Qin Gang Ambasadori i ri kinez në Uashington

Amerika

Qin Gang Ambasadori i ri kinez në Uashington

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 17:28
Qin Gang

Ambasadori i ri kinez në Uashington, Qin Gang, u shpreh optimist për sa i takon të ardhmes së marrëdhënieve ShBA-Kinë, në konferencën e tij të parë pas arritjes në kryeqytetin amerikan për marrjen e detyrës së re, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë të acaruara. Zoti Gang më herët ka shërbyer si Zëvendës Ministër i Punëve të Jashtme dhe zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ambasadori i ri i Kinës në Uashington, Qin Gang, uroi që Shtetet e Bashkuara të fitojnë luftën me COVID-19 ndërsa shprehu optimizmin e tij se ShBA dhe vendi që ai përfaqëson kanë mundësi të shumta për marrëdhënie dypalëshe.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur raportet mes dy vendeve janë thellësisht të acaruara.

“Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara kanë ardhur në një moment kritik, duke u përballur jo vetëm me shumë vështirësi dhe sfida por edhe me mundësi e potenciale të mëdha. Mënyra se si drejtohen këto marrëdhënie është jetike për mirëqenien e popullit kinez, atij amerikan dhe për të ardhmen e botës. Dy popujt dhe komuniteti ndërkombëtar shpresojnë në marrëdhënie të shëndetshme dhe në rritje”, tha amsadori i ri kinez në ShBA.

Zoti Qin e fillon detyrën disa ditë pas bisedimeve të nivelit të lartë në Kinë mes zëvendës Sekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman dhe diplomatëve të lartë kinezë, që përfundoi me palët duke i kërkuar lëshime njera tjetrës për të përmirësuar marrëdhëniet.

Ambasadori i ri 55 vjeç, zëvendëson ambasadorin e mëparshëm Cui Tiankai, 68 vjeçar, me shërbimin më të gjatë, prej 8 vjetësh, në Uashington.


Zoti Qin, i cili ishte zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze mes viteve 2006-2014, gëzon një reputacion për mbrojtjen agresive në publik të qëndrimeve të vendit të tij.

Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit u përkeqësuan gjatë administratës së Presidentit Trump ndërsa Presidenti Biden po vazhdon presionin ndaj Kinës, duke shtuar sanskione ndaj zyrtarëve kinezë dhe duke u zotuar se gjatë udhëheqjes së tij Kina nuk do të zëvendësojë rolin udhëheqës të Shteteteve të Bashkuara në botë.

Ministria e Jashtme e Kinës së fundmi paralajmëroi mundësinë e vendosjes së parakushteve për Shtetet e Bashkuara duke kufizuar çdo lloj bashkëpunimi, një qëndrim që disa analistë thonë se zbehmundësitë e përmirësimit të lidhjeve.

Posti i ambasadorit amerikan në Kinë ka mbetur bosh që nga tetori, kur republikani Terry Branstad dha dorëheqjen për të ndihmuar fushatën për rizgjedhjen e zotit Trump.

Presidenti Biden ende nuk ka emëruar një ambasador të ri për Kinën. Ish-ambasadori amerikan në NATO Nicholas Burns, konsiderohet si kandidat i preferuar në qarqet e jashtme politike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat