Brazili, vendi i dytë në botë për viktimat nga Covid, Presidenti: Boll u qatë!

Amerika

Brazili, vendi i dytë në botë për viktimat nga Covid, Presidenti: Boll u qatë!

Më: 5 mars 2021 Në ora: 15:26
Zhair Bolsonaro

Brazili është vendi i dytë në botë për numrin e viktimave nga Covid-19, dhe situata atje vazhdon të përkeqësohet.

1,699 vdekje të reja e rritën të enjten në 260 mijë bilancin e përgjithshëm të jetëve të humbura.

Mbi 10 milionë brazilianë e kanë luftuar sëmundjen, por shumë e akuzojnë presidentin Zhair Bolsonaro për përmasat që ka marrë pandemia.

Bolsonaroja vitin e kaluar u infektua edhe vetë nga virusi, por vazhdimisht i ka kundërshtuar masat kufizuese anti-Covid, duke e paraqitur sëmundjen infektive si një virozë që secili duhet ta kalojë.

“Ju këtu nuk qëndruat në shtëpi, nuk u fshehët si pulat. Ndaj boll me qarjet dhe ankesat e kota. Problemeve duhet t’u dalim përballë. Duhet t’i ruajmë të vjetrit, të sëmurët, të dobëtit, por ku do e çonim Brazilin sikur t’i ndalnim të gjitha?”

Në Brazil qarkullon një variant i veçantë i koronavirusit i cili ka aftësinë të infektojë edhe personat e shëruar nga koronavirusi i vjetër.

Vendi raportohet se është prapa me fushatën e vaksinimit.

Bolsonaroja tha se teksa presin për vaksinat, do të testojnë edhe një produkt të ri antikovid nga Izraeli i cili ndihmon në trajtimin e personave me Covid-19.

“Është një sprej që merret nga hunda dhe do kemi një marrëveshje që fazën e tretë të provave klinike ta kryejmë këtu në Brazil. Aplikohet për ata në gjendje serioze për jetën,” tha presidenti brazilian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat