Uashington, qendra islamike dhuron ushqime për nevojtarët

Amerika

Uashington, qendra islamike dhuron ushqime për nevojtarët

Më: 7 mars 2021 Në ora: 19:44
Uashington

Sipas organizatës jofitimprurëse “Feeding America”, një në gjashtë amerikanë nuk kanë qasje në ushqim të shëndetshëm dhe të sigurt. Zëri i Amerikës ishte në një nga qendrat e shpërndarjes së ushqimeve falas afër Uashingtonit.

Gjatë ketyre ditëve në SHBA radhët për të marrë ushqim falas janë të mëdha sepse shumë njerëz kanë humbur punën.

“Nisa të vij rregullisht para 3 ose 4 muajsh”, thotë një qytetar.

Qendra islamike Dar al-Hijra Ven e cila ndodhet rreth 16 kilometra nga Uashingtoni, ofron ushqim falas për nevojtarët. Për disa kjo është hera e parë… të tjerë vijnë prej vitesh për të ushqyer familjet e tyre.

Punonjësja sociale Nabila Om Salam thotë se pakot ushqimore përfshijnë produkte thelbësore.

“Çdo të enjte ndihmojmë më shumë se njëqind familje. Kemi një sistem ku regjistrojmë përfituesit varësisht nga bashkia”, thotë ajo.

Uria në Amerikë nuk është diçka e re. Por problemi është përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Feeding America, një organizatë joqeveritare për bamirësi, vlerëson se 1 në 6 amerikanë përballen me uri për shkak të pandemisë.

Dhuruesit e ushqimit në gjithë vendin po përballen me rritje të kërkesës nga amerikanët e papunë.

“Njerëzit mendojnë se ata që jetojnë në Amerikë nuk vuajnë nga uria. Por do të befasosheshit nga numri i tyre. Nëse ata duhet të zgjedhin mes të ushqyerit ose pagesës së qirasë, duhet të paguajnë qiranë“, thotë Janine Ali, vullnetare në qendrën islamike Dar Al Hijrah.

Qindra qendra fetare e sociale në Shtetet e Bashkuara, janë kthyer në pika të shpërndarjes së ushqimeve falas për nevojtarët.

Feeding America, që është rrjeti më i madh, drejton rreth 200 qendra të shpërndarjes së ushqimit falas në nivel vendi.

Këto qendra jo-qeveritare mbledhin disa tonë ushqime të dhuruara çdo vit, të cilat u shpërndahen nevojtarëve përmes vullnetarëve.

Naeem Baig nga qendra islamike “Dar Al-Hijrah” erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Pakistani para më shumë se 30 vitesh. Ai thotë se koncepti varfërisë në SHBA është ndryshe, por vuajtja është e njëjtë.

“Përkufizimi i varfërisë në Pakistan, Indi ose vende të tjera është kur nuk ke këpucë dhe nëse ke rroba të grisura. Por në Amerikë, të varfërit vijnë me makinë. Makina nuk është luks në këtë vend është domosdoshmëri”, thotë Imami Naeem Baig.

Vullnetarët thonë se shumica e nevojtarëve nuk janë të arsimuar dhe niveli i gjuhës angleze është i pamjaftueshëm për të gjetur një punë. Këta njerëz nuk e kanë patur kurrë jetën e lehtë, por COVID-19 theksoi edhe më shumë dallimin mes të pasurve dhe të varfërve në ekonominë më të mëdha të botës. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat