikime se të gjithë kanë dinjitet, kujdes, tu kisha lut ndanë respektin se secila prej neve, familjes ka bërë për me bërë një gjysmë shkolle, pastaj ti nuk je ligjërues as nuk je profeti Muhamet, të padijshëm, të rrezikshëm janë çështje të rënda, unë nuk ta ndërpreva fjalën por tjetër herë ta ndërprej dhe kam të drejt”, tha ai.

Dardan Sejdiu ia dorëzojë nënshkrimet e PSD-së për rrëzimin e Qeverisë, Abdixhikut të LDK-së.

“Këto dy 12 nënshkrime të PSD-së i ke Lumir Abdixhiu, t’i dorëzojë. Juve të LDK-së e keni fare lehtë si partia më e madhe opozitare t’i ftoni të gjitha subjektet opozitare të ulemi dhe ta bëjmë një strategji e ta rrëzojmë këtë qeveri”, tha ai.

Sërish e morri fjalën Abdixhiku, duke thënë se më shumë po kritikojnë LDK-së se sa Qeverisë.

“Më vjen mirë që jeni kryer dhe i keni edhe nënshkrimet e LDK-së, po besoj edhe të Vetëvendosjes dhe prej sodit zyrtarisht i kemi 57 nënshkrime, na duhen edhe 4 nënshkrime për të nisur për ta nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë”, tha ai, duke ftuar që të vazhdojnë bojkotimin e institucioneve.

Kryeministri Ramush Haradinaj i sigurojë deputetëve se qeveria nuk po punon për një subjekt politik por për gjithë qytetarëve.

“Shumë mirë që nuk po mujka pozita me miratuar ligjet pa dakordim me opozitën sepse atëherë përmbajtja e ligjeve nuk qenka arrogancë e pozitës por rezultat i kontributeve të ndërsjellët. Shifrave që janë humbur sot, lëreni jashtë luftës opozitare, janë ndjeshmëria e marrëdhënieve me BE-në“, tha ai.

Ai shtoi se janë disa muaj deri në lëvizjen ne lirë dhe i vije keq që në këto procese po kundërshtohet diçka me BE-në. 

Avdullah Hoti për dialogun: Të mos udhëhiqet nga ekipe jo kompetente

Shefi i Grupit parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit foli lidhur me përfaqësimin e dialogut me Serbinë. Ai tha se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga ekipe jo kompetente.

Lidhur me përfaqësimin në dialog nga Presidenti Hashim Thaçi, Hoti nga LDK’ja tha se institucionet nuk kanë fuqi politike dhe legjitimitet të popullit për ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Të mos humbim kohë në diskutime pa asnjë rezultat”, tha Hoti.

Haradinaj – Abdixhikut: Ti je mjaft i mençur…

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur goxha të mençur deputetin e LDK-së, Lumir Abdixhikun. Krejt kjo për shkak të debatit rreth Pallatit të Rinisë.

E lidhur me këtë, Haradinaj ka thënë se Abdixhiku është aq i mençur sa ta dijë që ekziston Ligji i Prishtinës.

“Ne do të kemi rast me fol. Nuk është një qeverisje e partive, vendimet e kësaj Qeverie I shkojnë qytetarëve dhe ata janë edhe VV, PSD e LDK por edhe pozitë. Lumiri është i mençur, e di se është edhe Ligji për Prishtinën e me ia nisë prej tij, pastaj tek Pallati i Rinisë. Sa i përket shifrave që janë humbë sot, ka diçka që mundni me lënë jashta luftës opozitare, është ndjeshmëria e marrëdhënieve tona me BE-në. në kohën kur ne po aspirojmë me avancu një MSA që është specifike për ne, në kohën kur e kemi liberalizimin e vizave në mëshirën e ministrave të brendshëm, poi u lus, përjashtone këtë pjesë. Mos e mendoni për shkak të aspekteve tona ndërpartiake, ruajeni, lejeni anash. Më vjen keq që po na ikë ky argument”, ka thënë Haradinaj.

Kjo deklaratë e kryeministrit vjen pas kërkesës së Lumir Abdixhikut drejt VV-së dhe PSD-së që të vazhdohet bojkoti dhe të mos votohen ligjet.

Drejtpërdrejt nga seanca

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon pas dy herë ndërprerje për shkak të bojkotit të votimit të projektligjeve nga opozita.

Përsëri ndërpritet seanca, PAN nuk i ka votat,  Veseli përplaset me LDK-në

Kryesia ka vendosur që seanca e Kuvendit të vazhdojë në orën 15:00.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli me këtë rast ka ftuar deputetët që të mos e vazhdojnë bojkotin sepse është varfërim për Kosovën.

“Dëshira politike pozitë - opozitë mos të bëhet mbi kurriz rë qytetarëve. Në këto rrethana do të shkojmë në pushim shumë shpejt”, ka thënë Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.

Seanca e sotme ka filluar në orën 10 paradite por që është ndërprerë pasi që deputetët e opozitës nuk kanë marr fare pjesë në votimin e projektligjeve.

Kuvendi sërish probleme me mungesë votash, propozohet pushimi veror

Seanca e Kuvendit të Kosovës vazhdojë me akuza e kundër-akuza në mes pozitës dhe opozitës për shkak të bojkotimit të votimit të projektligjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pasi nisi seanca, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e ripërseriti se koalicioni e ka obligim t’i ketë 61 vota, ndërsa, opozita mbetet për të votuar apo jo.

Kurse, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ia përmendi demarkacionin me Malin e Zi.

Veseli: Ia keni parë hajrin kryetarit

“I besoj deklaratës tonë sepse ia keni parë hajrin kryetarit të juaj duke e votuar demarkacionin pas dy viteve”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se problemet e brendshme të LDK-së, nuk mund t’i kamuflojnë duke i bartur në Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi: Sa vota i ka ky koalicion e keni parë

“Sa vota i ka ky koalicion e keni parë edhe javën e kaluar kur është kryer agjenda parlamentare, përkundër bojkotit të LDK-së, përkundër tentimeve për ta penguar punën e Kuvendit në vazhdimësi dhe për kundër tendencave për të mos votuar ligjet e rëndësishme për qytetarët e jo të koalicionit”, tha ai.

Sërish ka reaguar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, duke thënë se projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2017, do ta përkrahin, por votim për demarkacionin nuk ka pas në qeverisjen Mustafa..

Zemaj: S’ka pas votim për demarkacionin

“Votim për demarkacion nuk ka pas në qeverinë e kaluar asnjëherë në Kuvend të Kosovës, ky është paragjykim, por a di cili votim ka qenë, votim kur ju i keni bërë 87 numra për ta rrëzuar qeverinë tonë, atë e keni edhe deklarim tuajin”, tha ai.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se do të vazhdojnë ta thellojnë bojkotin deri në zgjedhje.

Hoti: Do ta thellojmë bojkotin

“E keni parë nga mëngjesi që ky kuvend nuk është funksional, 47-8 vota i ka pasur vazhdimisht, ne shprehem një vullnet politik për të kaluar marrëveshjet që kërkojnë dy të tretat por me sjelljet e juaja, me fryrjet që bëni deputetëve, grupeve parlamentare, ju e shkatërroni çfarëdo vullneti politik në Kuvend për të funksionuar normalisht në çështjet që kërkojnë dy të tretat. Ne do të vazhdojmë dhe do ta thellojmë bojkotin derisa vendi të shkojnë në zgjedhje, derisa ju ta kuptoni se nuk mund të shkoni përpara me këtë formë të qeverisjes”, tha Hoti.

Ndërsa, Kadri Veseli i tha Hotit se Kuvendi nuk është fontan dëshirash.

Veseli: Nuk e keni autoritetin as si grup parlamentar

“Shihet qartë tendenca për bojkot, duhet ta themi qartë, nuk e keni autoritetin as si grup parlamentar, ky është problem i juaji, nuk është problem i kryetarit të Kuvendit dhe është në vazhdimësi”, tha ai.

Pas kësaj Veseli hodhi në votim projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por nuk morri dy të tretat e deputetëve.

Sërish reagoi, Memli Krasniqi duke thënë se nuk është normale çdo pesë minuta partitë politike t’i ndërrojnë qëndrimet.

Krasniqi: Janë pjekur kushtet me shpallë pushimin veror

“Këtu janë pjekur kushtet me shpallë pushimin veror, këtu është ardhur koha me mbledhë mbledhjen e kryesisë dhe me vendos përfundimin e këtij sesioni,  unë këtë ia propozoj për një arsye, shumica dërmuese e ligjeve që kanë qenë në agjendë  kanë përfunduar javën e kaluar. Ligje tepër të rëndësishme si ky që LDK po e bojkoton e po ia humb qytetarëve të Kosovës 48 milionë euro nuk kalojnë tash mund të kalojnë në shtator”, tha Krasniqi.

Pas kësaj Veseli thirri mbledhjen e kryesisë për të marrë vendim nëse do të vazhdojnë seancat apo të shpallet pushimi veror.

Vazhdon seanca e Kuvendit, në rend dite është edhe debati për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e mbajtura më 19 qershor dhe 23 korrik.

Nga gjithsej 18 pika që figurojnë në rendin e ditës, Kuvendi pritet të debatojë edhe mbi dialogun me Serbinë.

Ndërpritet seanca, deputetët sërish nuk votojnë

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me futjen në rend dite të shqyrtimi e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes në mes Komisionit Evropian dhe Kosovës, për pjesëmarrjen e Kosovës për programin RASMUS+, programin e unionit për arsim, trajnime, rini dhe sport.

Po ashtu, u propozua që të hyjë në rend dite edhe projektligji në lexim të dytë për shërbimet postare, ku deputeti Dardan Sejdiu tha se ky projektligj i ndihmon Postës së Kosovës për daljen nga situata që aktualisht është. Megjithatë, nuk u përkrah nga deputetët, siç nuk është përkrahur edhe projektligji për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës.

Ndërsa, kur erdhi në pyetje votimi në lexim të dytë i projektligjit për Noterinë, nuk u votua edhe pse në sallë ishin 80 deputet.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dha pauzë prej 15 minutave, duke thirrur mbledhjen e kryesisë.

Veseli: Kemi bojkot në Kuvend

“83 deputet janë në sallë, kemi një situatë të bojkotit, të cilën realisht në rrethana të tilla unë duhet edhe një herë ta thërras kryesinë për shkak se nuk ka votim. Është e pa precedent më herët nuk ka pas bojkote të tilla por do të shkojmë në pauzë 15 minuta, pastaj vazhdojmë seancën“, tha ai.

Nis seanca e Kuvendit, në rend dite debati për dialogun me Serbinë 

Pas më shumë se gjysmë ore nga koha e paralajmëruar, Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet për seancën e radhës plenare.

Në seancën që pritej të nis nga ora 10:00 janë në rend dite 18 pika, e njëra ndër to është debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Më poshtë pikat e rendit të ditës:

Pikat e papërfunduar nga seancat plenare të mbajtura më 19 qershor dhe 23 korrik 2018:

Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të  Kosovës për vitin 2017,

Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-090 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 06/L-094 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-066 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-064 për Patentë Shoferi,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-067 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-068 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 2003/11 për Rrugë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-120,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-069 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-070 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-179 për Transportin Rrugor,

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-071 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-183 për Transportin Tokësor të Mallrave të Rrezikshme,

Debat parlamentar për dialogun me Serbinë,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-065 për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës,

Propozimi i grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Shqyrtimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,

Shqyrtimi i Raportit vjetor për vitin 2017 i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Drejtpërdrejt nga Seanca e Kuvendit

Sot me fillim nga ora 10:00 Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën plenare me pikat e papërfunduara nga seancat e mbajtura më 19 qershor dhe 23 korrik.

Nga gjithsej 18 pika që figurojnë në rendin e ditës, Kuvendi pritet të debatojë edhe mbi dialogun me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat