Rastet me koronavirus dhe kriza politike tronditin Brazilin

Amerika

Rastet me koronavirus dhe kriza politike tronditin Brazilin

Më: 31 mars 2021 Në ora: 16:06
Pamje nga Rio De Zhaneiro në Brazil

Brazili regjistroi një tjetër rekord ditor të viktimave nga koronavirusi: 3,780.

Shifra e raportuar për 24 orët e fundit çon në afro 314,000 numrin e përgjithshëm të viktimave në këtë vend.

Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë regjistruar më shumë.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, akuzohet për keqmenaxhim të pandemisë, ndërsa në të kaluarën ka shprehur dyshime ndaj vaksinimit dhe ka mbështetur ilaçe të paprovuara për trajtim.

Ai ka kundërshtuar vazhdimisht edhe masat e bllokimit, duke argumentuar se dëmtimi i ekonomisë do të ishte më i keq se efektet e koronavirusit.

Koronavirusi ka prekur mbi 12.6 milionë njerëz në Brazil.

Në fillim të këtij muaji, Instituti Shëndetësor Publik “Fiocruz” ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor në Brazil është afër kolapsit.

Bolsonaro po ashtu është duke u përballur me krizën më të madhe në presidencë, pasi të gjithë krerët e ushtrisë, marinës dhe forcës ajrore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqja e paparë shihet si protestë ndaj përpjekjeve të Bolsonaros për të ushtruar kontroll mbi ushtrinë.

Ministri i Mbrojtjes është përplasur me Bolsonaron për çështjen e besnikërisë së forcave të armatosura.

Ministri ka këmbëngulur se ato duhet të veprojnë sipas Kushtetutës dhe jo të mbështesin personalisht presidentin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat