Minesota, dorëhiqet shefi i policisë dhe policja që qëlloi mbi të riun afrikano-amerikan

Amerika

Minesota, dorëhiqet shefi i policisë dhe policja që qëlloi mbi të riun afrikano-amerikan

Më: 14 prill 2021 Në ora: 06:32
Minesota

Shefi i policisë së qytetit Brooklyn Center dhe oficerja që qëlloi për vdekje me armë zjarri Daunte Wright, një 20-vjeçar afro-amerikan, dhanë dorëheqjen të martën. Lajmi u njoftua nga kryetari i bashkisë së qytetit gjatë një konference për shtyp.

Kryebashkiaku i Brooklyn Center Mike Elliott tha se dorëheqjet erdhën pasi këshilli i qytetit miratoi një rezolutë për shkarkimin e tyre, si të shefit të policisë Tim Gannon ashtu edhe oficeres që qëlloi ndaj zotit Wright, Kim Potter, një veterane prej 26 vitesh e policisë.

"Shpresoj se kjo do të sjellë qetësi në komunitet", tha kryetari i bashkisë. "Ne duam t'i dërgojmë një mesazh komunitetit se po e marrim seriozisht situatën".

Ngjarja krijoi tensione të reja në Minesota. Qindra vetë u grumbulluan të hënën në mbrëmje jashtë një stacioni policie në qytetin Brooklyn Center të Minesotës për të protestuar lidhur me vdekjen e afro-amerikanit, i cili u qëllua me armë nga një punonjëse e policisë. Forcat e sigurisë përdorën mjete shpërthyese çorientuese për të shpërndarë turmën e mbledhur pas hyrjes në fuqi të një ndalim-qarkullimi për shkak të situatës.

Autoritetet thanë se disa protestues hodhën sende të forta në drejtim të policisë dhe se rreth 40 vetë u arrestuan. Protestat u shuan në orët e para të mëngjesit të së martës. Ngjarjet zhvillohen vetëm pak kilometra larg nga vendi ku po zhvillohet gjyqi ndaj ish-oficerit të policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd.

Vdekja të djelën e një afro-amerikani, i cili u qëllua me armë zjarri nga policia në Minesota ka ngjallur protesta dhe dhunë në këtë shtet. Shefi i departamentit të policisë tha se vdekja e 20-vjeçarit Daunte Wright, ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një "shkrepje aksidentale" e armës.

"Ajo çka unë besoj është se oficerja e policisë kishte ndërmend të përdorte paralizuesin e përkohshëm, por në vend të kësaj ajo qëlloi zotin Wright me një plumb të vetëm", thotë Tim Gannon, Shef i Policisë, Brooklyn Center.

Të hënën Presidenti Joe Biden bëri thirrje për qetësi e paqe.

"Është vërtet diçka tragjike ajo që ka ndodhur, por mendoj se duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të nxjerrin hetimet, hetimi i plotë i çështjes".

Edhe ish-Presidenti Barack Obama bëri thirrje të martën për një "hetim të plotë dhe transparent" të ngjarjes.

Incidenti ndodh vetëm disa kilometra nga vendi ku po zhvillohet gjyqi i ndaj ish-oficerit të policisë Derek Chauvin i akuzuar për vrasjen e George Floyd-it, duke shkaktuar trazira në një komunitet tashmë nën tension.

"Zemrat tona dhembin. Ndjejmë dhimbje dhe ne e dimë se kjo gjë nuk mund të kishte ndodhur në një kohë më të keqe se kjo", thotë Mike Elliott, Kryetar i bashkisë së qytetit Brooklyn Center.

Në gjyqin ndaj zotit Chauvin, i cili tashmë ka hyrë në javën e tretë të tij, kardiologu Jonathan Rich hodhi poshtë argumentat e avokatëve mbrojtjës së ish-policit, se zoti Floyd vdiq nga mbidoza apo nga një sëmundje prej së cilës ai vuante më parë.

"Pasi analizova të gjitha faktet dhe provat e këtij rasti, mund të deklaroj me shkallën më të lartë të sigurisë mjekësore se George Floyd nuk vdiq nga një goditje kardiake apo nga mbidoza e ndonjë droge që kishte përdorur", thotë Dr. Jonathan Rich, Kardiolog.

Vëllai i vogël i zotit Floyd tek shihte një fotografi të nënës së tyre të ndjerë, përshkroi mes lotësh pjesë të fëmijërisë së tyre.

"Ai ishte shumë i lidhur me nënën. Qava shumë kur ajo vdiq, por për George-n ishte ndryshe, ai e donte shumë atë", thotë Philonise Floyd, vëllai i George Floyd-it.

Ndërsa tensionet lidhur me dhunën e policisë po rriten në të gjithë Shtetet e Bashkuara, disa aktivistë po bëjnë thirrje për heqjen e fondeve nga departamentet e policisë dhe rialokimin e tyre në sektorë të tjerë. Kjo ndodh ndërsa administrata Biden është tërhequr nga një premtim i fushatës për të krijuar një komision mbikëqyrës ndaj policisë, duke deklaruar se në vend të kësaj po përqendrohen tek reformat legjislative.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat