Nju Jork: Shtohen infeksionet dhe shtrimet në spital

Amerika

Nju Jork: Shtohen infeksionet dhe shtrimet në spital

Më: 7 prill 2021 Në ora: 18:58
Në një nga pavionet e urgjencës së spitaleve të Nju Jorkut

Shteti i Nju Jorkut, dikur epiqendra e pandemisë COVID-19, ndryshoi rregullat kualifikuese të banorëve për vaksinën COVID-19, duke u mundësuar imunizimin të gjithë qytetarëve mbi moshën 16 vjeçare. Ekspertët e shëndetit thonë se kjo është mënyra më efikase e parandalimit të përhapjes së infeksioneve dhe varianteve të reja të COVID-19. Ndryshe nga të dhënat e fillimit të vitit, tani në spitalet e Nju Jorkut dominojnë të rinjtë.

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 mund të ndalet nëse çdo qytetar vaksinohet dhe respekton masat, thotë një profesore e epidemiologjisë në Fakultetin e Shëndetit Publik, Maiman, në Universitetin Columbia.

“Arsyeja e përhapjes së varianteve ose e dominimit të këtyre varianteve mes llojeve të tjera të virusit është kryesisht rezultat i faktit se ne kemi vaksinuar në përgjithësi individë të moshuar”, thotë Dr. Wafaa El-Sadr.

Që nga mesi i marsit, është shtuar numri i rasteve të reja me COVID-19 dhe i shtrimeve në spital.

Sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetit Publik në Nju jork, të rinjtë dominojnë shtrimet në spital nga COVID-19. Të dielën shumica e 1 mijë e 146 pacientëve ishin të moshave 20 deri 54 vjeç, rritje e shtrimeve në spital prej 16 për qind nga fillimi i marsit kur kishte vetëm 986.

Rreth gjysma e pacientëve me COVID-19 në spitalet e Nju Jorkut janë nën moshën 65 vjeçare, ndryshe nga janari dhe shkurti, kur kjo grupmoshë përbënte një të tretën e pacientëve.

Banorët e Nju Jorkut të moshës 20 deri 44 vjeç përbëjnë 13 për qind të pacientëve të shtrirë në spital për COVID-19 në nivel shteti, rritje prej 7 për qind krahasuar me fillimin e janarit.

“Ne duhet të punojmë në dy drejtime. E para është rritja e shpejtë e vaksinimeve dhe e dyta parandalimi i transmetimit nga një person tek tjetri”, tha zonja El-Sadr.

Që nga e marta, njujorkezët mbi moshën 16 vjeçare mund të regjistrohen për vaksinat kundër COVID-19. Zgjerimi i mundësive për vaksinim vjen ndërsa shteti kërkon të imunizojë sa më shumë njerëz që është e mundur.

Zyrtarët shëndetësorë në shtetin e Nju Jorkut shpresojnë se shtimi i vaksinimeve do të ndihmojë uljen e infeksioneve dhe shtrimeve në spital, sidomos të të rinjëve.

“Vetëm përmes transmetimit të virusit nga një person tek tjetri mundësohet bartja e këtyre varianteve, por gjithashtu lejohet krijimi i varianteve të reja”, tha Dr. El-Sadr.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, deri të hënën një në pesë banorë të Nju Jorkut janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Pak më shumë se një e treta e banorëve të shtetit kanë marrë njërën dozë të vaksinës.

Numri i përgjithshëm i pacientëve të shtrirë në spital në Nju Jork është 4 mijë e 400, rënie e ndjeshme krahasuar me 8 mijë e 800 të shtruar në spitale në fillim të janarit.

Zyrtarë të Departamentit të Shëndetësisë thonë se rregullat e reja të vaksinimit shtojnë 1.7 milionë njerëz në listën e njujorkezëve të kualifikuar nga 15.9 milionë individë sa janë në total./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat