Shtetet e Bashkuara lehtësojnë kufizimet për udhëtarët e huaj

Amerika

Shtetet e Bashkuara lehtësojnë kufizimet për udhëtarët e huaj

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 06:28
Një udhëtare me maskë mbërrin në aeroportin e Nju Jorkut

Duke filluar nga muaji nëntor, Presidenti Joe Biden do të lehtësojë kufizimet për udhëtarët e huaj që futen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa administrata e tij do të kërkojë që të gjithë vizitorët e huaj të jenë të vaksinuar plotësisht.

Udhëtimi i të huajve drejt Shteteve të Bashkuara ishte përgjithësisht i kufizuar gjatë 18 muajve të pandemisë, megjithëse disa vende evropiane lehtësuan gjatë muajve të fundit kufizimet ndaj udhëtarëve amerikanë për sezonin e pushimeve të verës.

Image
Jeff Zient

Të gjithë vizitorët e huaj që duan të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara duhet të tregojnë çertifikatën e vaksinimit, si dhe provën e një testi negativ, të bërë tre ditë para se të lejohen të hypin në avion, tha të hënën Jeff Zients, kordinator i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.

Presidenti Biden pritet të shtrëngojë rregullat e testimeve për shtetasit amerikanë të pavaksinuar, të cilët duhet të testohen një ditë para hyrjes në Shtetet e Bashkuara, si dhe pasi të arrijnë në vend. Zoti Seints tha se pasagjerëve të vaksinuar plotësisht nuk do t’u kërkohet që të karantinohen.

Rregullat e reja do të zëvendësojnë disa kufizime udhëtimesh ndërkombëtare të vëna një vit më parë nga Presidenti Trump dhe të përforcuara më tej në fillim të këtij viti nga Presidenti Biden, duke vënë kufizime për jo-shtetasit që kanë vizituar Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, Kinën, Indinë, Iranin, Republikën e Irlandës, Brazilin dhe Afrikën e Jugut gjatë 14 ditëve të fundit.

“Rregullat e reja bazohen tek individi, në vend të qasjes ndaj shteteve, ndaj është një sistem më i fuqishëm”, tha zoti Zients.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve gjithashtu do të kërkojnë që kompanitë ajrore të mbledhin nga udhëtarët të dhëna kontakti për të lehtësuar gjurmimin në raste infektimesh, tha zoti Zients.

Për momentin nuk është e qartë se cilat vaksina do të ishin të pranueshme në bazë të politikës së re amerikane dhe nëse vaksinat që nuk kanë marrë aprovimin amerikan do të ishin të pranueshme. Zoti Zients tha se ky vendim i përket Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Rregullat e reja do të futen në fuqi në fillim të nëntorit, në mënyrë që t’u japin kohë firmave ajrore dhe partnerëve të kësaj industrie që të përgatiten për zbatimin e protokolleve të reja.

Kryeministri britanik Boris Johnson përshëndeti veprimin e Shteteve të Bashkuara, duke thënë se udhëtarët e huaj do të jenë në gjendje të shkojnë në SHBA para Festës së Falënderimeve, që mbahet këtë vit më 25 nëntor.

"Kjo është një gjë e madhe", tha zoti Johnson. "Falënderoj presidentin (Joe Biden) për progresin që kemi arritur të bëjmë".

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian u tha gazetarëve në Kombet e Bashkuara në Nju Jork se "ishte koha" që të vepronte SHBA-ja, duke shtuar, "më mirë vonë se kurrë".

Shoqata Amerikane e Udhëtimeve gjithashtu përshëndeti masën, duke thënë se "do të ndihmojë në ringjalljen e ekonomisë amerikane".

"Kjo është një pikë kthese e madhe në menaxhimin e virusit dhe do të përshpejtojë rimëkëmbjen e miliona vendeve të punës të lidhura me udhëtimin që janë humbur për shkak të kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar", tha Presidenti dhe CEO i Shoqatës së Udhëtimeve të SHBA Roger Dow në një deklaratë të hënën.

Udhëtarëve të vaksinuar plotësisht në SHBA nuk do t'u kërkohet të karantinohen, siç ka ndodhur në disa vende të huaja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat