Kërkohet profilizim për prokurorët që të merren vetëm me raste të prokurimit publik

Aktuale

Kërkohet profilizim për prokurorët që të merren vetëm me raste të prokurimit publik

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 11:18
Pamje nga tryeza

(E plotësuar) - Prokurimi publik është njëri ndër institucionet që shpenzon më së shumti buxhetin publik, në mënyrë që të ketë sa më shumë transparencë dhe mos keqpërdorim të taksave të qytetarëve duhet të ketë rritje të efikasitetit, profilizim e trajnime për prokurorët dhe gjyqtarët që të merren vetëm me këto raste.

Kështu u tha në tryezën që Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar për të diskutuar për këtë institucion në mënyrë që të ketë më shumë integritet dhe transparencë.

Ndër problemet më të veçanta u thanë se ka qenë  mos kodifikimi i veprës penale, pasi për keqpërdorimet në prokurim publik, deri tash ajo nuk është konsideruar si  vepër e veçantë penale. Për këtë arsye, deri më tash kanë ndodhur keqpërdorime të mëdha.

Arton Demhasaj nga organizata, “Çohu” që monitoron prokurimin publik  kërkoi më shumë staf mbështetës për prokurorët dhe gjyqtarët .

Ai theksoi se gjatë këtyre viteve prokurimi publik nuk ka pas prioritet nga ana e sistemit të drejtësisë.

Demhasaj: Ne nuk kemi prokurorë që janë të profilizuar

“Ne nuk kemi prokurorë që janë të profilizuar dhe të trajnuar mirë që me i trajtu lëndët që janë në prokurim publik, për shkak që janë lëndë shumë komplekse dhe duhet të ketë trajnime për me i trajtu këto lëndë. Deri më tash nuk ka pasur një profilizim…egziston mungesa e stafit bindës për prokuror dhe për gjyqtar si lloj të ekspertëve që e njohin mirë fushën e prokurimit publik që munden me ju ndihmu prokurorëve në trajtimin e lëndëve në prokurim publik. Problem tjetër ka qenë mungesa e statistikave, deri sot nuk kemi statistika të veçanta asnjë prokurori dhe asnjë gjykatë që tregojnë cilat janë lëndët që ata i kanë trajtu”, tha, Demhasaj.

Ndërsa, Diana Metushi - Krasniqi  nga KDI, theksoi rekomandimet që duhet të ndërmarrë në këtë hap, që kryesisht janë për llogaridhënien, transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

Ajo tutje, shtoi se ka probleme në implementimin e ligjeve në praktik, pasi problemet po janë në manipulim të ofertave, dhënie të tenderëve miqve edhe dy pikat, që sipas saj janë të rëndësishme, ndikimit politik dhe mos ndëshkimi.

Metushi-Krasniqi: Ka shqetësime të vazhdueshme me fenomenin e dhënies së tenderëve miqve

“Kemi probleme në zbatimin e ligjeve, apo kthimin e ligjeve në praktikë, disa prej problemeve kyçe që janë identifikuar si prej raporteve ndërkombëtare dhe shoqërisë civile tregojnë shqetësime të vazhdueshme me fenomenin e dhënies së tenderëve miqve, familjarëve kemi probleme me mosrespektimin e ligjeve nga ana e zyrtarëve të prokurimit, manipulim të ofertave, menaxhim të dobët të kontratës dhe rregullimin e çmimeve pas dhënies së kontratave dhe presion politik”, është shprehur, Metushi-Krasniqi.

Menaxheri i këtij projekti, Arben Kelmendi, që është në kuadër te KDI-së, tha se kjo tryezë është në kuadër të aktiviteteve që kanë për t’u shënuar në muajin kundër korrupsionit.

Kelmendi: Qëllimi i këtij projekti ka qenë që të bëhet një hulumtim i një shkalle të ulët

“Qëllimi i këtij projekti ka qenë që të bëhet një hulumtim i një shkalle të ulët, jo një hulumtim i madh, përmes të cilit do të analizohen disa nga praktikat më të mira sa i përket ngritjes së nivelit të integritetit në prokurim publik”, tha ai.

Organi Shqyrtues i Prokurimit është njëri ndër institucionet që vazhdimisht është gjendur në probleme, ku individ brenda këtij institucioni janë akuzuar për favorizime të dhënies së tenderëve.

***

Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar një tryezë për të diskutuar mbi prokurimin publik si një institucion i veçantë që ka nevojë për integritet dhe transparencë.

Nga këtu u tha se prokurimit publik duhet t’i kushtohet vëmendje më të madhe, pasi është njëri ndër institucionet që shpenzon më shumë buxhetin.

Ndër problemet më të mëdha që po shfaqen, u tha se janë moskodifikimi i veprës penale, pasi duhet të ketë vepër të veçantë penale për prokurim publik dhe mos profilizimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që të merren vetëm me këto raste.  

Më shumë staf mbështetës për prokurorët dhe gjyqtarët kërkoi, Arton Demhasaj nga organizata, “Çohu” që monitoron prokurimin publik.

“Janë lëndë komplekse, duhet të trajnohen në mënyrë të veçantë, njëjtë si për gjyqtarët ashtu dhe për prokurorët. Gjithashtu, duhet staf mbështetës, ekspertë që i ndihmojnë për këto raste”, ka thënë Demhasaj.

Ndërsa, Diana Metushi Krasniqi, nga KDI theksoi rekomandimet që duhet të ndërmarrën në këtë hap, që kryesisht janë për llogaridhënien, transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Ajo tutje, shtoi se ka probleme të implementimit të ligjeve në praktikë, pasi problemet kryesisht janë në manipulim të ofertave, dhënie të tenderëve miqve edhe dy pikat, që sipas saj janë të rëndësishme , ndikimi publik e mos ndëshkimi.

Menaxheri i këtij projekti që është në kuadër te KDI-së, Arben Kelmendi tha se kjo tryezë është në kuadër të aktiviteteve që kanë për t’u shënuar në muajin kundër korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat