Kongresi fiton kohë për të arritur një kompromis për asistencën financiare

Amerika

Kongresi fiton kohë për të arritur një kompromis për asistencën financiare

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 07:09
Ilustrim

Ligjvënësit amerikanë kanë përpara një tjetër propozim për paketë ndihmash para se të skadojë afati për të arritur një marrëveshje në përgjigje të pasojave të pandemisë.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin të martën në mbrëmje prezantoi një propozim me vlerë prej 916 miliardë dollarësh që mbështetet nga Presidenti Donald Trump dhe republikanët në Kongres.

Por Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer hodhën poshtë si “të papranueshëm” propozimin e presidentit për të prerë fondet shtesë për sigurimet e papunësisë nga 180 miliardë dollarë në propozimin dypartiak në nën 40 miliardë dollarë në variantin e Shtëpisë së Bardhë.

Në një deklaratë, demokratët Pelosi dhe Schumer thanë se “megjithëse është përparim që udhëheqësi McConnell mbështet ofertën prej 916 miliardë dollarësh që bazohet në variantin dypalësh, propozimi i presidentit nuk duhet të lejohet të pengojë bisedimet dypartike që vazhdojnë në Kongres”.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell kritikoi udhëheqjen demokrate për kundërshtimin e tyre, duke e quajtur përgjigjen e tyre “absurde”.

Të martën, zoti McConnell propozoi që ligjvënësit të lënë mënjanë dy elementët më të kontestuar të paketës së ndihmave për të kapërcyer ngërçin disa javor lidhur me masat në përgjigje të dëmit ekonomik të pandemisë.

Republikanët kanë këmbëngulur që çdo paketë e re duhet të përfshijë mbrojtje nga paditë ligjore. Ata argumentojnë se kjo mbrojtje për bizneset, shkollat dhe kishat është e domosdoshme për të rihapur aktivitetin pa rrezik ndëshkimi ligjor. Ndërkaq demokratët këmbëngulin për një paketë prej 2.4 trilionë dollarësh që përfshin ndihma shumë më të mëdha për shtetet dhe qeverisjet lokale se sa propozimi republikan.

Zoti McConnell ka sugjeruar që këto dy elementë të diskutohen më vonë dhe të miratohet pjesa tjetër.

“E kemi të qartë se do të ballafaqohemi me një tjetër kërkesë sapo të fillojë viti tjetër,” tha ai në komentet për gazetarët të martën.

Por demokratët e refuzuan këtë ofertë, duke e quajtur ofendim për punonjësit e emergjencave të vijës së parë.

"Çdo guvernator dhe kryebashkiak në mbarë vendin ka luftuar për t'i mbajtur këta njerëz në punë, dhe McConnell po i saboton", tha zoti Schumer. "Kur një punonjës shkurtohet nga qeveria e shtetit apo ajo lokale, nuk dallon nga kur një punëtor shkurtohet nga një biznes i vogël".

Ligjvënësit i dhanë vetes më shumë kohë, nëpërmjet miratimit të një projektligji shpenzimesh afatshkurtra për ta shtrirë financimin për qeverinë amerikane me shtatë ditë të tjera përtej afatit të 11 dhjetorit. Me vetëm pak ditë të mbetura nga sesioni aktual, Kongresi pritet që të ruajë varësinë e çdo marrëveshjeje për asistencën për koronavirusin, me një zgjatje më afatgjatë të financimit për qeverinë për të përmbyllur punën në mënyrë që të kenë mundësinë të largohen nga Uashingtoni për pushimet dhe për t'ia filluar një sesioni të ri të Kongresit në fillimin e vitit tjetër.

Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden ka thënë se çdo asistencë e negociuar në dhjetor do të ishte një lloj parapagimi i një asistence më të madhe që do të kalojë Kongresi i ri kur ai të marrë detyrën më 20 janar.

Ligjvënësit janë në ngërç për sa i përket një raundi të ri asistence, ndërsa numri i të infektuarve të rinj nga koronavirusi është rritur me mbi 200 mijë çdo ditë gjatë javëve të fundit. Shumë qytete dhe shtete janë duke rikthyer kufizimet për të kontrolluar të ashtuquajturën valën e tretë të infektimeve, duke vënë në rrezik kështu përparimin ekonomik të nxitur pjesërisht nga miratimi dypartiak i ligjit CARES prej 3 trilionë dollarësh më herët këtë vit.

Disa dispozita kryesore të paketës së fundit të ndihmës skadojnë në fund të dhjetorit, duke përfshirë siguracionin e shtuar të papunësisë për 12 milionë njerëz, lehtësimin e huasë studentore dhe mbrojtjen nga dëbimi nga shtëpitë për rreth 40 milionë njerëz.

Në përpjekje për një paketë të dytë të madhe të masave të ndihmës, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate miratoi Ligjin HEROES me 3.3 trilionë dollarë në qershor. Por zoti McConnell dhe republikanët e tjerë të Kongresit kanë kritikuar propozimin e tanishëm të demokratëve për asistencën si tepër të shtrenjtë dhe në vend të kësaj u pozicionuan në favor të një pakete më të vogël, me ndihma të përqëndruara.

Një grup dypartiak i senatorëve propozoi një paketë të re prej 908 miliardë dollarësh në fonde asistence javën e kaluar. Disa ligjvënës republikanë i kanë kërkuar gjithashtu Presidentit Trump që të nënshkruajë vetëm legjislacionin që përfshin një raund të ri të pagesave stimuluese për amerikanët që ndodhen në vështirësi. Prej Ligjit CARES, shumë amerikanë morën çeqe deri në 1'200 dollarë për të kompensuar ndikimin e pagave të humbura për shkak të mbylljeve nga pandemia. Demokratët gjithashtu kanë shprehur mbështetje për këtë propozim./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat