Thaçi: Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur - Bota Sot
Thaçi: Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur

Aktuale

E martë, 20 nëntor 2018

Thaçi: Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 12:51
Hashim Thaçi dhe Zoran Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, deklaroi sot në Shkup se Kosova dhe Maqedonia nuk kanë asnjë çështje të hapur, ndërkohë që shprehu mbështetjen e vendit të tij për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme në kuadër të dialogut në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai këto komente i bëri pas takimit që kishte me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast foli për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, të cilat do të ndihmonin në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtar.

Zaev: Marrëdhëniet bilaterale janë konstruktive

“Marrëdhëniet bilaterale konstruktive pozitive, bashkëpunimi në të gjitha ato që është arritur deri më tash, inkurajon që të bëjmë hapa tutje, që të hapim mundësi të reja në thellimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve tona reciproke. Mundësi të tilla ishte edhe hapja e vendkalimit të ri kufitar Belanovce-Staniçiq, si dhe infrastruktura e nevojshme për ndërlidhje sikurse ndërtimi i pjesës së autostradës Bllace-Shkup. Jam i bindur se kjo do të intensifikojë bashkëpunimin ekonomik dhe do të rrisë qarkullimin tregtar ndërmjet dy vendeve tona. Një hap i mirë përpara do të jetë vendosja e një komitetit të përzierë për bashkëpunim ekonomik dhe komitetet e tjera të përbashkëta për identifikimin e projekteve të përbashkëta, si dhe për ndërtimin e strategjisë së përbashkët”, ka thënë ai.

Duke folur rreth dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri Zaev tha se një zgjidhje e tillë më e mirë e qëndrueshme do të ishte ajo që sjellë paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zaev: Maqedonia përshëndet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

“Maqedonia përshëndet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit...  Maqedonia mbështet zgjidhjen pozitive për Kosovën, e cila do të avancojë situatën edhe për shqiptarët dhe serbët, por edhe qytetarët tjerë në Kosovë, zgjidhje që do të ketë paqe, prosperitet dhe stabilitet në Kosovë, Serbi dhe në rajonin tonë. Është e rëndësishme që liderët e rajonit të bashkohen në rrugën drejtë integrimit euro-atlantik, bashkëpunimit ekonomik”, deklaroi Zaev.

Ai tha se lidhja dhe bashkëpunimi energjetik do të jenë një ndër prioritetet më të rëndësishme të përbashkëta.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke theksuar edhe ndërtimin e autostradës e cila do të mundësojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave dhe do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Thaçi: Kosova dhe Maqedonia nuk e kanë asnjë çështje të hapur

“Kosova dhe Maqedonia nuk e kanë asnjë çështje të hapur, përkundrazi  janë dy shtete mike me një bashkëpunim të shkëlqyer në të gjitha sferat institucionale... Të dyja qeveritë, edhe të Kosovës dhe Maqedonisë po bëjnë hapa të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral në shumë sfera në reformat e rëndësishme në interes të vendeve tona... Ishte inkurajues fakti që dëgjova nga kryeministri Zaev dhe partnerët e tij që tash kur jemi në fazën përmbyllëse të autostradës për në Shkup, edhe Maqedonia ka marrë vendim që ky proces të fillojë nga Shkupi”, tha Thaçi.

Ai përshëndeti edhe arritjen e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë rreth emrit, duke thënë se e ardhmja e rajonit është në NATO dhe BE, andaj Kosova mbështet Maqedoninë që të lëvizës drejt hyrjes në NATO.

Thaçi: Qytetarët e Maqedonisë të participojnë në referendum

“Ftoj me autoritetin tim modest të gjithë njerëzit qytetarët e Maqedonisë që të participojnë në referendum dhe të votojnë pro. Maqedonia në NATO është më tepër paqe për gjithë rajonin dhe Kosovën”, tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi edhe rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast u shpreh i prerë se një marrëveshje e tillë do të jetë shumë e vështirë.

Thaçi: Nuk është e lehtë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare

“Nuk është e lehtë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare e paqes që nënkupton njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, por është rruga e vetme dialogu  që Kosova të lëvizë sa më shpejt drejt perspektivës euroatlantike...Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur, por jam optimist të kryejmë tash këtë marrëveshje, pasi nuk kemi të drejtë të mbajmë peng të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha ai.

Ai tha se nuk do të ketë marrëveshje që do të cenojë vendet tjera fqinje në rajon, por një marrëveshje e koordinuar me BE-në dhe miqtë tjerë ndërkombëtarë. /KosovaPress/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test