Politikat e administratës Biden për imigracionin

Amerika

Politikat e administratës Biden për imigracionin

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 19:14
Presidenti Joe Biden

Presidenti Joe Biden nënshkroi një seri aktesh presidenciale për imigracionin të martën, me synimin për të bashkuar fëmijët me prindërit, për të reformuar sistemin e azilit politik për imigrantët nga Amerika Qendrore dhe për të rishikuar politikat e pararendësit të tij për imigracionin. Aktivistët i përshëndetën këto masa, por thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë ndryshime edhe më të mëdha.

Në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, mijëra familje imigrante presin zgjidhje.

“Kanë pritur prej kaq kohësh, më shumë se një vit, për shkak të politikave që ishin në zbatim,” thotë murgesha Norma Pementel që punon me një shoqatë bamirëse.

Protokolli për Mbrojtjen e Imigrantëve, i vënë në zbatim gjatë administratës së Presidentit Trump, ktheu më shumë se 60,000 azil-kërkues në Meksikë, në pritje të vendimit të gjykatave amerikane.

Të martën, Presidenti Biden nënshkroi urdhra ekzekutivë për të rishikuar këtë program si dhe politika të tjera të administratës së mëparshme, përfshirë praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit.

“Do të punojmë për të zhbërë këtë turp që i vuri kombit administrata e mëparshme, kur në realitet, jo në mënyë figurative, i shkulën fëmijët nga krahët e prindërve në kufi,” tha presidenti.

Të paktën 5,500 fëmijë u shkëputën nga prindërit nga administrata e Presidentit Trump. Mbi 600 prej tyre ende presin të ribashkohen me familjen.

Analistë për imigracionin thonë se politikat e reja janë një hap pozitiv:

“Por ka rëndësi të theksojmë se ky është më tepër një mesazh se sa një veprim. Me këtë vihen në lëvizje një numër veprimesh që në fund mund të sjellin ndryshime domethënëse për imigrantët brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, por kjo do të dojë kohë,” thotë Sarah Pierce e Institutit të Politikave për Imigracionin.

Përveç akteve ekzekutive, në ditën e parë në detyrë, Presidenti Biden i çoi Kongresit një propozim që do të ofronte procesin ligjor për 11 imigrantë pa dokumente që të marrin në të ardhmen shtetësinë amerikane. Grupet konservatore reaguan me kritika:

“Ne e shohim si metodë për kufij të hapur që do të rrisë shtysën për një numër më të madh imigrantësh të paligjshëm në të ardhmen. Ndryshe nga strategjia e mëparshme për reforma të përgjithshme në imigracion, nuk po ofrohen plane për sigurinë kufitare,” thotë Noah Weinrich në organizatën “Heritage Action”.

Muri që ndan kufirin SHBA-Meksikë ishte ndër politikat qendrore të administratës së Presidentit Trump. Presidenti Biden ndali ndërtimin për dy muaj, ndërkohë që analizohen hapat e mëtejshme.

Zoti Biden emëroi Alejandro Mayorkas si sekretarin e Sigurisë Kombëtare, departamenti që ka nën përgjegjësi edhe Agjencinë e Imigracionit dhe Kufirit. Zoti Mayorkas, i cili rrjedh nga një familje hebraike nga Kuba, u konfirmua në post nga Senati të martën./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat