Republikanët në Senat bllokojnë projektligjin për zgjedhjet

Amerika

Republikanët në Senat bllokojnë projektligjin për zgjedhjet

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 06:22
Ilustrim

Përpjekja gjithëpërfshirëse e Demokratëve për të ndryshuar ligjin amerikan për zgjedhjet dhe votimin u bllokua në Senat të martën, nga senatorët republikane. Kjo është përpjekja më e madhe e rishqyrtimit të sistemit zgjedhor të Shteteve të Bashkuara në një brez.

Projektligji, i njohur si Akti Për Njerëzit, do të prekte pothuajse çdo aspekt të mënyrës se si zhvillohen zgjedhjet, si heqjen pengesave të votimit që aktivisitët e shohin si një përpjekje të ngjashme me atë të kohës së Luftës për të Drejtat Civile, kufizimin e ndikimit të parave në politikë dhe kufizimin e ndikimit partiak mbi procesin e përcaktimit të kufijve të zonave me përfaqësim në Kongres.

Por shumë republikanë thonë se masa përfaqëson një shkelje të gjërë nga qeveria federale të autoritetit të shteteve për të organizuar zgjedhjet e tyre pa mashtrime, dhe një përpjekje që përfundimisht synon të favorizojë demokratët.

Projektligji dështoi në një votim 50-50 pasi republikanët, disa prej të cilëve e quajtën atë "Akti i Vjedhjes", duke u mohuar demokratëve 60 votat e nevojshme për të filluar debatin mbi të. Nënpresidentja Kamala Harris, gruaja e parë e afrikano-amerikane në këtë post, drejtoi seancën e votimit në Senat.

"Lufta nuk ka mbaruar", tha ajo pas votimit.

Dështimi i detyron demokratët të shqyrtojnë hapat e ardhshëm në lidhje me përparësitë e tyre kryesore legjislative në Senatin e ndarë. Ata e kanë shpallur masën si një kundërpeshë të fuqishme ndaj shumë propozimeve që po miratohen nga shtetet e kontrolluara nga republikanët, duke e bërë më të vështirë votimin.

"Edhe një herë, pakica republikane e Senatit bëri një bllokadë partiake të një çështje të ngutshme", tha Udhëheqësi i Shumicës së Senatit Chuck Schumer gjatë një fjalimi në Senat. Ai u zotua se votimi ishte vetëm "hapi i parë" dhe se kjo nuk do të jetë hera e fundit që e drejta e votimit do të jetë temë debati.

Para votimit, Biden shkroi në Twitter, "Demokratët janë të bashkuar dhe të përkushtuar për të miratuar këtë legjislacion historik për të mbrojtur të drejtat e votës, për të siguruar integritetin e zgjedhjeve tona dhe për të riparuar dhe forcuar demokracinë tonë."

Çfarëdo që të vendosin demokratët, ata ka të ngjarë të përballen me të njëjtën sfidë me të cilën u përballën të martën kur pakica republikane përdori taktikën e fjalimeve të gjata, të njëjtin mjet që demokratët e përdorën gjatë mandatit të presidentit Donald Trump për të bllokuar shqyrtimin e projektligjeve.

Republikanët nuk treguan asnjë shenjë të dorëzimit.

Udhëheqësi republikan Mitch McConnell e quajti projekt-ligjin "një zgjidhje që kërkon të gjejë një problem" dhe u zotua se "do t'i japë fund".

Presioni ka qenë në rritje ndaj demokratëve për të ndryshuar rregullat e Senatit për të shmangur përballjen me një bllokim të përparësive të tyre legjislative. Megjithatë, një grup senatorësh të moderuar demokratë, përfshirë senatorët Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema, e kanë përjashtuar këtë mundësi, duke u mohuar demokratëve votat e nevojshme për të bërë një ndryshim të rregullit të bllokimit të projektligjeve përmes fjalimeve të gjata.

Biden ka premtuar atë që Shtëpia e Bardhë e quan "luftën e presidencës së tij" për t’u siguruar amerikanëve qasjen në votim. Por pa ndryshimin e rregullave të Senatit, pikat kryesore të axhendës së tij, përfshirë projekt-ligjin për zgjedhjet, duken të bllokuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat