Gratë tejkalojnë numrin e votuesve, por ato nuk votojnë njësoj

Amerika

Gratë tejkalojnë numrin e votuesve, por ato nuk votojnë njësoj

Më: 5 maj 2021 Në ora: 22:14
SHBA

Sipas një studimi të fundit, gratë nuk janë një grup i sigurt votuesesh për demokratët.

Ndërsa gratë me ngjyrë, ato latine dhe aziatiko-amerikane votuan me një epërsi të dukshme për Presidentin demokrat Joe Biden, 55% e grave të bardha votuan për republikanin e atëhershëm në detyrë, Donald Trump dhe 44% për kandidatin Biden, i cili fitoi zgjedhjet.

Të dhënat sfidojnë çdo nocion se gratë mund të jenë një bllok i pandarë me një ndjenjë të njësuar identiteti.

"Në elektoratin amerikan vota e grave nuk shkon në një krah të caktuar", thotë Claire Gothreau, bashkëpunëtore kërkimore në Qendrën për Gratë Amerikane dhe Politikën (CAWP) në Ratgers. “Po, gratë ka më shumë ngjarë të votojnë për demokratikët sesa burrat. Por kur shikon të dhënat të ndara sipas racës, grupmoshës, arsimit dhe fesë, ekzistojnë vërtet ndryshime të mëdha. Për shembull, gratë e bardha kanë votuar vazhdimisht për republikanët në zgjedhjet presidenciale.

"Megjithatë, në të gjitha grupmoshat, gratë kanë prirjen të votojnë më shumë për demokratët, me më shumë gra të bardha që votojnë për demokratët sesa burrat e bardhë. Për më tepër, një analizë e qendrës CAWP zbuloi se gratë e pamartuara kanë prirjen të votojnë në një nivel më të lartë sesa burrat e pamartuar, por çiftet e martuara priren të votojnë në nivel të ngjashme me njëri-tjetrin.

Sipas analizës, ekziston gjithashtu edhe një hendek arsimor. Votuesit e arsimuar në të gjitha grupet demografike priren të votojnë për demokratët, por diferenca nuk është aq e madh midis votuesve me ngjyrë. 64% e grave të bardha me një diplomë kolegji votuan për Bidenin, ndërsa 45% votuan për Trumpin.

Pavarësisht se si votojnë, gratë luajnë një rol të madh në zgjedhjet amerikane.

"Ato janë regjistruar dhe kanë votuar me ritme më të larta se burrat në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1980," thotë zonja Gothreau. “Ato janë më të shumta në numër se burrat, të paktën në zgjedhjet e kaluara, me rreth 10 milionë. Pra, edhe pse burrat i tejkaluan gratë për sa i përket disa formave të tjera të angazhimit politik si donacionet dhe kandidimi për poste publike, fakti që gratë përbëjnë një votë më të lartë se burrat është domethënës. "

Por kjo nuk do të thotë që të gjitha votojnë për kandidatet gra. Shifrat sugjerojnë që raca është një identitet i përbashkët më i fortë nga gjinia, thotë zonja Gothreau.

Ndërkohë, gratë me ngjyrë përbëjnë një forcë në rritje në elektoratin amerikan, thotë zonja Gothreau. Njerëzit jo të bardhë përbënin rreth një të tretën e elektoratit në vitin 2020, përqindja më e madhe ndonjëherë.

Gratë afrikano-amerikane kanë një nga përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në mesin e votuesve amerikanë dhe janë gjithnjë e më të fuqishme në kutitë e votimit.

"Gratë afro-amerikane janë një grup demografik që tenton të dalë në votime në një numër jashtëzakonisht të lartë, dhe unë mendoj se përfundimisht luajtën rol në vitin 2020," thotë zonja Gothreau. “Në shtetet kyçe ku gratë afro-amerikane dolën për të votuar, në vende si Xhorxhia, ato ishte një forcë kritike për fitoren e Bidenit. Dhe veçanërisht në zgjedhjet e fundit, gratë afrikano-amerikane patën një nga përqindjet më të larta të pjesëmarrjes".

Zonja Gothreau pret që gratë afrikano-amerikane dhe gratë e tjera me ngjyrë të kenë edhe më shumë ndikim në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme.

"Gjithnjë e më shumë, të rinjtë deri në moshën 24 vjeç, po votojnë dhe ata janë një brez më i larmishëm", thotë zonja Gothreau. "Kështu që, mendoj se në të ardhmen, do të shohim, në veçanti, gra më të reja me ngjyrë që do të kenë më shumë ndikim në zgjedhjet tona."/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat