Gjatë pandemisë, shumë banorë zhvendosen nga qytetet e mëdha

Amerika

Gjatë pandemisë, shumë banorë zhvendosen nga qytetet e mëdha

Më: 20 mars 2021 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Të dhënat e fundit nga kompanitë e transportit tregojnë se 20 qytetet më të mëdha në Shtetet e Bashkuara kanë pësuar rënie të numrit të popullsisë si rezultat i pandemisë. Materiali në vazhdim na njeh me një familje që u largua nga qyteti i Nju Jorkut dhe u vendos në një zonë rurale.

Ankram është një qytezë rurale me afro 1,500 banorë rreth 2 orë larg qytetit të Nju Jorkut. Ndoshta ky komunitet nuk tingëllon si destinacioni i dëshiruar për supermodelen ndërkombëtare, Saskia de Brauw, fotografin dhe kineastin holandez Vincent van de Wijngaard dhe vajzën katër vjeçare të çiftit, Luna.

“Bëhet jetë mjaft e mirë këtu. Gjen produkte shumë të mira bujqësore, kalohet shumë mirë,” thotë zoti van de Wijngaard.

Jeta këtu dallon dukshëm nga planet fillestare të çiftit që pak muaj më parë jetonte në një apartament në Bruklin të Nju Jorkut.

“Ishim shumë mirë. Ishim rregulluar në atë zonë. Vajza shkonte në shkollë afër shtëpisë. Kishim bërë miq, ishim në një lagje shumë të mirë,” thotë fotografi.

Çdo gjë ndryshoi kur shpërtheu pandemia.

“Mendonim se do të kalonte shpejt, por nuk ndodhi ashtu,” thotë fotografi.

Me përhapjen e virusit në Nju Jork, kjo familje u mbyll në apartament. Ata filluan të mendojnë të zhvendoseshin dhe blenë një shtëpi të vogël në një zonë rurale të shtetit megjithëse nuk patën rastin ta vizitonin personalisht.

“Vërejtëm një numër të konsiderueshëm njujorkezësh që të nxitur nga kjo situatë filluan të kërkojnë zona të qeta me kopësht përreth, ku nuk jetonin në apartamente të mbipopulluara. Pra zona ku të ndjeheshin më të mbrojtur,” thotë një agjent i pasurive të patundshme.

Çmimet e banesave në qytetin e Nju Jorkut kanë rënë 15-20% si rezultat i pandemisë, gjë që u ka dhënë mundësi personave me të ardhura më modeste të vendosen në disa nga lagjet më të kërkuara të qytetit.

“Qeratë kanë rëndë ndjeshëm, duke lehtësuar situatën e krijuar më parë nga çmimet shumë të larta,” thotë Sam Chandan i Universitetit të Nju Jorkut.

Të ardhurat mesatare në disa nga lagjet më të shtrenjta të qytetit kanë rënë nga 140,000 në 82,000 dollarë në vit. Ekonomistët thonë se banorët e rinj kanë të ardhura mesatare më pak se gjysma e të ardhurave të banorëve të mëparshëm.

Por të gjithë besojnë se sapo të vihet nën kontroll pandemia edhe ata që janë shpërngulur do të kthehen në Nju Jork dhe qytete të tjera, të joshur nga çmimet më të ulëta.

“Megjithëse ka pasur një zhvendosje në shpërndarjen e popullsisë, do të ishte ekzagjerim ta quanim eksod,” thotë zoti Chandan.

Agjentët e pronave të patundshme thonë se vaksinat kanë filluar të japin efekt në tregun e banesave:

“Kam vërejtur interesim të banorëve të mëparshëm për t’u rikthyer në Nju Jork. Po e shohin këtë periudhë si mundësi. Ata që më parë jetonin në banesa me qera, po blejnë prona me çmime shumë të mira,” thotë zoti Harrison.

Vincenti dhe Saskia nuk janë ende gati të braktisin jetën e qytezës së tyre, por e pranojnë se nuk kanë hequr dorë nga Bruklini.

"Për ne, qyteti ofron diçka të pazëvendësueshme. Tani që u mbushën gjashtë muaj që jetojmë larg, kemi filluar t’ia ndjejmë mungesën Nju Jorkut,” thotë zoti van de Wijngaard./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat