Dhoma e Përfaqësuesve miraton legjislacionin për të drejtën e votës, megjithë kundërshtinë e republikanëve

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton legjislacionin për të drejtën e votës, megjithë kundërshtinë e republikanëve

Më: 4 mars 2021 Në ora: 16:32
Dhoma e Përfaqësuesve

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve miratuan një legjislacion me efekt të gjerë për proceset e votimit dhe etikën, megjithë kundërshtinë në unanimitet të republikanëve. Projektligji që do t’i paraqitet tashmë Senatit përfaqëson ndryshimet më të mëdha në legjislacionin elektoral në Shtetet e Bashkuara prej të paktën një gjenerate.

Rezoluta nr. 1 e Dhomës së Përfaqësuesve, e cila trajton pothuajse çdo aspekt të procesit elektoral, u miratua të mërkurën në mbrëmje me një votim në linja partiake, 220 – 210. Projektligji do të kufizojë ndryshimin e distrikteve zgjedhore, do të heqë pengesat ndaj procesit të votimit dhe do të sjellë transparencë për një sistem të paqartë financimi të fushatave elektorale që u lejon donatorëve të pasur të japin fonde në rrugë anonime për kauza politike.

Projektligji është një kundërpeshë e fortë ndaj kufizimeve për të drejtat e votimit që po shtohen nga legjislaturat e shteteve të kontrolluara nga republikanët, pas pretendimeve false të përsëritura nga ish-Presidenti Donald Trump për manipulimin e zgjedhjeve të 2020-tës. E megjithatë, janë të paqarta shanset e miratimit të këtij akti në Senatin e kontrolluar nga demokratët, ku shanset duken të vogla nëse nuk realizohen ndryshime në rregullat proceduriale që u lejojnë aktualisht republikanëve ta bllokojnë.

Pritshmëritë janë të jashtëzakonshme, pasi lidhen drejtpërsëdrejti me idenë themelore se çdo person ka të drejtën e votës, dhe mbart me vete potencialin për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve për disa vite të ardhshme. Është gjithashtu një test se sa janë të gatshëm të luftojnë Presidenti Biden dhe partia e tij për prioritetet e tyre dhe të njerëzve që i votojnë.

Projektligji “do t’i jepte fund largimit të votuesve që po shohim të debatohet pikërisht tani”, tha Nikema Williams, një ligjvënëse e re që përfaqëson distriktin në Xhorxhia që pati zgjedhur prej vitesh kampionin e të drejtës së votës, të ndjerin John Lewis. “Ky projektligj përfaqëson ‘Telashin e Mirë’ për të cilin ai luftoi gjatë gjithë jetës”, tha ajo.

Për republikanët megjithatë projektligji do të shërbente si një autorizim për ndërhyrje të padëshiruar federale në autoritetin e shteteve për të zhvilluar zgjedhjet – duke i ndihmuar përfundimisht demokratët me pjesëmarrje më të madhe të votuesve, në veçanti në radhët e minoriteteve.

“Demokratët duan të përdorin maxhorancën e tyre të ngushtë jo për të miratuar ligje që fitojnë besimin e votuesve, por për t’u siguruar se nuk do të humbasin më shumë vende në zgjedhjet e ardhshme”, tha të martën Ligjvënësi republikan Kevin McCarthy, kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo masë ka qenë një prioritet për demokratët që kur fituan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2018. Ajo u bë edhe më urgjente me pretendimet false të ish-Presidentit Trump që nxitën në janar sulmin vdekjeprurës ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara.

Gjykatat dhe madje edhe vetë prokurori i përgjithshëm gjatë presidencës Trump, William Barr, i deklaruan të pabaza pretendimet për manipulim në procesin zgjedhor. Por, të nxitur nga këto të pavërteta, ligjvënësit në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë propozuar mbi 200 projektligje në 43 shtete, të cilat do të kufizonin qasjen tek kutitë e votimit, sipas një përllogaritjeje të Qendrës Brennan për Drejtësi në Universitetin e Nju Jorkut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat