Koma dhe vdekja e bashkëshortit, trauma e COVID-it për një amerikane

Amerika

Koma dhe vdekja e bashkëshortit, trauma e COVID-it për një amerikane

Më: 10 mars 2021 Në ora: 18:22
Karen Nascembeni

Në fillim të marsit 2020, Karen Nascembeni dhe bashkëshorti i saj, Steven Richard, u sëmurën. Mjekët u thanë se ishte infeksion i sinozitit si dhe një virus i panjohur, u dhanë recetë për antibiotikë dhe u thanë të rrinin në shtëpi.

“Në atë kohë ishte krejt situatë kaotike,” thotë zonja Nascembeni, e cila më vonë u diagnostikua me COVID-19. “Askush nuk e dinte ç’ishte kjo gjë dhe sa serioze ishte. Por në realitet e ndjen se trupi nuk ushqehet sa duhet me oksigjen dhe fillon të humbasësh kontrollin”.

Bashkëshorti i saj, Steven ishte aq i pafuqishëm sa që morën një karrige nga dhoma e bukës që ai të ulej sepse nëse ulej në kolltukun e thellë e më të ulët, nuk kishte fuqi të ngrihej dot.

“Ishim letargjikë, në një formë që nuk e kisha provuar ndonjëherë, megjithëse kam kaluar më parë pneumoni të rëndë për disa muaj. Kjo ishte shumë më e rëndë,” thotë zonja Nascembeni. “Ishim si në kllapi pasi nuk ushqehej truri sa duhej me oksigjen,” kujton ajo.

Më në fund një mjek shprehu dyshime se mund të ishin me COVID dhe i këshilloi të shkonin në urgjencë. Ekipi mjekësor fillimisht u mor me bashkëshortin:

“Pritëm në makinë deri sa erdhën. E morën menjëherë. Kur po dilte nga makina, u kthye, më dërgoi një të puthur me dorë, më tha “të dua”. Ishte hera e fundit që e pashë,” tregon ajo.

Kjo ndodhi më 17 mars 2020, në festën e Shën Patrikut. Steven Richard vdiq një javë më pas në moshën 58-vjeçare. Ai ishte ndër të parët në shtetin Masaçusets që vdiste nga kjo sëmundje e panjohur që shumë shpejt do të dërrmonte vendin dhe botën. Babai i zotit Richard, 99-vjeçari Earl që kishte luftuar në Luftën II Botërore, vdiq nga COVID-i pesë ditë pas të birit. Po ashtu edhe një mik i çiftit.

Por zonja Nascembeni, menaxhere e një teatri në Masaçusets, nuk dinte çfarë po ndodhte. Ajo ishte vënë në koma pasi kishte pësuar keqësim. Kur doli nga koma pas 31 ditësh u ndesh me një botë të ndryshuar.

“Mësova se im shoq, vjehrri dhe një shok kishin vdekur. Kisha humbur punën pas teatri ishte mbyllur,” kujton zonja Nascembeni. “Praktikisht kisha humbur çdo gjë, thuajse kisha humbur edhe jetën”.

Ajo kaloi disa javë në rehabilitim dhe thuajse katër muaj të tjerë me familjen e motrës, deri sa u forcua dhe filloi të ecte përsëri.

Gjatë periudhës së përmirësimit, zonja Nascembeni kishte mbështetjen e familjes, miqve dhe ish-kolegëve në Teatrin Muzikor “North Shore” të cilët grumbulluan fonde dhe krijuan një program burse në nderim të bashkëshortit të saj, Steven Richard.

Image
Karen Nascembeni dhe Steven Richard.

“Steven ishte ndoshta njeriu më i mirë që kam takuar në jetë. Ai gjithmonë bënte për të tjerët. Ishte ndër ata njerëz që gjithmonë e duan fëmijët, e duan kafshët. Ishte me zemër të mrekullueshme. Shpirt njeriu. Ma do mendja do të shtangej nëse do ta shihte sa të prekur janë të gjithë nga vdekja e tij”.

Zoti Richard, i cili kishte një kompani ndërtimi, po bënte punime në banesën e çiftit para se të sëmurej. Zonja Nascembeni tregon se mbi 80 vetë erdhën për të përfunduar punimet që ajo të kthehej në banesë pas rikuperimit. Një vit më vonë, ata vazhdojnë t’i sjellin gatime.

Dashuria dhe përkujdesja e treguar e ndihmon zonjën Nascembeni të vazhdojë jetën, megjithë traumat që kaloi gjatë vitit të fundit.

“Në mes të këtij trishtimi e humbjesh tragjike, gjej bekimet që kam nga gjithë kjo dashuri e mbështetje,” thotë ajo. “Në atë periudhë u përqëndrova tek ndjenja e mirënjohjes, ajo më shpëtoi. Në vend që të thoja, “ah sikur të isha me Steven-in për 30 vjet të tjera” thoja “sa me fat paskam qenë që kalova 30 vjet me atë burrë të mrekullueshëm”.

Zonja Nascembeni po kalon tani probleme të paparashikuara si rezultat i COVID-it.

“Kur dola nga spitali, analizat e gjakut më dolën mirë. Katër, pesë muaj më pas, vura një monitorues të rrahjeve të zemrës, pasi zemra ka filluar të ketë rrahje shtesë. Po ashtu m’u rritën indekset e veshkave. Pra nuk i dihet si do të dalësh kur e kalon,” thotë ajo.

Gjatë sëmundjes, zonjës Nascembeni filluan t’i binin flokët. Ajo dikur punonte me orë të gjata në teatër, tani as që e mendon se mund të përballojë 12-14 orë punë në ditë. Ajo e kupton se njerëzit janë velur nga masat kufizuese, por shpreson se ata do të vazhdojnë të ruhen në mënyrë që të mos kalojnë kurrë atë që kaloi ajo.

“Kam parë njerëz në pavionin e COVID-it ku po kurohesha, të cilët kishin dëmtime të nervit të qafës, apo dëmtime të tjera nga mënyra si ishte mbajtur trupi gjatë trajtimit intensiv. Shumë njerëz vdesin ende çdo ditë. Nuk e do këtë sëmundje, pasi dëmet afatgjata që do të pësosh janë të frikshme,” thotë ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat