Ekipi i sigurisë kombëtare të Presidentit Biden drejt plotësimit

Amerika

Ekipi i sigurisë kombëtare të Presidentit Biden drejt plotësimit

Më: 22 janar 2021 Në ora: 18:38
Lloyd Austin

Senati amerikan konfirmoi gjeneralin në pension Lloyd Austin si Sekretar të ri të Mbrojtjes, i cili bëhet afro-amerikani i parë në këtë detyrë.

Votimi përfundoi 93 me 2 në Senatin prej 100 anëtarësh, shumë më tepër sesa shumica e thjeshtë e kërkuar.

Menjëherë pas konfirmimit, zoti Austin bëri të premten një vizitë në Pentagon.

Të enjten, të dyja dhomat e Kongresit ranë dakord të hiqnin një pengesë ligjore duke bërë të mundur që zoti Austin, i cili ka shërbyer si ish-komandant i forcave amerikane në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, të emërohej në postin civil pas më pak se shtatë vitesh prej largimit të tij nga ushtria.

"Edhe kur pushteti kalon nga një administratë në tjetrën, puna për të garantuar sigurinë e vendit tonë nuk duhet të ndërpritet", u tha të enjten ligjvënësve, udhëheqës i ri i shumicës së Senatit, Chuck Schumer. Ai i nxiti kolegët e tij të veprojnë me shpejtësi për emërimet në postet kryesore në departamentet e Sigurisë Kombëtare, të Shtetit e të Thesarit.

"Kundërshtarët e huaj do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë periudhë tranzicioni dhe ne nuk mund të lejojmë që politikat ushtarake, ato të zbulimit e sigurisë kombëtare të pësojnë çrregullime nga vonesat në plotësimin e personelit", tha ai.

Senati pritet gjithashtu të vijojë me konfirmimin e kandidatëve të tjerë të rëndësishëm, si ish-ambasadori William Burns, I emëruar si drejtor i CIA-s.

Të enjten nisi detyrën një nga anëtarët kryesorë të ekipit të sigurisë kombëtare të presidentit Biden.

Drejtoresha e Zbulimit Kombëtar Avril Haines ishte emërimi i parë i presidentit që u konfirmua, duke nisur menjëherë detyrën. Ajo është gjithashtu gruaja e parë që drejton këtë agjenci. Zonja Haines u betua të enjten në mëngjes, më pak se 24 orë nga konfirmimi në Senat, me 84 vota pro e 10 kundër.

Menjëherë pas betimit, zonja Haines mori pjesë në takimin e përditshëm me presidentin, gjatë të cilit ai njihet me infomacionet e zbulimit. Ajo gjithashtu u përçoi një mesazh punonjësve të agjencive të zbulimit kombëtar, duke thënë ndër të tjera se puna e tyre "nuk ka qenë kurrë më jetike sesa tani".

Konfirmimi i shpejtë i zonjës Haines u vlerësua si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët, të cilët theksuan se vendi nuk ka kohë të presë.

"Jam i kënaqur që kolegët e mi të Senatit u bashkuan me mua në konfirmimin e shpejtë të drejtoreshës Haines", tha në një deklaratë para votimit përfundimtar senatori republikan Marco Rubio, numri dy i Komisionit të Zbulimit në Senat. "Armiqtë tanë nuk do të rrinë e presin që administrata e re të plotësojë postet kritike", shtoi ai.

Kryetari i këtij komisioni, senatori demokrat Mark Warner, vlerësoi gjithashtu përpjekjen dypartiake për të konfirmuar zonjën Haines, duke thënë se roli i saj si zyrtarja më e lartë e zbulimit është "i një rëndësie kritike".

"Pasi u minua qëllimisht për katër vjet, komuniteti i zbulimit meriton një udhëheqës të fortë, të konfirmuar nga Senati, për ta udhëhequr dhe ringjallur atë", tha zoti Warner.

Ekipi i Presidentit Biden për sigurisë kombëtare përballet me disa sfida të rëndësishme në vazhdim, që lidhen jo vetëm me pandeminë e koronavirusit, por edhe me përballjen me kundërshtarët e vendit.

Administrata e zotit Biden njoftoi të enjten se do të kërkojë zgjatjen me pesë vjet të traktatit me Rusinë mbi kontrollit e armëve, të quajtur “New Start”.

Traktati, i cili i kufizon Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë duke u përcaktuar të dislokojnë jo më shumë se 1,550 armë me mbushje bërthamore si dhe u vendos kufizime në dislokimin e sisteme të mbrotjes nga raketat, pritet të skadojë në muajin shkurt.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki konfirmoi gjithashtu të enjten se Presidenti Biden i ka kërkuar komunitetit të zbulimit të bëjë vlerësimet e veta mbi veprimet e dyshuara nga ana e Rusisë, përfshirë sulmin kibernetik ndaj kompanisë amerikane SolarWinds, ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, përdorimin e një agjenti kimik ndaj udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalni si dhe rreth dyshimeve se ka paguar fonde për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat