Sfida të mëdha ndërsa Presidenti Biden riangazhohet me Iranin

Amerika

Sfida të mëdha ndërsa Presidenti Biden riangazhohet me Iranin

Më: 20 shkurt 2021 Në ora: 18:05
Kompleksi bërthamor në Arak, Iran

Presidenti Joe Biden ka njoftuar për një riangazhim me Teheranin dhe për rikthimin tek marrëveshja bërthamore e Iranit nga e cila administrata e ish-Presidentit Trump u tërhoq në vitin 2018. Kjo kritikohet nga Izraeli që thotë se kështu do t’i hapet rruga Iranit drejt një arsenali bërthamor.

Një milici e armatosur pro-Iranit mori përgjegjësinë për sulmet me raketa të kësaj jave në Rajonin Kurdistan të Irakut. Sulmi nxjerr në pah sfidat për administratën e Presidentit Biden, ndërsa njoftonte se do të bëhej përsëri pjesë e negociatave mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, e njohur gjithashtu si JCPOA.

"Ne jemi të përgatitur për t'u angazhuar përsëri në negociatat e vendeve P5 + 1 ((Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara)) mbi programin bërthamor të Iranit. Ne gjithashtu duhet të shqyrtojmë aktivitetet destabilizuese të Iranit në të gjithë Lindjen e Mesme", tha Presidenti Joe Biden.

Duke iu drejtuar Konferencës virtuale të Sigurisë në Mynih të premten, Presidenti Biden premtoi bashkëpunim të ngushtë me Evropën dhe partnerë të tjerë për Iranin - një lëvizje e mbështetur nga disa analistë.

"Rruga për të trajtuar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me aktivitetin e Iranit në rajon dhe për të trajtuar çështjen e programit bërthamor të Iranit në një periudhë afatgjatë kalon përmes rivendosjes së marrëveshjes bërthamore dhe rindërtimin e mirëbesimit tek Shtetet e Bashkuara në negociata", thotë Kelsey Davenport, nga Shoqata e Kontrollit të Armëve.

Në një deklaratë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se rikthimi tek marrëveshja bërthamore do t’i hapë rrugën Iranit drejt një arsenali bërthamor.

Irani ka filluar pasurimin e uraniumit deri në 20%, mbi kufirin prej 5% të marrëveshjes, por më pak se 90% të nivelit që duhet për armët bërthamore.

Teherani ka sinjalizuar gatishmërinë për t'u kthyer në negociata por kundërshton çdo ndryshim në marrëveshjen e negociuar nën administratën e ish-Presidentit Obama. Legjislacioni i kaluar së fundmi nga parlamenti i Iranit gjithashtu mund ta detyrojë Teheranin të forcojë programin e tij bërthamor nëse sanksionet amerikane nuk lehtësohen deri më 21 shkurt.

“Do të rregullohen takime; amerikanët do të gjejnë një mënyrë për t'u rikthyer në marrëveshje; iranianët do të marrin lehtësime sanksionesh, por jo gjithçka që ata dëshironin. Çështja këtu është se të gjithë përpiqen të ruajnë integritetin dhe të mos poshtërohen, askush nuk dëshiron të gabojë i pari. Por të gjithë duan të kthehen në një lloj piste diplomatike, duke filluar me atë që mund të menaxhohet dhe pastaj të vazhdojnë me objektiva të mëtejshme nëse ka besim të mjaftueshëm në proces", thotë Alex Vatanka, i programit për Iranin në Institutin e Lindjes së Mesme.

Administrata e Presidentit Biden gjithashtu ndërmori hapa në Kombet e Bashkuara për të rikthyer politikën e saj për Iranin në stadin që ishte para se administrata e ish-Presidentit Trump të tërhiqej nga marrëveshja në vitin 2018.

Por rikthimi tek diplomacia nuk do të jetë i lehtë. Ka akoma më shumë pyetje sesa përgjigje.

“A duhet të kthehemi drejt tek marrëveshja edhe pse së shpejti do të fillojë të skadojë? A kemi nevojë për një marrëveshje disi më të ashpër? A dëshiron me të vërtetë Presidenti Biden t'i kthehet politikës së Obamës në këtë datë të vonë kur praktikisht nuk ka asnjë republikan në Uashington që ta mbështesë atë?", thotë Michael O’Hanlon, nga Instituti Brookings.

Një sfidë tjetër kryesore ka të bëjë me ndërhyrjet e vazhdueshme rajonale të Teheranit, përfshirë në Jemen ku po zhvillon një luftë nëpërmjet palëve të treta kundër Arabisë Saudite. Më herët këtë muaj, administrata e Presidentit Biden njoftoi se po i jep fund mbështetjes për ofensivën ushtarake të udhëhequr nga sauditët, në kuadrin e rikthimit të Amerikës tek diplomacia./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat