Dështojnë përpjekjet për të krijuar sindikatë në një degë të kompanisë Amazon në Alabama

Amerika

Dështojnë përpjekjet për të krijuar sindikatë në një degë të kompanisë Amazon në Alabama

Më: 10 prill 2021 Në ora: 00:18
Amazon

Punëtorët e një pike magazinimi të kompanisë "Amazon" e cila ndodhet në Bessemer të Alabamës i dhanë gjigandit të shitjeve me pakicë në internet një fitore vendimtare duke votuar kundër formimit të një sindikate. Vendimi duket se ka frenuar përpjekjet e aktivistëve mbi drejtat e fuqisë punëtore për të ndërmarrë përpjekje të ngjashme në të gjithë kompaninë e më gjerë.

Pas disa muajsh fushate agresive nga të dyja palët, 1,798 punëtorët e kësaj magazine refuzuan krijimin e një sindikate ndërsa 738 votuan në favor të saj. Njoftimi u bë i ditur nga Bordi Kombëtar mbi Marrëdhëniet e Punonjësve, i cili mbikëqyri procesin.

Nga 3,117 vota të hedhura, 76 u konsideruan të pavlefshme për plotësim të gabuar dhe 505 u kundërshtuan ose nga kompania "Amazon" ose nga Sindikata e Shitjeve me Pakicë dhe Shumicë e cila udhëhoqi përpjekjet për organizim të punonjësve të Bessemer-it në grupim sindikal. Bordi Kombëtar mbi Marrëdhëniet e Punonjësve tha se votat e kundërshtuara nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin. Në votim morën pjesë rreth 53% e rreth 6,000 punonjësve të kësaj pike magazinimi.

Sindikata tha se do të paraqesë një ankesë pranë Bordit Kombëtar mbi Marrëdhëniet e Punonjësve, duke akuzuar kompaninë për ndërhyrje të paligjshme në procesin e votimin. Ata do të kërkojnë një seancë dëgjimore me bordin e punës për të përcaktuar nëse rezultati "duhet të konsiderohet i paligjshëm" duke e akuzuar kompaninë “Amazon” për përhapje dezinformatash në lidhje me përpjekjen për t'u organizuar në sindikatë gjatë takimeve me punonjësit.

“Amazon nuk ka lënë asnjë gur pa lëvizur në përpjekjet për të manipuluar punonjësit e saj. Ne nuk do të lejojmë që gënjeshtrat, mashtrimet dhe veprimtaritë e paligjshme të Amazon-it të mos sfidohen”, tha Stuart Appelbaum, presidenti i Sindikatës së Shitjeve me Shumicë e Pakicë.

Por kompania “Amazon” tha nëpërmjet një deklaratë se nuk i kishte frikësuar punonjësit e saj.

"Punonjësit tanë dëgjuan shumë më shumë mesazhe anti-Amazon nga sindikata, politikëbërësit dhe mediat sesa dëgjuan nga ne", thuhej në deklaratë. "Amazon nuk fitoi, punonjësit tanë zgjedhën të votojnë kundër anëtarësimit në një sindikatë".

Vendimi kundër organizimit të një sindikate shihet si më i rëndësishmi në historinë 26-vjeçare të "Amazon-it" dhe shënon herën e dytë që një përpjekje e tillë brenda kompanisë, hidhet në votë. Por përpjekjet për krijimin e një sindikate për punonjësit e magazinës në qytetin e Bessemer-it shihej si një përpjekje që kishte pak mundësi për fitore, pasi që vuri përballë kompaninë që konsiderohet si punëdhënësi i dytë më i madh në vend, kundër punëtorëve të një magazine, në një shtet me ligje që nuk favorizojnë sindikatat. Në vetëvete mbërritja deri këtu e lëvizjes së punonjësve të Bessemer-it shihet si një zhvillim i papritur.

"Amazon" ka një historik të fortë të shuarjeve të përpjekjeve sindikaliste përpara se ato të përhapen. Në një kohë kur ekonomia e vendit po përpiqet ende të rimëkëmbet dhe shumë kompani kanë shkurtuar vendet e punës, "Amazon-i" është një nga kompanitë e pakta që punësojnë ende gjatë pandemisë. Vetëm vitin e kaluar kompania i shtoi fuqisë së saj punëtore edhe 500,000 persona.

Por pandemia zbuloi gjithashtu pabarazi në fuqinë punëtore, shumë prej tyre duhet të paraqiteshin në punë edhe kur situata e koronavirusit ishte tejet problematike, duke rritur shqetësimet mbi shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Përpjekjet për sindikatë në qytetin e Bessemer-it përkuan me protestat që ndodhën në të gjithë vendin pas vdekjes në duart e policisë së George Floyd-it, çka rriti ndërgjegjësimin rreth padrejtësisë racore e nxiti më tej zhgënjimin rreth mënyrës se si po trajtohen punëtorët e magazinave. Më shumë se 80% e tyre janë të afro-amerikanë, që punojnë 10 orë në ditë, duke paketuar e ngarkuar kuti, me vetëm dy mundësi për pushim 30 minuta secila. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat