​Shkalla e lindjes në SHBA, në nivelin më të ulët nga viti 1979

Amerika

​Shkalla e lindjes në SHBA, në nivelin më të ulët nga viti 1979

Më: 5 maj 2021 Në ora: 15:53
Foto ilustruese

SHBA kishte normën më të ulët të lindjeve në pak më shumë se katër dekada vitin e kaluar, transmeton Reuters, duke cituar vlerësime të ekspertëve se arsyet për këtë lidhen me pandeminë COVID-19.

Shkalla e lindjes në Shtetet e Bashkuara ra me 4 për qind në vitin 2020, kur lindën 3.6 milionë fëmijë. Kjo është rënia për të gjashtin vit radhazi dhe niveli është më i ulët që nga viti 1979, sipas të dhënave nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Byrosë Kombëtare të Statistikave të Shëndetit.

CDC nuk beson se pandemia COVID-19 është arsyeja e vetme për rënien e nivelit të lindjeve, por ekspertët kanë parashikuar që arsyet e lidhura me pandeminë, të tilla si ankthi, do të ndikojnë në shkallën e lindjeve.

Në dhjetor 2020, Instituti Brookings parashikoi që në vitin 2021, 300 mijë fëmijë më pak do të lindnin në Shtetet e Bashkuara. Shumë vende evropiane po regjistrojnë gjithashtu një rënie të lindjes dhe demografët parashikojnë një prirje të tillë këtë vit në të gjithë kontinentin. Për shembull, niveli i lindjeve në Itali në dhjetor - nëntë muaj pasi vendi hyri në bllokimin e tij të parë në Evropë - ra me 22 për qind, tregojnë të dhënat.

Korporatat e mëdha, të cilat prodhojnë ushqim për fëmijë, të tilla si Reckitt, Nestle dhe Danone, janë duke regjistruar një rënie të shitjeve të ushqimeve për fëmijë, pjesërisht për shkak të rënies së lindjeve. CDC thotë se lindshmëria në SHBA - e matur nga numri i fëmijëve të lindur për 1000 gra të moshës 15 deri në 44 vjeç - ka rënë me katër për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat