Bie numri i infektimeve dhe shtrimeve në spital nga COVID-19

Amerika

Bie numri i infektimeve dhe shtrimeve në spital nga COVID-19

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 06:39
SHBA

Ndërsa bie numri i përditshëm i infektimeve dhe shtrimeve në spital si rezultat i pandemisë, numri i amerikanëve që udhëtojnë ka filluar të rritet. Agjencia amerikane e transportit dhe sigurisë thotë se vetëm të premten e kaluar, rreth 2,1 milionë njerëz kaluan pikat e kontrollit të sigurisë.

Numri i njerëzve që po udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara është rritur. E premtja shënoi një numër rekord të njerëzve që kaluan pikat e kontrollit të sigurisë, një numër i vënë re vetëm në fillim të gushtit të kaluar.

Aktualisht, vetëm 65% e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar. Dr. Rochelle Walensky është Drejtoreshë e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Disa komunitete kanë shkallë të lartë vaksinimi dhe janë të mbrojtura më mirë, por ka disa rajone që kanë shumë pak mbrojtje. Virusi mund të përhapet kudo”.

Shtëpia e Bardhë thotë se shtatë milionë doza vaksinash janë administruar gjatë javës së fundit, shkalla më e lartë që nga fillimi i korrikut.

Ndërkohë po hyjnë në fuqi urdhërat për vaksinim të detyruar. Në qytetin Siatëll të shtetit Uashington, punonjësit e policisë kanë afat deri me 18 tetor të dëshmojnë se janë vaksinuar ose mund të përballen me pushim nga puna. Më shumë se 200 policë nuk janë vaksinuar ende.

Ndërkohë numri i infektimeve tek fëmijët po bie. Por disa spitale po raportojnë shtimin e një rasti të rrallë infektimi (MIS-C) tek fëmijët që shkakton inflamacion të zemrës, mushkërive dhe veshkave. Dr. Amy Edwards është specialiste e sëmundjeve infektive.

“Dihet që variant Delta ka ndikuar seriozisht tek fëmijët, më shumë se valet e mëparshme. Ndaj nuk është habi që pas javëve të para të variantit të shohim shfaqjen e rasteve të inflamacionit të zemrës dhe të organeve të tjera”.

Fëmijët nën moshën 12 vjeçare ende nuk kualifikohen për marrjen e vaksinës, por kjo mund të ndryshojë së shpejti. Firma Pfizer ka kërkuar autorizim për përdorim emergjent të vaksinës tek fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat