Paneli i CDC-së mbështet zgjerimin e dozave përforcuese pavarësisht shqetësimeve

Amerika

Paneli i CDC-së mbështet zgjerimin e dozave përforcuese pavarësisht shqetësimeve

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 06:28
Ilustrim

Një panel këshillues qeveritar ka miratuar dozat shtesë të të tre vaksinave COVID-19 të zhvilluara në vend.

Këshilltarët e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thanë gjithashtu të enjten se njerëzit mund të zgjedhin vaksinën e një kompanie tjetër për dozën e tretë.

Disa amerikanë që kanë marrë vaksinat Pfizer muaj më parë, tashmë kanë të drejtë për një përforcues.

Këshilltarët thanë se disa nga ata që kanë marrë vaksinat e Modernës dhe Johnson & Johnson duhet gjithashtu të kualifikohen.

Paneli nuk rekomandoi në mënyrë të prerë që të merret doza e një marke tjetër nga ajo e mëparshmja, por e lanë të hapur opsionin - duke thënë vetëm se rekomandohej një përforcues i një nga tre llojet.

Disa këshilltarë thanë se do të preferonin që ata që kanë marrë një dozë të J&J të marrnin një përforcues tjetër, duke cituar të dhënat paraprake nga një studim qeveritar që sugjeron një rritje më të madhe të antitrupave që luftojnë viruset nga një kombinim i tillë.

Rreth dy të tretat e amerikanëve që kanë të drejtë për vaksina COVID-19 janë plotësisht të vaksinuar, dhe qeveria thotë se marrja e injeksioneve të para tek të pavaksinuarit mbetet përparësi.

Ndërsa autoritetet shëndetësore shpresojnë që dozat përforcuese do të rrisin imunitetin e dobësuar kundër infeksioneve më të zbutura të koronavirusit, të gjitha vaksinat ende ofrojnë mbrojtje të fortë kundër shtrimeve në spital dhe vdekjeve.

Këshilltarët e CDC-së gjithashtu debatuan nëse njerëzit që nuk kanë nevojë për përforcues mund ta marrin atë.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave tashmë ka autorizuar një zgjerim të fushatës përforcuese të vendit, por CDC-ja merr vendimin përfundimtar se kush duhet të vaksinohet.

Ky vendim pritet së shpejti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat