Vetëvendosje në Vushtrri marshon kundër dhunës ndaj grave

Aktuale

Vetëvendosje në Vushtrri marshon kundër dhunës ndaj grave

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 13:57
Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ka mbajtur sot një marsh protestues kundër dhunës ndaj grave, në të cilin kanë marrë pjesë edhe krerë të kësaj komune- të cilët marshuan dorë për dore me gratë e tyre.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kanë dalë për të marshuar për të mbrojtur të drejtat e grave, si  dhe për të ngritur vetëdijen për rëndësinë e zbatimit të ligjit.

Tahiri: Nuk mund të sillemi të pavëmendshëm ndaj dhunës ndaj grave

"Sot, bashkë me drejtuesit e komunës i jemi bashkuar  një marshi vetëdijësues për të mbrojtur gruan dhe për të ngritur nivelin e vetëdijes për rëndësinë e zbatimit adekuat të ligjit në të gjitha rastet dhe sidomos kur kemi të bëjmë me dhunën në familje dhe dhunën ndaj gruas. Padyshim që gratë përbëjnë 50% të popullsisë sonë dhe ne nuk mund të sillemi të pavëmendshëm ndaj rasteve të dhunës ndaj grave", ka thënë Tahiri.

Kurse organizatorja e kësaj proteste, Fjolla Ujkani, anëtare e Vetëvendosjes, tha se sistemi keq qeverisës ka sjellë dukurinë e dhunës ndaj grave.

Ujkani: Gruan po e  vrasin, e policët thonë nuk po thërrasin

"Të drejtat e grave nuk janë favore që ju jepen sipas qejfeve të individëve të caktuar, të drejtat e grave lindin e duhet të jetojnë bashkë me to. Gruaja po shtypet, gruaja po dhunohet, gruaja po përdhunohet, gruan po e vrasin, e policët thonë nuk po thërrasin", ka thënë Ujkani.

Në marsh ka qenë i pranishëm edhe Nasuf Aliu, Kryesues i Kuvendit të Vushtrrisë, i cili tha se ka dalë sot bashkë me gruan e tij, që të ndikojnë sado pak në sensibilizimin e shoqërisë në lidhje me këtë dukuri.

Aliu tha se shpreson që marshe të tilla të organizohen edhe në komunat tjera të Kosovës.

Aliu: Institucionet të harmonizohen dhe të merret përgjegjësi

"Prandaj, bëj thirrje edhe unë, sot nga Vushtrria, që bashkërisht institucionet të harmonizohen dhe rastet që kanë ndodhë deri tani të merret përgjegjësi dhe rastet e mundshme të parandalohen para se të na ndodhin", ka thënë Aliu.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat