Kontenierët e transportit në ndihmë të të pastrehëve të Los Anxhelosit

Amerika

Kontenierët e transportit në ndihmë të të pastrehëve të Los Anxhelosit

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 21:34
Los Anxhelos

Vetëm në qytetin e Los Anxhelosit ka mbi 60,000 të pastrehë. Aktivistët për të drejtat e të pastrehëve po dalin tani me ide novatore për të gjetur forma strehimi për këtë grup në nevojë.

Parku Echo në Los Anxhelos duket më tepër si një kamp fushimi këto ditë, sesa një lagje banimi. Në park shihen tualete e dushe portative, shërbime për të ushqyer nevojtarët, madje edhe një bibliotekë e vogël.

“Shumë njerëz nevojtarë këtu nuk kanë as ushqim, as ujë. Prandaj ne vijmë për t’ua ofruar falas. Këto ditë kemi ndeshur shumë njerëz në nevojë,” thotë Angel, një ndër vullnetarët.

“Ndihmojmë njerëzit të karikojnë celularët, apo me nevoja të tjera sepse si rezultat i koronavirusit nuk gjejnë biznese të hapura ku të karikojnë pajisjet,” thotë Elijah, vullnetar në park.

Vullnetarët thonë se numrat e të pastrehëve në Los Anxhelos janë rritur ndjeshëm që pasi filloi pandemia.

“Kam shumë ankth, depresion, prandaj kam ardhur këtu. Ndodhem këtu sepse vetë nuk po arrij t’ia dal. Përpiqem, por nuk kam gjetur ende një mënyrë funksionimi,” thotë Kourtney, i cili është e pastrehë.

Për të ndihmuar njerëz si Kourtney, autoritetet lokale kanë në plan të ndërtojnë strehëza të përkohëshme në qendrën e ekspozitave në Los Anxhelos. Por disa organizata joqeveritare kanë dalë me ide origjinale, ndër to edhe shndërrimin e kontenierëve të transportit në njësi strehimi me kosto të ulët.

“Ndërtojmë njësi strehimi nga kontenierë të transportit detar. Dalin tetë njësi me nga katër dhoma, pesë prej të cilave strehojnë familje, ndërsa tre kanë nga katër individë, ku secili ka një dhomë,” thotë Michael Parks i cili është themelues i një shoqate bamirëse.

Ky projekt eksperimental ka kushtuar katër milionë dollarë dhe deri tani ka ofruar strehim për 30 vetë.

Punëtorët e ndërtimit thonë se konvertimi i kontenierëve është shumë i lehtë. Po ashtu, aplikimi, lejet për planimetrinë dhe dokumentacioni i nevojshëm miratohet më lehtë se sa për ndërtimin e një shtëpie të zakonshme.

“Në kushtet aktuale, një njësi banimi kushton afro 550 mijë dollarë dhe kërkon 3-5 vjet për ta realizuar projektin. Donim të gjenim një metodë më të shpejtë dhe me kosto më të ulët, por jo duke dëmtuar cilësinë,” thotë John Maceri, themelues i shoqatës “The People Concern”.

Për të jetuar në këto mjedise, të pastrehët përdorin rreth 30% të asistencës që marrin nga shteti, pjesa tjetër e kostos paguhet direkt nga autoritetet. Punonjës të ndihmës sociale ofrojnë ndihmë që banorët e rinj të stabilizohen në banesë.

Aktualisht në Los Anxhelos po krijohen një numër mjedisesh banimi me shpresën se së shpejti do të akomodojnë 500 të pastrehë. Kjo shifër është shumë e vogël krahasuar me 500 mijë persona në nevojë për strehim. Por të paktën është një hap në drejtimin e duhur./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat