Politologu flet për “korrigjimin” dhe ndryshimin e kufijve më 1956 dhe 1959 - Bota Sot
Politologu flet për “korrigjimin” dhe ndryshimin e kufijve më 1956 dhe 1959

Aktuale

Politologu flet për “korrigjimin” dhe ndryshimin e kufijve më 1956 dhe 1959

Nga: N.Sh Më: 6 tetor 2018 Në ora: 20:30
Harta e Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi nuk heq dorë nga ideja e tij për “korrigjimin” e territoreve me Serbinë.

Ideja e Thaçit është që Serbisë të i merret Kosova Lindore, konkretisht Presheva, Medvegja dhe Bujanovci si një tërësi, dhe mos t’i jepet asgjë Serbisë.

Kjo ide është kritikuar në vazhdimësi nga pjesa e opozitës, madje edhe kryeminsitri Ramush Haradinaj ka thënë se duhet të ruhemi nga Thaçi. Fakt ky që as pozita nuk e përkrahë Thaçin.

E Thaçin për idenë e tij nuk po e përkrahë as PDK-ja, partia e cila është themeluar nga Hashim Thaçi.

Për këtë, politologu Mentor Tahiri për çështjen ndryshimit të kufijve të Kosovës, se a është reale të pritet se mund të ndodhë vërtetë ndryshimi i kufijve, thotë se këto janë deklarata konfuze.

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, tani kjo është diçka e re dhe vetë mënyra se si është plasuar, paraqet befasi.

Ai thotë se, shumëçka mund edhe të duket si blof, apo edhe si test që po i bëhet opinionit.

“E tëra është plasuar me deklarata konfuze, por asnjëherë nga qoftë pala kosovare, qoftë ajo serbe nuk kishte guxim që të dilet me propozime mbi të cilat do të flitet. Pra opinioni po mbingarkohet me deklarata, por asnjëherë nuk i është prezantuar një hartë konkrete e cila do të krijonte një qartësi se çfarë po nënkuptohet me ndryshimin e kufijve. Dëgjojmë shpeshherë deklarata krejtësisht pa substancë sikurse ajo lidhur me rikthimin e kufirit të vitit 1956. Opinionit duhet sqaruar se Kosova në vitet 50-të kishte vetëm statusin e “Rajonit Autonom” dhe nuk kishte kufij zyrtarë administrativ të precizuar. Tërësia territoriale e Kosovës do të rivendoset vetëm në vitin 1963 me statusin e “Krahinës Autonome”, për të marrë kuptim më të plotë politik me statusin e vitit 1974. Në anën tjetër, ndryshimet territoriale të viteve 50-të që kanë afektuar rrethet administrative të Gjilanit dhe Mitrovicës, nuk janë një veprim i vetëm”, potencon Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Politologu thekson se, në opinion në njëfarë mënyre është imponuar ideja se Kosova dhe Serbia kanë këmbyer territore në vitet 50-të, gjë që nuk korrespondon.

“Ndryshimi i kufirit në Anamoravë ka ndodhur me 1956, kurse ai zonën e Kopaonikut me 1959. Në vitin 1956, Rrethit të atëhershëm të Gjilanit i janë marrë fshatra, të cilat sot përbëjnë pjesën malore të Komunës së Preshevës. Kufiri i para vitit 1956, linte vendbanimet kryesore shqiptare të Luginës së Preshevës, jashtë Rrethit të Gjilanit, respektivisht Kosovës, përfshirë këtu edhe qytetet e Preshevës dhe Bujanocit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos gjymtojmë demografinë shqiptare atje. Një nga interesat strategjike të Serbisë në Luginën e Preshevës, është krijimi i një shumice etnike serbe në kuadër të Komunës së Bujanovcit, gjë që mund të arrihet nëse Kosovës i lihen disa fshatra kufitare. Natyrisht, e gjithë “loja” me kufijtë, mund kurrë të mos përjetësohet. Në plan gjeo-strategjik, Serbia ka interes të luajë në hartën ballkanike, për çështje që tejkalojnë interesat e saj në Kosovë. Çështja e kufijve, respektivisht ndryshimi i tyre, sot mund të jetë produktiv për Serbinë, për shkak se ky shtet ka aspiratat e tij në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Një ndryshim i mundshëm i kufijve të Kosovës, do të krijonte bazën politike për domino efekte të mëtutjeshme dhe do të zhbllokonte një proces të cilin komuniteti ndërkombëtar më parë e ka ndaluar dhe ndalur efektivisht”, thekson Tahiri.

Sipas tij, këtu ka një polarizim i cili nuk mund të kuptohet thjeshtë brenda veprimeve politike të sotme.

“Iniciativa për ndryshimin e kufijve, ka gjetur përkrahje pa rezervë në mesin e ideve politike-ideologjike të cilat Kosovën e shohin vetëm si një strukturë shtetërore tranzitore. Rikthimi te demarkimi etnik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shihet nga shumëkush si uverturë drejt krijimit të një Shteti të Bashkuar Shqiptar. Fatkeqësisht kjo sot korrespondon ashpër me interesa strategjike serbe. Në anën tjetër me anë të hapjes së çështjes së kufijve, Serbia në mënyrë kamufluese punon për shuarjen e Shtetit të Kosovës. Duhet përkujtuar gjithsesi, se krijimi i Shtetit të Kosovës shikuar nga këndvështrimi i historisë politike moderne, paraqet fitoren më të madhe shqiptare dhe njëkohësisht humbjen më të madhe serbe”, shton tutje ai.

Ai thekson se, duke hapur temën e kufijve, është hapur edhe tema e sovranitetit.

“Ky është një moment kritik, dhe mesazhet që komuniteti ndërkombëtar po merr nga bisedimet Kosovë – Serbi, sikur kanë ngrirë pozicionimet e qeverive të ndryshme deri në përfundimin e këtyre bisedimeve. Njohja ndërkombëtare e Kosovës ka humbur në dinamikën e saj, gjë që është e pritshme, ngase pritet marrëveshja finale. Kur u shpallë pavarësia e vendit me 2008, mesazhi që iu dha botës ishte i qartë dhe shtetet të cilat nuk kishin probleme të brendshme etnike apo qëndrime anti-amerikane, reaguan menjëherë. Por mesazhet që po jepen sot, duhet pranuar se nga shumë diplomaci botërore, perceptohen si një “standby mode” i shtetësisë së Kosovës”, pohon politologu.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...