Ish-Presidenti Trump jep dëshminë për një proces gjyqësor

Amerika

Ish-Presidenti Trump jep dëshminë për një proces gjyqësor

Më: 19 tetor 2021 Në ora: 07:03
Ish-Presidenti Donald Trump

Ish-Presidenti Donald Trump dëshmoi nën betim të hënën në kuadrin e një padie civile të paraqitur nga protestues që pretendojnë se janë sulmuar nga rojet e tij të sigurisë në Nju Jork në vitin 2015, tha në një konferencë për shtyp avokati i protestuesve.

Ish-Presidenti Trump u ul për të dhënë një dëshmi të regjistruar në kamera mëngjesin e së hënës në Kullën Trump në Manhatan, tha Benjamin Dictor, avokati që kërkoi dëshminë e ish-Presidentit Trump në kuadrin e sfidës së zgjatur ligjore.

"Presidenti ishte ekzaktësisht siç do ta prisnit të ishte. Iu përgjigj pyetjeve në mënyrën që ju do ta prisnit zotin Trump të përgjigjej, dhe u soll në mënyrën që ju do ta prisnit të sillej", tha zoti Dictor.

Gjykatësja e Nju Jorkut, Doris Gonzalez, urdhëroi javën e kaluar që zoti Trump të ulej për të deponuar përpara kameras.

Ish-Presidenti Trump tha në një deklaratë se ishte i kënaqur që ofroi dëshmi për këtë çështje.

"Pas vitesh procedurash gjyqësore, jam i kënaqur që pata mundësinë të them versionin tim të kësaj historie qesharake - thjesht një tjetër shembull i përndjekjes pa shkak të presidentit tuaj të preferuar", tha zoti Trump.

Image
Avokati Benjamin Dictor duke folur për mediat

Një grup protestuesish e bëri padinë në vitin 2015, duke pretenduar se rojet e sigurisë të zotit Trump i sulmuan ndërsa po demonstronin jashtë Kullës Trump në shtator të atij viti, për komentet që kandidati për president kishte bërë në atë kohë për emigrantët meksikanë, duke i quajtur kriminelë dhe përdhunues.

"Ata po sjellin droga, ata po sjellin krimin, ata janë përdhunues", tha zoti Trump gjatë fjalimit për shpalljen e kandidaturës së tij.

Ish-Presidenti Trump përballet me disa padi civile për sjelljen përpara dhe gjatë presidencës së tij në periudhën 2017-2021.

Më herët këtë muaj, një gjykatës i Nju Jorkut i dha zotit Trump afatin e 23 dhjetorit për t'iu përgjigjur pyetjeve në kuadrin e një padie për shpifje të paraqitur nga Summer Zervos, një ish-pjesëmarrëse në emisionin "The Apprentice".

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, zonja Zervos akuzoi zotin Trump për puthje dhe prekje të padëshiruara kur ajo po i kërkonte këshilla për karrierën në vitin 2007, dy vite pas pjesëmarrjes në emisionin televiziv.

Ajo e paditi në janar 2017, por çështja mbetet e pazgjidhur, pjesërisht për arsye se ish-Presidenti Trump kishte pretenduar se nuk mund të paditet një president në detyrë.

Çështja u qartësua kur Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke e bërë zotin Trump një qytetar të zakonshëm, vendosi gjykata në Nju Jork.

Avokatja e ish-Presidentit Trump për këtë çështje, Alina Habba, i ka mohuar akuzat e zonjës Zervos, dhe e ka quajtur padinë jo serioze./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat