Administrata Biden mobilizohet për të siguruar mbështetje për projektet infrastrukturore

Amerika

Administrata Biden mobilizohet për të siguruar mbështetje për projektet infrastrukturore

Më: 1 prill 2021 Në ora: 23:18
Biden zhvilloi takimin e parë të kabinetit të tij të enjten

Presidenti Joe Biden zhvilloi takimin e parë të kabinetit të tij të enjten, duke caktuar pesë anëtarë të kabinetit për të udhëhequr përpjekjet e informimit të publikut mbi planin e tij infrastrukturor me vlerë 2 trilionë dollarë.

Presidenti, i cili e njoftoi të mërkurën planin masiv për të riparuar sistemin e vjetëruar të rrugëve e urave si dhe për të modernizuar infrastrukturën elektronike për lidhjen me internet, ka udhëzuar gjithashtu shefat e departamenteve të analizojnë rregulloret e brendshme për të garantuar që po respektohet parimi “blejmë produkte amerikane” në mënyrë që të forcohet tregu i punësimit në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Biden caktoi sekretarin e Transportit, Pete Buttigieg, shefen e departamentit të Energjetikës, Jennifer Granholm, sekretaren e Strehimit dhe Zhvillimit Urban, Marcia Fudge, kreun e Departamentit të Punësimit, Marty Walsh dhe sekretaren e Tregtisë, Gina Raimondo për të kryesuar përpjekjet për të rritur mbështetjen për planin.

Megjithëse ligjvënësit e mbështesin idenë e investimeve në infrastrukturë në shtetet dhe komunitetet e tyre, republikanë me peshë në Kongres e kanë kritikuar propozimin e presidentit pasi shoqërohet me rritje të konsiderueshme të taksës mbi korporatat për të mbuluar konston e planit. Republikanët argumentojnë se kjo rritje taksash do të sjellë rritjen e kostos së produkteve për konsumatorët.

Shtëpia e Bardhë tha se 25 zyrtarë morën pjesë në takimin e së enjtes. Ndër ta përfshihej Nënpresidentja Kamala Harris dhe shefat e departamenteve ndër të cilët të Mbrojtjes, Shtetit, Thesarit si dhe zyrtarë të lartë përfshirë kreun e shërbimeve të zbulimit.

Takimi nuk u zhvillua në sallën tradicionale të mbledhjeve të kabinetit, por në Dhomën Lindore në Shtëpinë e Bardhë ku hapësira më e gjerë lejonte distancim fizik në përputhje me protokollet për pandeminë. Të gjithë pjesëmarrësit kishin vënë maskë.

Përveç projekteve në infrastrukturë, zyrtarët po punojnë për të informuar publikun dhe për të rritur mbështetjen për paketën e ndihmave kundër koronavirusit me vlerë 1.9 trilionë dollarë, e cila u miratua muajin e kaluar nga Kongresi dhe është nënshkruar nga presidenti. Paketa përfshin paagesa direkte si ndihma për familjet dhe bizneset amerikane si dhe për qeverisjen lokale./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat