Birësimi i fëmijëve me varësi nga opioidet një përvojë sa e vështirë, aq edhe përmbushëse

Amerika

Birësimi i fëmijëve me varësi nga opioidet një përvojë sa e vështirë, aq edhe përmbushëse

Më: 4 prill 2021 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Carrie Brady ishte 40-vjeçe, beqare kur vendosi të birësonte një foshnje. Si rezultat i krizës së opioideve në Shtetet e Bashkuara, shanset e saj për të gjetur një foshnje për adoptim do të përmirësoheshin nëse pranonte foshnjen e një nëne që kishte përdorur drogë gjatë shtatzanisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Maxim Moskalkov njofton:

Carrie Brady u rrit në një familje besimtare katolike në pjesën qendrore të vendit. Në medje ajo kishte krijuar për veten imazhin e një jete tradicionale, e martuar me fëmijë. Por në realitet nuk doli ashtu.

“Kur isha në fund të të 30-tave, nuk kisha gjetur ende dikë me të cilin të kaloja jetën. Ndërkaq, unë vetë po ndjehesha gjithnjë e më mirë me jetën që bëja dhe nuk isha më e gatshme t’u përshtatesha kërkesave dhe pritjeve të të tjerëve ndaj meje,” thotë zonja Brady.

Zonja Brady vendosi të birësonte një fëmijë, por birësimi ndërkombëtar ishte i vështirë dhe në SHBA procesi zgjaste për vite me radhë.

Me përhapjen e varësisë nga opioidët në të gjithë Amerikën, u shtua edhe numri i foshnjeve të lindura nga nëna që kishin përdorur substanca të ndaluara. Zonja Brady thotë se rreth 70 për qind e foshnjeve në listat e agjencive të birësimit kishin lindur nga nëna të varura nga opioidet.

“... gjithnjë e më shumë po kuptoja situatën e fëmijëve që kanë lindur në këto lloje rrethanash dhe sfidat që hasin, mbështetjen që u nevojitet. Gjithnjë e më shumë po humbisja interesimin për të birësuar fëmijën e fqinjëve. Besoja se mund t'i jepja një shans në jetë një fëmije të lindur në rrethana të ndryshme".

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, në 2019, çdo 15 minuta lindte një foshnjë me pasojave të varësisë nga opioidet.

Sipas qendrës Pew, një numër rekord fëmijësh u birësuan në 2020.

Këta fëmijë përballen me probleme serioze shëndetësore pas lindjes dhe komplikime të mundshme afatgjata të zhvillimit.

Zonja Brady e mësoi këtë nga eksperienca kur foshnja që priste të birësonte vdiq pak pas lindjes. Kjo nuk e ndali dëshirën e saj për një fëmijë:

"… Kur Carry vendosi të fillonte përsëri procesin, ne e ndjemë të nevojshme t’i gjindeshim pranë për të garantuar që diçka e tillë të mos ndodhte më" thotë shoqja e saj, Rosy Khalife.

Pasi punoi me një agjenci adoptimesh për dy muaj, zonja Brady u njoh me një nënë të varur nga metadoni, e cila kishte vendosur ta jepte fëmijën e saj për birësim. Të dy gratë krijuan një marrëdhënie të ngrohtë dhe zonja Brady adoptoi djalin e saj, të cilit i vuri emrin Grayson.

"Ai filloi të shfaqte simptoma brenda rreth 24 orësh, pra shumë shpejt. Problemi shfaqej me dridhje shumë të rënda që e zgjonin nga gjumi. Shkonin tek urgjenca e pediatrisë. Një ditë ai nuk fjeti aspak për 24 orë. Qante me një zë të mprehtë sikur ishte me dhimbje të forta,” tregon nëna.

Foshnja kishte simptoma për dy muaj. Sot Grayson është një fëmijë i shëndetshëm dy vjeç.

“Më pëlqen shumë të dal me të, pasi njerëzit më thonë: sa fëmijë i lumtur. Qeshim me shoqet sepse ai rrëzohet por nuk qan kurrë, ngrihet vetë në këmbë. Më duket sikur ka një këndvështrim unik për jetën, sikur thotë: e dini ju çfarë kam kaluar unë në tre muajt e parë të jetës? Kjo s’është gjë fare,” thotë zonja Brady.

Zonja Brady thotë se Grayson tashmë ka kaluar një nga provat më të vështira që mund të ndeshë një njeri në jetë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat