A mund të përdoret Amendamenti i 14-të për ta ndaluar Trumpin të mbajë përsëri postet publike?

Amerika

A mund të përdoret Amendamenti i 14-të për ta ndaluar Trumpin të mbajë përsëri postet publike?

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 16:23
SHBA

Me shanset që duket se janë në favor të ish-Presidentit Donald Trump në gjyqin që fillon javën tjetër në Senat, mes studiuesve ligjorë dhe disa anëtarëve të Kongresit po zhvillohet një debat nëse një dispozitë e Kushtetutës amerikane e papërdorur më parë, mund të përdoret tani për të ndaluar ish-presidentin të mbajë përsëri një post federal.

Dispozita është pjesë e amendamentit të 14 të Kushtetutës. Ratifikuar në vitin 1868, dispozita njihet më shumë për zgjerimin e të drejtave civile të qytetarëve amerikanë dhe garantimin e "mbrojtjes së barabartë" sipas ligjit. Por neni i tretë i kësaj dispozite, më pak i njohur, për të cilin ka debate të shumta, ndalon këdo që është përfshirë në " kryengritje apo rebelim" kundër Shteteve të Bashkuara ose që ka "ndihmuar" armiqtë të mbajë një post federal.

Ish Presidenti Trump përballet me një akuzë të vetme, atë të "nxitjes së kryengritjes", për rolin e tij në sulmin ndaj Kongresit më 6 Janar për të parandaluar çertifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden.

Me 45 senatorë republikanë që janë kundër zhvillimit të gjyqit, duke argumentuar se ai tashmë është larguar nga detyra, shanset që Senati ta shpallë atë fajtor janë të pakta. Kjo do t'i lërë demokratët me një mjet kushtetues të paprovuar më parë, Amendamentin e 14-të, për ndalimin e një një ish-presidenti të mbajë poste në të ardhmen.

Neni i tretë i këtij amendamenti i jep Kongresit fuqinë për të zbatuar dispozitat e tij përmes miratimit të një ligji. Bazuar në këtë, disa studiues ligjorë argumentojnë se Kongresi i kontrolluar nga demokratët mund të miratojë një ligj me shumicë të thjeshtë, për të ndaluar Trumpin që të mbajë një post publik në të ardhmen.

"Kongresi mund të miratojë menjëherë një ligj, që shpall çdo person, që është betuar për të mbrojtur Kushtetutën – që nga Trumpi e të tjerët - dhe ata që kanë nxitur, drejtuar apo marrë pjesë në sulmin e 6 janarit, ‘pra të përfshirë në kryengritje ose rebelim’ të skualifikohen nga mbajtja e një posti në të ardhmen”, shkruajnë Deepak Gupta, një ekspert i ligjit kushtetues dhe Brian Beutler, kryeredaktor i Crooked Media, në një artikull në gazetën New York Times muajin e kaluar.

Senatori Tim Kaine, një demokrat nga Virxhinia dhe kandidat demokrat për nënpresident në vitin 2016, është një nga disa ligjvënësit që propozojnë të përdoret amendamenti i 14-të për të parandaluar që Trumpi të kërkojë përsëri një post federal. Zoti Kaine pretendon se republikanët do të ishin më të prirur të mbështesnin zbatimin e Amendamentit të 14-të sesa të dënonin Trumpin për krime të rënda dhe shkelje.

"Ajo që dua të bëj është t'u ofroj kolegëve të mi një mundësi për të mbajtur përgjegjës ish presidentin," tha zoti Kaine në një konferencë shtypi në fund të muajit të kaluar.

Megjithatë, ka disa ndërlikime. Për shembull, në amendamentin e 14-të, nuk është e qartë se kush duhet të vendosë nëse një zyrtar qeveritar ka qenë i përfshirë në një aktivitet kryengritës dhe meriton të skualifikohet. Disa studiues argumentojnë se u mbetet gjykatave, jo Kongresit, të vendosin.

“Neni Tre nuk identifikon asnjë mekanizëm për të përcaktuar nëse një zyrtar ka qenë në të vërtetë i përfshirë në aktivitete kryengritëse që do të shkaktonin skualifikimin dhe si pasojë nuk është përdorur shumë dhe nuk është e qartë se çfarë lloj mekanizmi do të ishte kushtetues”, thotë Keith Whitington, profesor në Universitetin Princeton.

Për më tepër, shton zoti Whitington, duke lejuar që një shumicë e thjeshtë e Kongresit të vendosë një ndalim të përjetshëm ndaj një ish-presidenti, mund të hapësh kutinë e Pandorës. Kur të marrin kontrollin, republikanët mund të bëjnë të njëjtën gjë duke votuar për të skualifikuar demokratët për shprehjen e pikëpamjeve të tyre për protestat e verës së kaluar që u kthyen në trazira.

"Ka një rrezik të madh dhe të qartë politik që Kongresi të bëjë përcaktime të tilla me një shumicë vote dhe potencialisht të skualifikojë nga detyra anëtarët e partisë në pakicë me pak prova dhe përmes një procesi politik plotësisht partiak", thotë zoti Whitington përmes një email-i.

Disa demokratë të lartë nuk janë të bindur se amendamenti i 14-të është rruga e duhur.

Senatori Dick Durbin, demokrat nga Illinoi, u shpreh më 22 janar se nuk është i bindur, pasi sipas tij, amendamenti i 14 nuk është i qartë në përcaktimin nëse dikush ka marrë pjesë në një kryengritje"./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat