Haradinaj: Organet kompetente po merren me rastin e kompanisë në Prizren

Aktuale

Haradinaj: Organet kompetente po merren me rastin e kompanisë në Prizren

Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 12:41
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se organet kompetente po merren me kompaninë “B.S.B Aviation” në Prizren, e cila është prezantuar se vjen nga Gjermania për të punësuar 2000 kosovarë në këtë shtet evropian.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk ka rrezik dhe se çdo lajm për migrim është i rrejshëm. Ai edhe njëherë ka thënë se deri në fund të vitit Kosova do të marrë një lajm të mirë për lëvizjen e lirë.

Dje në Prizren, kompania B.S.B Aviation ka bërë prezantimin e konkursit për 2000 vende punë për kosovarët që dëshirojnë të shkojnë në Gjermani.

Për vende të lira punë janë prezantuar pozitat si motër medicinale, shofer kamioni, pastrues, punëtor e aeroport dhe profesione të zanatit.  Sipas tyre aplikimet për punë do të fillojnë prej datës 5 nëntor.

Kjo vjen në kohën kritike kur Republika e Kosovës po pret vendimmarrje nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që do të votojnë për ose kundër liberalizimit të vizave për kosovarët.

Haradinaj ka thënë se ka dëgjuar dje për prezantimin e 2000 vendeve të punës dhe se organet po merren me këtë çështje, por është ende herët të thuhet diçka. Ai nuk ka mohuar se me këtë po merret edhe Agjencia Kosova e Inteligjencës.

Haradinaj: Organet kompetente po merren me rastin e kompanisë në Prizren

“E kam parë lajmin dje, organet kompetente janë në proces, por nuk po paragjykojmë diçka tash, se pse është e vështirë të thuhet menjëherë diçka, por organet kompetente janë në proces. Me siguri do të kemi ndonjë konfirmim se çka po ndodh.  Ne kemi sot në Kosovë dy delegacione gjermane, një delegacion janë të Bundestagut, komiteti i drejtësisë, janë të gjitha partive, dhe kanë takime me plot palë të Kosovës, me mësuar të vërteten për Kosovën, mendoj që kjo është një ngjarje e mirë se ata vetë do ta shohin kush është Kosova, edhe unë do t’i takoj, pastaj kemi Odën Ekonomike Gjermane, që quhet e lindjes, dhe kemi disa aktivitete të përbashkëta me Gizin gjerman për shkollim. Me këtë po dua të them se Berlini zyrtar, Gjermania zyrtare e njeh të vërtetën e Kosovës  dhe besoj që jemi duke e arritur momentin e guximit veprues. Mendoj që në fund të  këtij viti do të ketë plot të zgjedhur, si në Gjermani, si në vende të tjera, të BE-së, plot ministra të rendit që do ta përkrahin Kosovën në lëvizjen e lirë, pra nuk ka rrezik, çfarëdo lajmi apo paralajmërimi se do të ketë dyndje ose emigrim, është i rrejshëm”, tha ai. /G.Kadriaj/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat