Shkon në 79 numri i viktimave të gjetura në rrënonjat e godinës në Sërfsajd

Amerika

Shkon në 79 numri i viktimave të gjetura në rrënonjat e godinës në Sërfsajd

Më: 10 korrik 2021 Në ora: 06:14
Sërfsajd

Numri i të vdekurve nga shembja e godinës në Florida është rritur në 79 pasi 15 viktima të tjera u nxorën të premten nga rrënojat. Kryebashkiakja e qarkut Majami-Dejd, Daniella Levine Cava i njoftoi shifrat në një konferencë shtypi të premten, duke i quajtur ato "tronditëse" dhe "të dhimbshme". 61 persona të tjerë ende figurojnë të zhdukur.

"Është një numër tronditës dhe pikëllues që na prek shumë thellë të gjithë ne," tha zonja Levine Cava për numrin e fundit të të vdekurve.

“Të gjithë ata janë larguar nga kjo botë duke lënë pas të dashurit e tyre. Ata po lënë pas familje të shkatërruara. Përmasat e kësaj tragjedie po rritet çdo ditë” tha zonja Levine Cava.

Punonjësit e shpëtimit dhe ekipet e ndihmës nga Florida dhe disa shtete të tjera kanë punuar me turne 12-orëshe, 24 orë në ditë në vendin e godinës së shkatërruar në Sërfsajd – duke rënduar gjëndjen e tyre fizike dhe emocionale pasi janë sfiduar edhe nga një mot i vështirë dhe kushte të rrezikshme.

Të enjten, ministri i Jashtëm i Paraguait tha në një program në radio se trupi i motrës së Zonjës së Parë të atij vendi ishte mes viktimave të gjetura. Disa qytetarë të Amerikës Latine ishin në ndërtesë kur ajo u shemb. Punonjësit e shpëtimit janë përqendruar tani në gjetjen e trupave në vend të të mbijetuarve dhe janë zotuar të vazhdojnë kërkimin e tyre për viktimat derisa zona të pastrohet.

Zyrtarët shtetërorë dhe vendorë kanë premtuar ndihma financiare për familjet e viktimave, si dhe për banorët që mbijetuan, por që humbën të gjitha pasuritë e tyre. Ndërkohë, autoritetet po fillojnë një hetim për shembjen e ndërtesës. Të paktën gjashtë procese gjyqësore janë ngritur nga familjet e viktimave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat