Zbulimi amerikan paralajmëron për më shumë dhunë nga ndjekësit e QAnon-it

Amerika

Zbulimi amerikan paralajmëron për më shumë dhunë nga ndjekësit e QAnon-it

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 06:46
Arkiv

Një raport i ri i shërbimeve federale të zbulimit paralajmëron se ithtarët e QAnon-it, teoria e konspiracionit e përqafuar nga disa nga pjesëmarrësit në turmën që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, mund të vendosë në objektiv demokratët dhe kundërshtarët e tjerë politikë për më shumë dhunë, pasi profecitë e rreme të lëvizjes nuk u realizuan.

Shumë ndjekës të QAnon-it besojnë se ish-Presidenti Donald Trump po luftonte armiqtë brenda të ashtuquajturit "shtet i thellë" për të zbuluar një klikë kanibalësh, adhurues të Satanait, që drejtojnë një rrjet të trafikimit të fëmijëve për qëllime seksuale. Humbja e zotit Trump përballë Presidentit Joe Biden zhgënjeu disa ndjekës që besonin tek "Stuhia", një shpagim i supozuar gjatë të cilit armiqtë e zotit Trump do të gjykoheshin dhe ekzekutoheshin. Disa ndjekës tani kanë anuar nga bindja se Donald Trump-i është "presidenti në hije", ose fitorja e Joe Biden-it ishte një iluzion.

Raporti u përpilua nga FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe u publikua të hënën nga senatori Martin Heinrich, një demokrat nga shteti Nju Meksiko. Raporti parashikon se ndërsa disa adhurues të QAnon-it do të tërhiqen, të tjerët "ka të ngjarë të fillojnë të besojnë se ata nuk mund ta 'shtyjnë më planin' e përmendur në postimet e QAnon-it dhe se ata kanë detyrimin të ndryshojnë nga shërbimi si 'ushtarë dixhitalë' në drejtim të angazhimit me dhunën në botën reale”.

Ndërsa kompanitë kryesore të mediave sociale pezullonin ose hiqnin llogaritë me temë QAnon, shumë pasues janë zhvendosur në platforma më pak të njohura dhe diskutuan se si të radikalizojnë përdoruesit e rinj në to, thotë raporti.

Raporti thotë se disa faktorë do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të teorisë QAnon, përfshirë pandeminë COVID-19, disa kompani të mediave sociale që lejojnë postime në lidhje me këto teori, polarizimin shoqëror në Shtetet e Bashkuara dhe "frekuencën dhe përmbajtjen e deklaratave pro-QAnon nga individë publikë që shfaqen dukshëm në rrëfimet thelbësore të QAnon-it".

Raporti nuk identifikon asnjë nga këta individë publikë. Por Donald Trump, i cili ndërsa ishte në detyrë vlerësoi ndjekësit e QAnon-it si "njerëz që e duan vendin tonë", ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të pranojë se zgjedhjet kanë mbaruar dhe ka folur pa bazë për fitoren e tij "të vjedhur", pavarësisht vendimeve të shumta të gjykatës dhe një konkluzioni nga vetë Departamenti i tij i Drejtësisë se zgjedhjet ishin me integritet. Një aleat i hershëm i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, se ish-Presidenti Trump i ka dhënë kredo një teorie konspirative se ai mund të rikthehet në presidencë në muajin gusht.

Ligjvënësi Heinrich i kërkoi drejtorit të FBI-së, Chris Wray në prill që të japë një vlerësim se si e shikon qeveria QAnon-in.

"Publiku meriton të dijë se si e vlerëson qeveria kërcënimin ndaj vendit tonë nga ata që do të vepronin me dhunë bazuar mbi bindje të tilla", tha ai në atë kohë.

Lëvizja rreth QAnon-it tashmë është lidhur me dhunën politike, veçanërisht gjatë sulmit të Kapitolit më 6 janar, në të cilën disa protestues besuan se do të ndryshonin humbjen e ish-Presidentit Trump. Të paktën 20 pasues të QAnon janë akuzuar për krime federale në lidhje me 6 janarin, sipas një përmbledhjeje të të dhënave gjyqësore nga Associated Press.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat