SHBA: Departamenti i Drejtësisë rihap hetimin ndaj gabimeve të FBI-së mbi rastin e mjekut Larry Nassar

Amerika

SHBA: Departamenti i Drejtësisë rihap hetimin ndaj gabimeve të FBI-së mbi rastin e mjekut Larry Nassar

Më: 5 tetor 2021 Në ora: 21:01
Simone Biles

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka nisur një hetim të ri në lidhje me keqmenaxhimin nga ana e FBI -së të hetimit për abuzim seksual ndaj ish -mjekut të ekipit kombëtar amerikan të gjimnastikës, Larry Nassar, tha të martën Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme Lisa Monaco.

"Ndihmës prokurorja e përgjithshme e Divizionit Penal, e sapokonfirmuar, po e shqyrton këtë çështje, përfshirë informacione të reja që kanë dalë në dritë", i tha zonja Monaco Komisionit Juridik të Senatit të martën, duke shtuar se nuk mund të flasë më hollësisht për këtë çështje.

"Unë dua që komisioni dhe të mbijetuarat ta kuptojnë se ne e marrim jashtëzakonisht seriozisht këtë çështje", shtoi ajo.

Në një seancë emocionale muajin e kaluar gjimnastet e famshme, përfshirë Simone Biles dhe McKayla Maroney dolën para të njëjtit komision, ku kritikuan FBI-në se kishte dështuar të hetonte siç duhet abuzimet ndaj tyre nga mjeku Nassar.

Seanca mori shkas nga reuzltatet e një hetimi të inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, i cili zbuloi gabime të shumta dhe të rënda, si pasojë e të cilave, Nassar vazhdoi të abuzonte me të paktën 70 viktima të tjera para se të arrestohej.

Raporti veçonte dy ish-agjentë të FBI-së, ish-agjentin special në detyrë të zyrës së Indianapolisit W. Jay Abbott dhe një ish-agjent special i cili është identifikuar që atëherë si Michael Langeman.

Inspektori i përgjithshëm i referoi të dy ish-agjentët për ndjekje penale, por Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të ngrejë akuza kundër tyre në shtator 2020./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat