Arrin në afro 1,300 numri i viktimave nga tërmeti në Haiti

Amerika

Arrin në afro 1,300 numri i viktimave nga tërmeti në Haiti

Më: 16 gusht 2021 Në ora: 09:41
Haiti

Autoritetet civile në Haiti thanë se numri i të vdekurve nga pasojat e tërmetit të së shtunës u rrit në 1 mijë e 297.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile të Haitit tha se numri i të plagosurve u rrit gjithashtu në 5 mijë e 700 dhe spitalet po luftojnë të përballojnë kërkesat e shumta për ndihmë.

Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë punën për të gjetur të mbijetuar, ndërsa disa qytete pothuajse janë shkatërruar.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 125 kilometra në perëndim të kryeqytetit Port-au-Prince, njoftoi Shërbimi Gjeologjik Amerikan. Tërmeti me një thellësi rreth 10 kilometrash që u ndje në Kubë dhe Xhamajka, është më i madh se tërmeti që goditi Haitin 11 vjet më parë, nga i cili humbën jetën mijëra njerëz.

Tërmeti dëmtoi shtëpi, rrugë dhe ura në gadishullin jugperëndimor të vendit dhe detyroi zhvendosjen e mijëra njerëzve.

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry, tha të dielën se, "duhet të punojmë së bashku për t’u përballur shpejt dhe në mënyrë efektive me këtë situatë jashtëzakonisht serioze".

Duke shtuar vështirësitë me të cilat përballet vendi, një paralajmërim stuhie tropikale është lëshuar për gjithë bregdetin e Haitit dhe Republikën Dominikane. Stuhia tropikale “Grace” pritet të sjellë shi të rrëmbyeshëm në ishull të hënën, që mund të çojë në përmbytje të shpejta dhe rrëshqitje të dheut./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat