Kujdesi për migrantët e mitur në kufirin SHBA-Meksikë

Amerika

Kujdesi për migrantët e mitur në kufirin SHBA-Meksikë

Më: 29 mars 2021 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

Të miturit e pashoqëruar vazhdojnë të arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë, i vetmi grup migrantësh që administrata e Presidentit Biden po i lejon të qëndrojnë në vend ndërsa statusi i tyre shqyrtohet nga autoritetet e imigracionit. Fluksi i imigrantëve ka mbingarkuar sistemin e imigracionit që tani po ndeshet me vështirësi në respektimin e rregullave të rrepta të strehimin dhe trajtimit të fëmijëve.

Gjashtëmbëdhjetë vjeçari Jose Luis u ribashkua me prindërit e tij në Shtetet e Bashkuara pas një udhëtimi me aeroplan, autobus dhe në fund në këmbë për të kaluar kufirin SHBA-Meksikë.

Udhëtimi i tij filloi në Saraguro të Ekuadorit. Ashtu si dhjetëra mijëra të mitur të pashoqëruar, ai e bëri udhëtimin e rrezikshëm pa ndihmën ose mbrojtjen e askujt.

"Takimi me nënën dhe babanë ishte gjëja më e mirë që më ndodhi sot", thotë Jose Luis, migrant nga Ekuadori.

Ai ishte tre vjeç kur prindërit e tij u larguan nga Ekuadori për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, duke lënë Jose Luisin me gjyshërit e tij.

“Kur bashkoni një prind me një fëmijë, është ndjenja më e mirë që dikush mund të provojë. Sepse prindërit bëjnë gjithçka që t’ju mbështesin për të ecur përpara", thotë Jose Luis.

Të miturit e pashoqëruar janë kategoria e vetme e migrantëve që aktualisht lejohen të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara. Dhjetëra mijëra migrantë kanë kaluar kufirin SHBA-Meksikë që nga fillimi i vitit. Shumë prej tyre thonë se ata janë duke ikur nga krimi dhe dhuna dhe shpresojnë për një jetë më të sigurt dhe më të begatë në Shtetet e Bashkuara. Tani për tani, ata janë duke e mbingarkuar infrastrukturën federale të sistemimit të migrantëve.

“Kur fëmijët kalojnë kufirin, ata shpesh dorëzohen tek autoritetet kufitare. Rastet e tyre trajtohen nga patrulla kufitare, e cila kujdeset për sigurinë e tyre, dhe më pas çështja e tyre kalon tek Departamenti i Shëndetësisë", thotë drejtori rajonal i Institutit Shpresa Kufitare, Dylan Corbett.

Autoritetet amerikane i trajtojnë të miturit e pashoqëruar, disa prej tyre fëmijë të vegjël, ndryshe nga të rriturit ose familjet. Administrata e Presidentit Biden është ndeshur me vështirësi në zbatimin e një afati tre ditor të mbajtjes së tyre në objektet e paraburgimit për të rriturit.

"Në vitet 1990 kishte një padi gjyqësore, të njohur si padia Flores, që u ngrit në emër të fëmijëve të cilët mbaheshin me muaj në paraburgim nga autoritetet e imigracionit në të njëjtat objekte që përdoreshin për të rriturit. Padia u ngrit sepse fëmijët nuk duhet të mbahen në objekte që në thelb janë burgje", thotë avokatja e imigracionit Becky Wolozin.

Administrata e Presidentit Biden është përpjekur të zgjerojë mjediset e strehimit për të miturit, duke shqyrtuar madje edhe përdorimin e bazave ushtarake amerikane, qendrat e konferencave dhe hotelet si qendra emergjente të strehimit. Përveç kësaj, organizatat jo-fitimprurëse ofrojnë kujdes të përkohshëm tranzitor para lirimit të të miturve tek të afërmit në Shtetet e Bashkuara.

"Ne mund të sigurojmë këtë shërbim për fëmijët, sepse vërtet besojmë se çdo fëmijë meriton një vend të sigurt dhe të ngrohtë strehimi, të paktën derisa të mund të ribashkohen me familjet e tyre", thotë drejtorja e organizatës Bethany Christian Services, Tawnya Brown.

Disa amerikanë bëjnë punë vullnetare për t’u kujdesur për fëmijët migrantë, shumë prej të cilëve mbërrijnë në vend të traumatizuar. Zëri i Amerikës nuk po i tregon fytyrat e këtyre vullnetarëve për të mbrojtur identitetin e fëmijëve.

"Unë mësova se në fillim ata kanë nevojë për hapësirë, për t’u përshtatur me mjedisin e ri. Ata mund të analizojnë, kujtojnë dhe mund të merren me një numër të caktuar çështjesh në fillim", thotë Kim, e cila kujdeset për fëmijët migrantë.

"Ne i dërgojmë në dyqan për t’u blerë rroba sepse zakonisht, ata vijmë me një çantë me pak rroba dhe ndoshta disa gjëra të tjera thelbësore", thotë Jason, kujdestar i fëmijëve migrantë.

Duke cituar pandeminë e koronavirusit, administrata e ish-presidentit Trump pezulloi shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil. Administrata e Presidentit Biden mbajti në fuqi këtë politikë, por i përjashtoi të miturit.

“Patrulla Kufitare nuk mund të sistemojë të gjithë fëmijët sepse ajo nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Numri i fëmijëve që kalojnë 72 orë në objektet e patrullës kufitare është në rritje. Ata nuk qëndrojnë më shumë se 72 orë në këto objekte sepse Patrulla Kufitare nuk është e pajisur të merret me trajtimin e rasteve të fëmijëve", thotë drejtori i Institutit Shpresa Kufitare.

Ata që e kalojnë këtë sistem, si Jose Luis, shpresojnë për mundësi të reja.

“Ëndrra ime është të studioj dhe të bëhem një ekonomist i suksesshëm”, thotë ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat