​Mori të dyja dozat e vaksinës Sputnik V, infektohet Presidenti argjentinas

Amerika

​Mori të dyja dozat e vaksinës Sputnik V, infektohet Presidenti argjentinas

Më: 5 prill 2021 Në ora: 20:52
Alberto Fernandez

Presidenti i Argjentinës ka dalë pozitiv me Covid-19, pavarësisht se ka marrë të dyja dozat e vaksinës Sputnik V në janar dhe në shkurt.

Alberto Fernandez, 62 vjeç rezultoi pozitiv të premten më 2 prill.

Fernandez tha: ‘Unë tashmë jam i izoluar, duke respektuar protokollin aktual dhe duke ndjekur udhëzimet e mjekut tim personal.”

‘Unë kam kontaktuar njerëzit që kam takuar në 48 orët e fundit për të vlerësuar nëse ata kanë simptoma.”

Ekipi mjekësor i Presidentit tha se ai ishte ‘i qëndrueshëm, asimptomatik, me parametra brenda kufijve normalë’.

Fernandez ka marrë të dyja dozat e vaksinës Sputnik, njëra në janar dhe e dyta në shkurt.

Si reagim ndaj lajmit, Instituti Gamaleya i Rusisë, i cili zhvilloi vaksinën Sputnik V, përsëriti efektivitetin e lartë të vaksinës duke cituar të dhëna kërkimore të botuara në revistën mjekësore The Lancet në shkurt.

Llogaria zyrtare e Sputnik V në Twitter tha: ”Ne jemi të trishtuar kur e dëgjojmë këtë. Sputnik V është 91,6 % efektiv kundër infeksionit dhe 100 % efektiv kundër rasteve të rënda.“

Mbetet e paqartë se sa efektive janë vaksinat Covid-19 në parandalimin e infektimit të personave të vaksinuar.

Argjentina ishte vendi i parë në Amerikën e Jugut që përdori vaksinën Sputnik V në dhjetor dhe ka porositur gati 25 milion doza.

Deri më sot, Argjentina ka pasur mbi 2,383,000 raste të konfirmuara Covid-19 dhe 56,106 vdekje.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat