Debati për reformat në polici; Çfarë ka ndryshuar që nga protestat në SHBA?

Amerika

Debati për reformat në polici; Çfarë ka ndryshuar që nga protestat në SHBA?

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 22:34
SHBA

Për muaj me radhë, mijëra amerikanë protestuan kundër brutalitetit të policisë dhe bënë thirrje për reforma policore. Sipas një studimi të fundit, tani mbështetja për lëvizjen Black Lives Matter ka rënë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee njofton.

Kanë kaluar muaj që nga demonstratat në të gjithë Shtetet e Bashkuara të nxitura nga vdekja e George Floyd-it, një afrikano-amerikan që vdiq në duart e policisë.

Scott Roberts me organizatën Color of Change, thotë se në një vend ku forcat e zbatimit të ligjit janë të decentralizuara, kanë ndodhur disa ndryshime në nivel lokal:

"Kemi parë aktivistë që zgjedhin prokurorë më të orientuar drejt reformave në të gjithë vendin".

Por mbështetja për lëvizjen Black Lives Matter ka rënë që nga qershori. Një studim i fundit i grupit Pew Research zbulon se 55% e të rriturve amerikanë shprehin një farë mbështetjeje për lëvizjen krahasuar me 67% në qershor, gjatë kulmit të protestave. Por mbështetja mes aziatikëve dhe amerikanëve me ngjyrë ka mbetur kryesisht e pandryshuar.

Rreth 87% e afrikano-amerikanëve thonë se e mbështesin lëvizjen.

"Prioritet për mua dhe për organizatën time është zvogëlimi i madhësisë dhe fushës së veprimit të policisë", thotë Scott Roberts.

Zoti Roberts thotë se policisë i kërkohet të bëjë gjëra që nuk janë pjesë e rolit të tyre, të tilla si përgjigjja ndaj thirrjeve për probleme të shëndetit mendor.

"Ne po kërkojmë të dërgohen profesionistë të trajnuar, njerëz që janë mësuar të merren me këtë problem", thotë zoti Roberts.

Por njerëzit që janë mendërisht të paqëndrueshëm mund të kthehen shpejt në të dhunshëm thotë Betsy Smith e Shoqatës Kombëtare të Policisë:

"Nëse ne dërgojmë fillimisht punonjësit e shëndetit mendor, ata mund të lëndohen".

Zonja Smith thotë se trajnimi i punonjësve të shëndetit mendor për t'u marrë me situata të dhunshme do të kërkonte fonde.

“Kam provuar situata të shkurtimit të buxhetit, kur gjërat nuk shkojnë siç duhet në komunitet dhe e dini çfarë shkurtohet fillimisht? Programet e policisë dhe së dyti fondet e trajnimit për ndihmë”, thotë Betsy Smith.

Një sondazh për departamentet policore amerikane, nga Forumi për Kërkimet policore, tregon se gati gjysma e të anketuarve presin shkurtim të buxheteve për këto departamente.

“Vende të mëdha si Nju Jorku do të humbasin një miliard dollarë", thotë Chuck Wexler i Forumit për Kërkimet Policore.

Policia e Los Anxhelesit humbi 150 milionë dollarë nga buxheti i saj.

Megjithë thirrjet për të shkurtuar fondet e policisë, një sondazh i organizatës Gallup në qershor dhe korrik, tregoi se 81% e amerikanëve me ngjyrë duan të njëjtën ose më shumë prani policore aty ku jetojnë.

"Nuk mund t'i heqësh fondet departamentit të policisë dhe të presësh që të ulet krimi", thotë Betsy Smith e Shoqatës Kombëtare të Policisë.

“Për mua përgjigja nuk do të ishte shkurtimi i fondeve, por investimi. // Është e nevojshme të ndryshojmë rrënjësisht trajnimin dhe ta mendojmë ndryshe policinë”, thotë Chuck Wexler i Forumit për Kërkimet Policore.

"Njerëzit me ngjyrë përbëjnë rreth 13% të popullsisë amerikane, dhe 52% e vrasjeve kryhen nga të rinj me ngjyrë."

“Për vite me radhë kemi parë nivele të larta dhune apo krimi në komunitete të caktuara. Dhe kemi kërkuar gjithmonë më shumë polici. Mendoj se në vend të saj tani duhet të kërkojmë më shumë burime në këto komunitete, por jo burime policore”, thotë Scott Roberts.

Zoti Roberts thotë se dhënia fund e dhunës fillon me zgjidhjen e çështjeve sociale duke dhënë fonde për të cilat kanë nevojë komunitetet:

"Disa nga gjërat ku duhet të investojmë janë themelore për të ndihmuar komunitetet të bëhen më të qëndrueshme, si edukimi, strehimi dhe kujdesi shëndetësor. Duhet të ndihmojmë njerëzit të mbijetojnë”, thotë Scott Roberts.

Ndryshimet që mund të sjellin këto protesta do të varen nga ajo që do të vendosin ligjvënësit ... kur të kthehen në seancë vitin e ardhshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat