Drita Hajdari i përgjigjet Blakajt për “Pronton”: Unë aktakuzën time e kam dërguar në gjykatë

Aktuale

Drita Hajdari i përgjigjet Blakajt për “Pronton”: Unë aktakuzën time e kam dërguar në gjykatë

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 15:30
Drita Hajdari

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ka demantuar ish-kolegun e saj të dorëhequr, se ka pasur presion nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, për të hetuar dhe ngritur aktakuzën në rastin “Pronto”. Në përgjigjen e saj për pretendimet e ish-prokurorit special, ajo thekson se aktakuzën e saj e ka dërguar në Gjykatë.

Prokurorja që para pesë muajsh ngriti aktakuzë ndaj 11 personave të dyshuar në aferën “Pronto”, Drita Hajdari mohon të ketë pasur ndonjë presion apo ndërhyrje në lëndën e saj nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. 

Hajdari tha se ka kryer punën e saj dhe e ka proceduar në gjykatë. 

“Unë e kam thënë timen, me vetë faktin që e kam dërguar aktakuzën dhe e kam kryer punën time”, tha të enjten prokurorja speciale. 

Ish-prokurori special, Elez Blakaj, në një letër të tij të publikuar në Facebook, pas largimit nga Kosova, ka akuzuar Kryeprokurorin Lumezi se kishte provuar ta frikësonte atë me dërgim në komisionin disiplinor në rast se nuk rishikon aktakuzën e rastit “Pronto”. Aktakuzë që në fakt e ka ngritur Drita Hajdari, e që Blakaj kishte qenë pjesë e ekipit të saj. 

Me këtë pretendim, ish-prokurori që po hetonte mashtrimet me lista të veteranëve, ka dalë pasi u bë e ditur dorëheqja e tij, dhe zhvendosja e tij në SHBA. I njëjti, thotë se këtë e bëri për shkak se ishte ndier i kërcënuar dhe kishte pasur presion edhe nga vetë shefat e tij që të mos e hetonte lëndën. 

Megjithatë, Blakaj edhe pse e kishte shkruar aktakuzën në të cilën akuzonte 11 të dyshuar për “veteranët e rrejshëm” atë nuk e dërgoi në Gjykatë. 

E, Drita Hajdari, duke përsëritur se nuk ka pasur presione në punën e saj në ngritjen e aktakuzën së saj e potencon pikërisht këtë fakt. 

“Jo. Jo, Unë aktakuzën e kam dërguar”, thotë ajo. 

Por Hajdari për asnjë moment nuk i komenton deklarimet e ish-kolegut të saj. 

“Kam vendosë fare mos me u prononcu për këtë çështje, dhe ju lutna për mirëkuptim”, tha Drita Hajdari.

Elez Blakaj në letrën e tij e ka përmendur Drita Hajdarin si një nga dëshmitaret e një takimi në të cilin pretendon se Kryeprokurori Aleksandër Lumezi i nevrikosur i ka kërkuar atij dhe tre prokurorëve tjerë që të rishikohet aktakuza “Pronto” e dërguar në gjykatë. 

“[...] për më shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përsëri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z. Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke ulëritur pse kemi ngritur aktakuzë, e po ashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte dërguar në gjykatë”, shkruan Blakaj në letrën e tij. 

Ndryshe, aktakuza “Pronto”, ndaj 11 personazheve të aferës së njohur të përgjimeve, u ngrit më 6 prill të këtij viti nga Prokuroria Speciale. 

Në mesin e të akuzuarve janë edhe dy ish-shefat e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti, si dhe një ministër qeveritar i po kësaj partie, Besim Beqaj. 

Nga ana tjetër, pas dorëheqjes së Elez Blakajt nga Prokuroria e Shtetit, aktakuza që thotë se e ka bërë gati, e që është publikuar edhe në media, e që nuk u dërgua nga ai në gjykatë, i është dhënë të plotësohet një prokurori tjetër dhe të ngrihet. 

Dorëheqja e Blakajt e më pas pretendimet e tij kanë nxitur debat në vend. Madje është pasur edhe me protestë të martën, në të cilën është kërkuar dorëheqja e Kryeprokurorit të Shtetit. 

Ish-prokurori special pas letrave të tij është quajtur "hajn i pulave" nga kryeministri Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat