SHBA formon komitetin për hetimin e trazirave të 6 janarit

Amerika

SHBA formon komitetin për hetimin e trazirave të 6 janarit

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 19:27
Mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, jashtë ndërtesës së Kongresit në Uashington, 6 janar, 2021.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi, njoftoi për krijimin e një komiteti që do të hetojë trazirat në ndërtesën e Kongresit amerikan, që ndodhën më 6 janar të këtij viti.

Pelosi tha se komiteti, i udhëhequr nga demokratët, do të synojë që “të përcaktojë të vërtetën e asaj dite” dhe “të sigurojë që një sulm i atij lloji të mos mund të ndodhë më”.

Ky veprim vjen pasi republikanët e Senatit e bllokuan projekt-ligjin për krijimin e një komiteti dypartiak.

Aleatë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, thanë se komiteti nuk është i nevojshëm.

Mbështetësit e Trumpit e sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar, në përpjekje për të penguar certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit, në të cilat kandidati demokrat, Joe Biden, doli fitues.

Trazirat lanë pesë persona të vdekur, përfshirë një zyrtar të policisë.

Kongresi, megjithatë, arriti të certifkonte rezultatin zgjedhor dhe Biden e mori detyrën e presidentit në muajin janar.

Kongresi amerikan e fajësoi Trumpin për nxitje të trazirave, por ai u shpall i pafajshëm nga Senati.

Pelosi tha se komiteti “do të hetojë dhe raportojë faktet dhe shkaqet e sulmit” dhe do të japë rekomandime “për parandalimin e ndonjë sulmi në të ardhmen”.

Ajo tha se struktura, kompetencat dhe anëtarët e komitetit do të shpallen në ditët në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat