Pentagoni, përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet në takimin e ardhshëm të NATO-s

Amerika

Pentagoni, përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet në takimin e ardhshëm të NATO-s

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 00:06
Pentagon

Administrata e Presidentit Joe Biden do të shfrytëzojë mbledhjen e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s këtë javë për të filluar atë që pritet të jetë një përpjekje e gjatë për të rindërtuar besimin me aleatët evropianë të dëmtuar nga politika e jashtme e ish-presidentit Donald Trump, "Amerika e Para".

Zyrtarët amerikanë, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në kushte anonimiteti përpara takimit, se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin do të theksojë angazhimin dhe vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për aleancën trans-Atlantike pas armiqësisë së hapur të ish-presidentit Trump ndaj NATO-s.

Takimi i ministrave të mbrojtjes të NATO-s, që do të mbahet virtualisht në datat 17-18 shkurt, është takimi i parë i madh evropian që nga betimi i Presidentit Biden më 20 janar. Presidenti Biden do të mbajë një fjalim gjatë takimit virtual të sigurisë në Mynih më 19 Shkurt.

Pas viteve të kritikave publike ndaj vendeve anëtare të NATO-, si Gjermania,nga ish-presidenti Trump, për mos realizimin e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes, Pentagoni i Presidentit të tanishëm Biden, pa braktisur këto synime, do të përqendrohet në përparimin e bërë drejt forcimit të mbrojtjes kolektive të NATO-s, thanë zyrtarët.

"Besimi është diçka që nuk mund të ndërtohet brenda natës, ai kërkon kohë. Nuk arrihet me fjalë por edhe me veprim", tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti mbi objektivat e administratës për takimin e NATO-s.

Për të nënvizuar pikëpamjet e administratës Biden për NATO-n, Shtëpia e Bardhë madje ndërmori hapin e rrallë të publikimit të një video-mesazhi më 27 janar të bisedës së parë të presidentit të Shteteve të Bashkuara me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në të cilin u përdor fjala "e shenjtë" për të përshkruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen kolektive.

Megjithatë, zoti Biden mund të përballet me një betejë të vështirë në Evropë, e cila pa se si Uashingtoni nuk përmbushi angazhimet e tij nën adminisitratën e ish-presidentit Trump në disa fusha, duke përfshirë tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe marrëveshjen e Parisit për klimën.

Portretizimi i NATO-s nga zoti Trump si një organizatë në krizë, e goditur nga mungesa e angazhimit nga ana e disa vendeve, i ka lodhur shumë aleatë evropianë.

"Ka një rraskapitje në qarqet evropiane të sigurisë nga (ish-presidenti) Trump dhe paparashikueshmëria e tij", tha një diplomat evropian i NATO-s.

"Ne kemi kaluar katër vjet duke mos folur me njëri-tjetrin dhe bota është shumë e ndryshme nga katër vjet më parë. Biden duhet të bëjë një punë të madhe riparimi në Evropë," tha ai.

Ministri i Mbrojtjes i Portugalisë Joao Gomes Cravinho, duke nënvizuar lodhjen, i tha Parlamentit Evropian më 28 janar se vitet e zotit Trump ishin një "eksperiment ideologjik" që kishte "efekte shkatërruese për sa i përket besueshmërisë së Shteteve të Bashkuara dhe forcës së saj në nivel ndërkombëtar."

Protestat e dhunshme vdekjeprurëse të 6 janarit në Kapitolin e Shtetevettë Bashkuara, në të cilat mbështetësit e ish-presidentit Trump u përpoqën ta mbanin atë në pushtet, gjithashtu i kanë bërë dëm të madh imazhit global të Amerikës si një fener i demokracisë, thanë analistët politikë.

Aleatët e besueshëm?

Një nga sfidat më të mëdha të zotit Biden do të jetë të bindë aleatët se nuk do të ketë një kthim në një epokë tjetër të zotit Trump, ose diçka të ngjashme me të, mbase katër ose tetë vjet më vonë.

"Kjo është një frikë legjitime dhe një shqetësim legjitim", tha Rachel Rizzo, eksperte në Qendrën për një Siguri të Re Amerikane që përqendrohet tek siguria evropiane dhe NATO-ja.

Ajo shtoi se do të jetë një "proces i ngadaltë" për të provuar se Shtetet e Bashkuara mund të jenë një aleat i besueshëm.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkoi aq larg sa tha se Evropa ka nevojë për strategjinë e saj të mbrojtjes sovrane, të pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, aleatët e Evropës Lindore si Polonia, të shqetësuar nga Rusia, thonë se planet evropiane të mbrojtjes duhet të jenë vetëm elemente plotësuese të planeve të NATO-s, e jo ta zëvendësojnë atë.

Takimi i Ministrave të mbrojtjes të NATO-s pritet të diskutojë një sërë çështjesh, përfshirë përpjekjet për t'i dhënë fund luftës dy dekadëshe në Afganistan.

Në takim pritet të diskutohet edhe për synimin e të ashtuquajturit "objektivi 2 përqind", sipas të cilit anëtarët e NATO-s duhet të shpenzojnë 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen e tyre deri në 2024.

Gjermania, Italia dhe Spanja nuk do ta përmbushin këtë objektiv për vitin 2024, sipas parashikimeve fillestare të publikuara nga NATO-ja në tetor. Gjermania është zotuar të arrijë objektivin e shpenzimeve të NATO-s deri në vitin 2031 dhe dështimi i saj e zemëroi ish-presidentin Trump, i cili urdhëroi tërheqjen e rreth 12,000 trupave nga Gjermania.

I pyetur në lidhje me objektivat e shpenzimeve, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se ai priste që Sekretari i Mbrojtjes Austin të nënvizonte se shumë aleatë po përmbushnin objektivin dhe të tjerët "po përpiqeshin të realizonin atë".

"Unë mendoj se do të shihni një mesazh mbështetës nga sekretari për rëndësinë e NATO-s", tha zoti Kirby, admiral në pension i Marinës.

Një zyrtar tjetër amerikan tha se edhe me stresin ekonomik mbi buxhetet për shkak të COVID-19, ende ekziston pritshmëria se aleatët do të përmbushin objektivin e shpenzimit prej 2 përqind të PBB-së së tyre në fushën e mbrojtjes dhe se Uashingtoni ka të ngjarë të theksojë argumentin se kriza shëndetësore nuk duhet të lejohet të kthehet në një krizë sigurie. "Por ju do të dëgjoni një ton thelbësisht të ndryshëm dhe shumë më tepër theksimin e aftësive të ndryshme," tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.

"Kjo nuk do të instrumentalizohet si një armë politike për të goditur aleatët," tha ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat