Znj. Harris në kundërpërgjigje të presidentit, pas fjalimit të së enjtes

Amerika

Znj. Harris në kundërpërgjigje të presidentit, pas fjalimit të së enjtes

Më: 27 gusht 2020 Në ora: 06:31
Kamala Harris

Kandidatja demokrate për nënpresidente Kamala Harris ka në plan që të enjten të mbajë një fjalim me kritika ndaj Presidentit Donald Trump lidhur me mënyrën se si e ka trajtuar ai pandeminë e koronavirusit, pak orë para se ai të pranojë emërimin e partisë së tij për një mandat të dytë.

Zonja Harris do të flasë për një “dështim të thellë në rolin udhëheqës” nga Presidenti Trump dhe do të nxjerrë në pah propozimet nga kandidati demokrat për president Joe Biden, për të vënë nën kontroll virusin dhe përballjen me rënien ekonomike, tha fushata e zotit Biden për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Ndërsa Presidenti ka në plan të mbajë në mbrëmje fjalimin nga lëndina e Shtëpisë së Bardhë, fjalimi nga Uashingtoni i do të jetë reagimi kryesor i demokratëve ndaj presidentit në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtar Republikan.

Zoti Biden ka bërë argumente të ngjashme për muaj me radhë lidhur me Presidentin Trump. Zonja Harris e vazhdoi këtë kritikë në dy raste, në fjalim e saj prezantues si e përzgjedhura e zotit Biden dhe kur ajo pranoi emërimin e partisë javën e shkuar gjatë Kuvendit Kombëtar Demokrat.

Por fjalët e senatores nga Kalifornia të enjten cilësohen si denoncimi i saj më i përqendruar ndaj zotit Trump qëkur ajo u zgjodh si kandidate për nënpresidente. Kritika e saj do të vërë në provë një argument që ish-prokurorja e provoi verën e kaluar kur kandidonte për Shtëpinë e Bardhë, për të dëshmuar se ajo është e gatshme të “proçedojë çështjen” kundër zotit Trump dhe akteve të tij.

Fjalimi i zonjës Harris vjen ndërsa ajo intensifikon aktivitetin si kandidate demokrate për nënpresidente. Ajo dhe zoti Biden kanë qëndruar përgjithësisht në heshtje që nga përfundimi i kuvendit virtual demokrat një javë më parë. Zonja Harris ka qënë në Uashington duke punuar virtualisht me stafin e fushatës së zotit Biden dhe të mërkurën ishin planifikuar tre fushata virtuale për mbledhje fondesh dhe një diskutim në interet mbi gratë afrikano-amerikane në Miçigan. Zoti Trump fitoi në atë shtet me një rezultat të ngushtë, pjesërisht sepse pjesëmarrja mes demokratëve afrikano-amerikanë ra ndjeshëm në krahasim me vitin 2012.

Në një artikull redaksional të botuar në gazetën Washington Post të mërkurën, ajo shtjelloi historinë e luftës së grave për të fituar të drejtën e votës, kryesisht gratë me ngjyrë, të cilave nuk iu dha e drejta madje as pas miratimit të amendamentit 19-të në vitin 1920.Kandidatët për nënpresident në disa raste shihen të ngarkuar me detyrën e sulmuesit gjatë fushatës elektorale, gjë që teorikisht e jep mundësi kandidatit për president të qëndrojë jashtë përplasjeve politike.

Por ky përkufizim është i mbivlerësuar në zgjedhje mes zotit Trump, i cili është shumë i aftë me në sulme djegëse e përçmuese kundër kritikëve, dhe zotit Biden, ish-nënpresidenti që ka vënë moralin dhe kompetencën si argument përballë kundërshtarit Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë. Vetë zoti Trump reagoi ndaj zotit Biden të enjten e kaluar para fjalimit për pranimin e emërimit nga Partia Demokrate. Nënjë veprim që shenjestronte drejtpërdrejt rivalin e tij demokrat, Presidenti Trump shkoi në Pensilvani për t’u përshëndetur me mbëshetësit pranë shtëpisë së djalërisë së zotit Biden, në Scranton.

Demokratët e shohin zonjën Harris si të aftë për të mobilizuar gratë afrikano-amerikane dhe gratë e tjera të pakicave. Por edhe si një lajmëtare të besueshme për indipendentët e bardhë dhe republikanët e moderuar të pakënaqur me zotin Trump, kryesisht gratë e bardha të arsimuara në universitete.

Zonja Harris ka një reputacion në Kapitol për pyetje të mprehta ndaj dëshmitarëve në seanca dëgjimore, një aftësi të paharrueshme kundër zotit Biden gjatë një debati partiak. Ajo u kritikua verën e shkuar, për disa nga kritikat e saj ndaj presidentit, që tingëllonin to praktikuara dhe jo të natyrshme, dhe në disa raste ajo e mbyllte fjalinë duke qeshur me nervozizëm.

“Ai më kujton personazhin nga filmi ‘Magjistari i Ozit’”, u shpreh ajo në tribunën e debatit në muajin shtator. “Kur hap siparin, në të vërtetë shikon një njeri të vogël”. Presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë janë përpjekur ta etiketojnë zonjën Harris si një ultra-liberale që po ndihmon të majtën ekstreme për të kontrolluar Partinë Demokrate dhe zotin Biden që anon më shumë nga qendra./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat