Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, thotë se Lista Serbe është krijuar nga marrëveshja Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 kur iu vunë themelet 'Zajednicës'.
Ai thotë se janë të vetmit që asokohe e kanë kundërshtuar ketë me vendosmëri.
Aliu thekson se VV-ja nuk ua kërkon nënshkrimet dhe nuk bën pazar me deputetët e Listës Serbe.
Ja shkrimi i plotë i tij:
Lista Serbe është krijuar nga marrëveshja Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 kur iu vunë themelet 'Zajednicës'. Jemi i vetmi subjekt që asokohe e kundërshtuam këtë me vendosmëri.
Listës Serbe i prinë Radojçiq me të cilin ka marrëdhënie të mira kryeministri Haradinaj dhe Vuçiq me të cilin ka marrëdhënie të mira presidenti Thaçi. Këta bashkë sundojnë dhe e zhvatin Kosovën.
Ne nuk ua kërkojmë nënshkrimet dhe nuk bëjmë pazar me deputetët e Listës Serbe. Ne duam rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të reja në Kosovë. Nëse kjo qeveri sundon e vjedh bashkë me Listën Serbe, pse nuk bën që asnjë votë e tyre të kontribuojë në rrëzimin e qeverisë?!
Ne nuk besojmë që Lista Serbe voton për rrëzimin e qeverisë aktuale. Në verën e vitit 2017, vetë Vuçiqi thoshte më mirë Haradinaj se Kurti. Veçse largimi i këtij regjimi që vjedh buxhetin e pasuritë e Kosovës së brendshmi dhe fal shtetësi e territor të republikës sonë së jashtmi, gjithsesi imponohet si prioritet.