Blinken, në seancë konfirmimi në Senat

Amerika

Blinken, në seancë konfirmimi në Senat

Më: 19 janar 2021 Në ora: 22:25
Antony Blinken

Antony Blinken, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Joe Biden për sekretar shteti, premtoi të martën se do të punojë për të rigjallëruar diplomacinë e dëmtuar amerikane dhe për të ndërtuar një front të bashkuar për t'iu kundërvënë sfidave që paraqesin Rusia, Kina dhe Irani.

Në seancën e tij të konfirmimit një ditë para se demokrati Biden të pasojë republikanin Donald Trump, mandati katërvjeçar i të cilit u karakterizua nga veprime të njëanshme amerikane që shpesh i shqetësoi aleatët, zoti Blinken tha se do të punonte me aleatët madje me përulësi.

Antony Blinken, 58 vjeç, një veteran i politikës së jashtme dhe i besuar i afërt i zotit Biden, gjithashtu shpjegoi se pse udhëheqja e SHBA është jetike për botën, ndërsa premtoi një politikë të jashtme që do të japë rezultate për popullin amerikan.

"Kur nuk jemi të angazhuar, kur nuk drejtojmë, atëherë ndodh një nga dy gjëra: ose ndonjë vend tjetër përpiqet të na zërë vendin, por ndoshta jo në një mënyrë që çon përpara interesat ose vlerat tona. Ose askush tjetër nuk e bën, dhe atëherë do të keni kaos," i tha Blinken Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit.

"Sido që të jetë, kjo nuk i shërben popullit amerikan," tha ai.

Zoti Blinken paraqitet për konfirmim vetëm dy javë pasi ndërtesa simbol e demokracisë amerikane – Kapitoli - u sulmua nga mijëra pjestarë të një turme pro-Trump që kërkonte të përmbyste fitoren e zotit Biden në zgjedhje.

Sulmi i pashembullt ndaj Kapitolit tronditi botën, dëmtoi më tej imazhin e Amerikës dhe u dha municion kundërshtarëve të SHBA.

Zoti Biden do të përballet me një botë shumë të ndryshme nga ajo që la katër vjet më parë si zëvendës i Presidentit Barack Obama. Kina ka marrë një rol më të madh global, duke filluar nga institucionet shumëpalëshe tek ndihma për zhvillimin në Afrikë dhe Amerikën Latine. Lidhjet midis Uashingtonit dhe Pekinit janë zhytur në pikën më të ulët në dekada, duke i bërë analistët t’i krahasojnë me Luftën e Ftohtë.

Deri tani nuk ka patur shenja se zoti Blinken do të përballet me vështirësi për t'u konfirmuar nga Senati./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat