Kërkohet fuqizimi i ligjit për punë vullnetare

Aktuale

Kërkohet fuqizimi i ligjit për punë vullnetare

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 18:19
Foto nga konferenca

MKRS do të ndryshojë pjesën e kornizës ligjore për vitin 2019, në mënyrë që të gjitha programet e saj të përfshijë strategjinë, por edhe programet e realizuara nga Departamenti i Rinisë për mbështetje të projekteve të ndryshme rinore në të gjitha fushat.

Kjo është bërë e ditur nga vetë ministri Kujtim Gashi në një konferencë me temën “Rinia në ndërtimin e paqes dhe sigurisë” në Bibliotekën Kombëtare, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, me ç’rast bëri të ditur se tashmë kanë filluar procedurat për ndryshimin e ligjit për rininë.

Ai tha se po bëhen ndryshime në kornizën ligjore dhe ligjin për rininë për t’i mundësuar asaj pjesëmarrje më e madhe në vendimmarrje të shtetit.

Gashi: Do të ndryshohet korniza ligjore dhe programet për vitin 2019 

“MKRS duke e pasur gjithmonë në fokus rininë dhe gjitha problemet që kanë ndodh viteve të fundit, edhe problemet me të cilat ballafaqohen të rinjtë ka vendosë të ndryshojë pjesën e kornizës ligjore dhe programet për vitin 2019,  në mënyrë që të gjitha programet tona të përfshijë strategjinë, por edhe programet që realizohen nga departamenti i rinisë për mbështetje të projekteve të ndryshme rinore në të gjitha fushat. Jemi të interesuar që programet tona brenda ministrisë t’i përshtaten nevojave dhe kërkesave të rive në këtë fazë”, tha ai.

Ministri Gashi shfaqi shqetësimin edhe rreth shkuarjes së të rinjve në luftëra të huaja,  për çka tha se duhet krijuar mekanizma parandalues me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit të rinisë sonë. 

Gashi: Jemi të shqetësuar

“Të rinjtë tanë nuk janë ballafaquar me konflikte të armatosura në vende të ndryshme të botës, kurse sot kemi një realitet të ri. Ka të ri tanë që janë pjesë e luftërave, konflikteve pa qëllim, luftërave që nuk kanë motiv. Të rinjtë tanë ndoshta shpesh herë kanë ra pre e thirrjeve të ndryshme për këto luftëra dhe ne si Departamenti i rinisë në ministri jemi të shqetësuar. Edhe këtu duhet të vendosim mekanizma parandalues dhe në këtë kontest ne tashmë kemi bërë thirrje për projektet që kanë për qëllim vetëdijesimin e rinisë sonë, për parandalimin e rinisë sonë që mos të jenë pre e thirrjeve të ndryshme që ata të jenë pjesë e luftërave”, u shpreh ministri Gashi.

Presidentja e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, Lorela Marku, tha se të rinjtë në Shqipëri dhe ata në Kosovë kanë probleme të ndryshme, dhe se fakti që jemi një komb ka bërë që të harrojmë se jemi shtete të ndryshme.  Ajo ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes dyja vendeve për ta fuqizuar rolin e rinisë.

Marku: Politikat të përbashkëta për gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

“Fatkeqësisht për fakte dhe për arsye të jashtme dhe që nuk janë të varura as nga Shqipëria e as nga Kosova, historia dhe problematikat e mëdha që kanë hasur këto dy vende në 100 vitet e mëparshme ka bërë që paraardhësit tanë, politikanët që ishin problemet para nesh t’i zgjidhin problemet e tyre pa mbështetjen e njëri- tjetrit. Mirëpo, në këtë moment që jemi aktualisht kur rinia jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por në gjithë Ballkanin Perëndimor, janë një faktor shumë i rëndësishëm, sepse shikohet edhe nga institucionet evropiane si jo vetëm e ardhmja, por ndër faktorët elementarë dhe garantues në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme që këto politika që po hartohen dhe pritet të hartohen të jenë të përbashkëta jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Besmir Kokollari, drejtor i institutit “iCHAT”,  kërkoi nga ministri Gashi ta fuqizojë rolin e rinisë dhe ta zgjerojë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje. Sipas tij, Kosova ka shumë nevojë për Ligjin për Punë Vullnetare i cili do t’u mundësonte të rinjve kosovarë marrjen e përvojave jashtë vendit dhe sjelljen e tyre në Kosovë.

Kokollari: Ministri ta fuqizojë ligjin për punë vullnetare

“Sot publikisht dëshiroj në këtë ditë të rinisë të kërkoj nga ministri i MKRS-së për të fuqizuar rolin e rinisë dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së rinisë në vendimmarrje të kërkojë, ku është që është iniciuar pra të krijohet ligj për vullnetarizëm, ku jemi me këtë proceduar, sepse më 5 dhjetor të vitit 2017, sipas disa hulumtimeve është marrë kjo iniciativë nga kryeministri, mirëpo ende nuk e dimë ku është kjo punë”, tha Kokollari.

Ministri Gashi bëri të ditur se Ligji për Punë Vullnetare është duke u trajtuar nga Zyra e Kryeministrit. Ai shtoi se kanë dilema nëse ky ligj do t’i përfshijë vetëm të rinjtë apo të gjitha moshat.

Ndryshe, Dita Ndërkombëtare e Rinisë shënohet çdo vit më 12 gusht dhe synon promovimin e aktivitete për të rinjtë, ndërsa u aprovua me një rezolutë të posaçme nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1999.

Qëllimi i kësaj dite është të pranojë dhe njohë përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve në mbarë botë për përmirësimin e shoqërisë. Me rastin e Ditës ndërkombëtare të Rinisë, komuna të ndryshme në Kosovë kanë planifikuar aktivitete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat