Buzhuteri me mision terapik

Amerika

Buzhuteri me mision terapik

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 18:58
Ellie Clougherty dhe Kristen Malinowsk

Arti si terapi psikologjike ndihmon për të kapërcyer traumat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov na njeh me historinë e dy vajzave që e kanë kthyer traumën që përjetuan nga sulme seksuale në një biznes të suksesshëm që ndihmon viktima të tjera të këtyre sulmeve:

Ellie Clougherty dhe Kristen Malinowski, dy kushërira që u rritën në Virxhinian veriore, janë studente në universitetin Virginia Tech në degën e neurobiologjisë.

Në jetë ato kanë pasur shumë të përbashkëta, por ajo që i ka lidhur më shumë është trauma nga sulme seksuale gjatë viteve universitare.

Në përpjekje për të shëruar plagët e kësaj traume, ato filluan një linjë bizhuterish që e quajtën “Kamaria”.

“Kur fillova të krijoj bizhuteri, ishte sikur po sillja në jetë një ide. Nga diçka që nuk ekzistonte më parë në një objekt real,” tregon Ellie.

Dy kushërirat filluan të mësojnë se si të bëjnë bizhuteri në Nju Jork, por edhe jashtë Shteteve të Bashkuara për të mësuar të fshehtat e stileve të ndryshme të bizhuterive.

Një vit pas themelimit të kompanisë “Kamaria”, Ellie dhe Kristen krijuan një shoqatë jo-fitimprurëse…të quajtur “Rikthimi i Dinjitetit” që ofron ndihmë financiare për viktimat e sulmeve seksuale në universitete. 10% e fitimeve të Kamarias mbështesin misionin e shoqatës.

“Mund t’ju habisë fakti që na kanë kontaktuar aplikantë, të cilëve nuk u jep universiteti diplomën deri kur të paguajnë faturat e klinikës mjekësore dhe këto shpenzime janë rezultat direkt i një sulmi seksual,” thotë nëna e Ellie-t, Ann Clougherty, e cila drejton shoqatën.

Shumë prej bizhuterive të kompanisë nuk janë simetrike. Dy themelueset thonë se kjo bëhet për të simbolizuar se mungesa e përsosmërisë është në vetvete e bukur.

“Diçka plot kuptim dhe simbolizëm, megjithëse është objekt i vogël,” thotë Ellie.

“Një ndër krijimet më të njohura të kompanisë sonë është varësja flutur. Flutura personifikon transformimin, një mesazh me vlerë për viktimat e sulmeve seksuale,” thotë Kristen.

Dy vajzat besojnë se pandemia i ka nxitur njerëzit të tregohen më të ndjeshëm ndaj njëri-tjetrit. Ata thonë se në këto kohë, shumë njerëz kanë përjetuar izolim dhe vetmi, ashtu siç përjetojnë shumë viktima të dhunës seksuale.

“Kamaria do të thotë “drita e hënës” në gjuhën suahili. Ashtu si Hëna, megjithëse e rrethuar nga errësira, të gjithë reflektojmë dritë thjesht nga ekzistenca jonë,” thotë Ellie./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat