Biden në Pensilvani, thekson mbështetjen për bizneset e vogla

Amerika

Biden në Pensilvani, thekson mbështetjen për bizneset e vogla

Më: 17 mars 2021 Në ora: 06:23
Pamje nga vendi i ngjarjes

Presidenti Joe Biden të martën vizitoi një biznes parketesh në pronësi të pakicave në Filadelfia për të theksuar se si paketa e tij e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh mund të ndihmojë bizneset e vogla.

Vizita në kompaninë Smith Flooring, Inc. ishte ndalesa e parë e Presidentit Biden në turneun e tij, në mbështetje të paketës financiare për stimulimin e ekonomisë. Në këtë turne janë angazhuar edhe Nënpresidentja Kamala Harris dhe Zonja e parë Jill Biden.

"U deshën disa zëra të fortë për ta miratuar këtë", tha Presidenti Biden, duke i dhënë një goditje indirekte republikanëve gjatë vizitës së tij në dyqanin e vogël të mbështetur nga sindikatat që do të përfitojë nga paketa stimuluese. "Dhe ajo nuk u miratua me 100 vota. Miratimi ishte me rezultat të ngushtë”.

Ndërsa Biden ishte në Pensilvani për ndalesën e tij të parë të turneut "Ndihma po vjen", Nënpresidentja Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj Doug Emhoff riktheksuan rëndësinë e biznesit të vogël të martën në disa ndalesa në Kolorado.

Image

Harris dhe Emhoff zhvilluan një takim me pronarë të bizneseve të vogla në Denver, ku dëgjuan historinë e sipërmarrëses Lorena Cantarovici, e cila filloi të gatuante “empanada” në garazhin e saj pasi emigroi nga Argjentina, dhe se si ajo më pas hapi tre restorante “Maria Empanada”, por vitin e kaluar u detyrua të pushonte nga puna stafin e saj për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ajo tha se 80 përqind e ekipit të saj u rikthyen në punë përmes programeve të mëparshme të ndihmës, dhe se mund të duheshin dy vjet për të rikuperuar humbjet që kishte pësuar biznesi i saj .

Në Pensilvani, ndërkohë, Smith Flooring kishte 23 të punësuar para pandemisë, por aktualisht ka vetëm 12 punëtorë. Ky biznes po përdor kredinë e marrë nga paketa e ndihmës ekonomike për të mbajtur punëtorët dhe për të përmirësuar teknologjinë. Huamarrësit kanë të drejtë të kërkojnë faljen e huasë nëse plotësojnë disa kushte, duke përfshirë shpenzimin e të paktën 60 përqind të huasë për pagat e punonjësve.

Në bisedën e tij me pronarët e kompanisë Smith Floors, Biden pyeti në mënyrë të përsëritur "çfarë gjëra të tjera mund të bënte" administrata e tij për të ndihmuar bizneset e këtij lloji.

Ndërkohë në Uashington, Senati konfirmoi zonjën Isabel Guzman, të emëruar nga Presideni Biden për të udhëhequr Administratën e Bizneseve të Vogla. Ajo pritet të luajë një rol kryesor në zbatimin e ligjit të ndihmës ekonomike.

Presidenti Biden po përpiqet të tregojë se si paketa e ndihmës ekonomike do të sjellë ndryshime transformuese në vend duke përgjysmuar varfërinë e fëmijëve, duke nxitur nivele rekord të punësimit përmes ofrimit të ndihmës financiare për prindërit, shkollat, qeveritë lokale dhe ato shtetërore. Kjo është një kthesë e madhe krahasuar me ditët e para të administratës së Presidentit Biden, kur objektivat e vaksinimit ishin relativisht modeste dhe amerikanët u paralajmëruan se vendi mund të mos kthehej në normalitet deri në Krishtlindje.

Administrata e Presidentit Biden vlerëson se 400,000 biznese të vogla janë mbyllur për shkak të pandemisë dhe miliona të tjerë mezi po mbijetojnë. Paketa e tij e ndihmës përfshin një program prej 28 miliardë dollarësh për të mbështetur restorantet dhe dyqanet e tjera të kësaj kategorie. Programi gjithashtu përfshin një fond prej 15 miliardë dollarësh për grante të ndryshme.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat